Demokratja Buta Biberaj fitoi zgjedhjet për postin e prokurorit në prefekturën Loudon, Virginia.
Në garë ishin Buta Biberaj e cila fitoi 52,303 vota (49.5%), dhe kandidatja Nicole Wittmann e cila mori 50,218 (47.5%).
Buta Biberaj vjen nga familja shqiptaro-amerikane Biberaj nga Tropoja e cila në Washington njihet për gjurmët pozitive dhe arritjet e shumta të anëtarëve të saj në fusha të ndryshme, jo vetëm në komunitetin shqiptaro-amerikan, por edhe në jetën e përditshme amerikane, në përgjithësi, sidomos në fushën e biznesit, politikës, gazetarisë dhe tani edhe drejtësisë.
Ajo ka zgjedhur profesionin e avokates dhe gjyqtares, pra drejtësinë, duke i kushtuar jetën dhe veprimtarinë e saj fushës në të cilën ajo është e gatshme të kontribuojë edhe më shumë në vitet e ardhshme, shkruan “gazeta express”.
Buta Biberaj, për disa muaj tani, ka zhvilluar një fushatë mbresëlënëse për këtë post, duke siguruar edhe mbështetjen e gazetës “The Washington Post”, dhe përkrahjen e shumë personaliteteve të politikës dhe drejtësisë amerikane, përfshir edhe ish-Prokurorin e Përgjithshëm të Shteteve të Bashkuara, në administratën e Presidentit Obama, Eric Holder.