Akte dhune nga të burgosurit ndaj gardianëve të burgut të Peqinit. Report Tv ka mësuar se dy punonjës policie të burgut janë dhunuar nga të burgosurit.
Në të dyja rastet, të dënuarit, mes të cilëve një i dënuar me burg përjetë, janë transferuar nga ky burg.
Rasti i parë raportohet të ketë ndodhur dy muaj më parë kur një punonjës policie në burg E.Balla, banues në Peqin, është dhunuar rëndë nga një i burgosur nga Fieri, Klodian Koçi i dënuar me burgim të përjetshëm.
Gardiani i burgut ka përfunduar me fraktura në trup dhe ka marrë kujdes mjekësor. Dhunë ndaj tij ka ushtruar edhe i dënuari tjetër i quajtur Ervis Lulushi.
Ndërsa rasti i dytë është një tjetër polic, E.Dushku, i cili është goditur për të disatën herë nga të burgosurit. Në të dyja rastet Report Tv mëson se të burgosurit janë transferuar në burgjet e tjera.