Kryediplomati shqiptar, Ditmir Bushati reagoi sot lidhur me situatën politike të krijuar në Kosovë.
Në një postim në rrjetin social “Facebook”, Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati shkruan: “I shqetësuar nga precipitimi i situatës politike në Kosovë. Kosova gjendet përballë sfidave të mëdha të shtet-ndërtimit demokratik e konsolidimit të subjektivitetit juridiko-ndërkombëtar”.
Kësisoj, nënvizon Bushati, e ka të nevojshme kultivimin e dialogut dhe frymës së mirëkuptimit, larg eksperimentimit e polarizimit të tejskajshëm në retorikë dhe veprime.
Partitë e opozitës në Kosovë bllokuan sërish sot seancën e parlamentit në shenjë kundërshtimi ndaj marrëveshjeve me Serbinë dhe asaj për shënimin e kufirit me Malin e Zi.
Deputetët e partive opozitare hodhën sërish gaz lotsjellës në sallën e mbledhjeve të parlamentit duke bërë të pamundur fillimin e saj.