Një muaj para ndeshjeve të rëndësishme eliminatore, përzgjedhësi i Kosovës, Albert Bunjaki, dhe ai i Shqipërisë, Gianni de Biasi, kanë zgjedhur vend të njëjtë për të vëzhguar lojtarët e tyre.
Bunjaki, të premten mbrëma, ishte në Split në ndeshjen mes Hajdukut dhe Istras, ndërsa De Biasi të shtunën qëndroi në Zagreb ku përcolli ndeshjen mes Lokomotivas dhe Osijekut.
Dy ndeshjet i takuan kampionatit të Kroacisë në futboll dhe u fituan nga skuadrat vendase, përkatësisht nga skuadrat ku luajnë futbollistët e dy përzgjedhësve, shkruan “Koha Ditore”.
Me gjasë ishte vetëm rastësi që dy përzgjedhësit zgjodhën Kroacinë për të vëzhguar lojtarë në këtë fundjavë. Bunjaki në Split qëndroi për të vëzhguar mbrojtësin 20-vjeçar Ardian Ismajli.
Hajduku, skuadra e famshme kroate, pati punë të lehtë, duke fituar 4:0. Ismajli në lojë hyri në fillim të pjesës së dytë në vend të lojtarit nga Kavaja, Hysen Memolla. Ismajli luajti si mbrojtës i djathtë dhe nuk pati shumë punë. Ai është në pritje të debutimit te Kosova.
Është grumbulluar për ndeshjen me Finlandën, ndërsa më pas pësoi një lëndim që e mbajti gjatë jashtë fushës. Pritet të ftohet për ndeshjen e 24 marsit ndaj Islandës… (b.an)
