Për ata që lexojnë komunikatat që nxjerrin institucionet kryesore të shtetit, në lidhej me takimet e ndryshme që kanë titullarët e tyre, nuk mund të mos bjerë në sy një qasje aspak dinjitoze që përdor Presidenca e Republikës. Rregullisht nga ky institucion vijnë njoftime dhe komunikata për takimet që presidenti Nishani ka me homologë, kryeministra, ministra apo zyrtarë të tjerë të lartë nga bota, të cilët nuk figurojnë askund në tekstin e komunikatave zyrtare.
Një rast i tillë ka ndodhur edhe sot, me ministrin e jashtëm të Greqisë Nikos Kotzias. Në komunikatën që po botojmë të plotë më poshtë, presidenti Nishani “deklaron, shprehet, ripërsërit, ve në dukje, ngre shqetësimin, përcjell përshëndetje”, ndërkohë që ministri i jashtëm grek nuk është askund. Asnjë qëndrim i tij, asnjë deklaratë, asnjë frazë apo fragment fraze. Një pasqyrim aspak korrekt ky nga ana e Presidencës së Republikës, prej ku rezulton në mënyrë të përsëritur së kryetari i shtetit tonë ka qenë i vetëm në takime, pa asnjeri përballë.
Ja teksti i plotë i komunikatës:
“Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Bujar Nishani, priti sot në një takim Ministrin e Punëve të Jashtme të Republikës së Greqisë, Nikos Kotzias, i cili po zhvillon një vizitë në Shqipëri, në kuadrin e një turi në disa prej vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor.
Biseda u përqendrua rreth zhvillimeve të fundit në Greqi, marrëdhënieve dypalëshe si dhe bashkëpunimit rajonal.
Presidenti Nishani theksoi se po ndjek me vëmendje zhvillimet në Greqi, dhe se shpreson që kjo situatë e vështirë të kapërcehet sa më shpejt. Duke vlerësuar rëndësinë e kësaj vizite për intensifikimin e dialogut dhe marrëdhënieve mes dy vendeve, Kreu i Shtetit evidentoi rëndësinë që ka avancimi i mëtejshëm i bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Greqisë, dhe zgjidhja e të gjitha çështjeve që qëndrojnë në agjendën e ngjeshur dypalëshe.
Presidenti i Republikës u shpreh se Shqipërinë dhe Greqinë i lidh fqinjësia, miqësia mes popujve si dhe partneriteti strategjik, përfshirë aleancën në kuadër të NATO-s. Ndër të tjera, ai theksoi se komuniteti shqiptar në Greqi dhe minoriteti grek në Shqipëri, ndërlidhja e shumëfishtë ekonomike, etj, përbëjnë ura shumë të forta të lidhjeve mes dy vendeve. Presidenti Nishani vuri gjithashtu në dukje progresin që ka bërë vendi ndër vite, dhe se tashmë të gjitha përpjekjet janë drejtuar kah procesi i integrimit në Bashkimin Europian, dhe në këtë kontekst ai vlerësoi mbështetjen që Greqia i ka dhënë Shqipërisë në këtë proces.
Duke u ndalur në çështjet e agjendës dypalëshe, Presidenti Nishani ripërsëriti kërkesën për abrogimin e Ligjit të Luftës në Parlamentin grek, ku edhe pse palët kanë rënë dakord se përbën një absurd e nulitet politik, ai mbetet një akt ligjor i pashfuqizuar.
Duke vlerësuar vullnetin e mirë dhe zgjidhjen e çështjes së toponimeve, Kreu i Shtetit theksoi se po kjo frymë pozitive që buron edhe nga Traktati i Fqinjësisë së Mirë dhe Bashkëpunimit mes dy vendeve tona, duhet reflektuar në të gjitha çështjet e hapura të agjendës sonë dypalëshe. Në këtë kontekst, Presidenti ngriti dhe shqetësimin e komunitetit çam në lidhje me mohimin e të drejtave të tyre, përfshirë ato pronësore, në përputhje me të drejtën ndërkombëtare, por edhe duke konsideruar se kjo do të çlironte energji tejet pozitive në marrëdhëniet mes dy vendeve.
Lidhur me bashkëpunimin rajonal, Presidenti i Republikës theksoi se Shqipëria është e interesuar për forcimin e paqes dhe stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe do të vijojë të jetë e angazhuar dhe me përkushtim të japë kontributin e saj në dobi të fqinjësisë së mirë dhe bashkëjetesës mes të gjitha vendeve e popujve të rajonit. Presidenti Nishani e vlerësoi si një shenjë shumë të mirë dhe pozitive vizitën e Ministrit të Jashtëm të Greqisë në Kosovë, duke mirëpritur dhe hapjen së afërmi të Zyrës së Kosovës në Athinë.
Presidentit Nishani përcolli përshëndetjet e përzemërta e miqësore për Presidentin Pavlopoulos, si dhe shprehu kënaqësinë për tri marrëveshjet e nënshkruara sot në Tiranë, të cilat demonstrojnë vullnetin e mirë të ndërsjelltë për të forcuar marrëdhëniet mes dy vendeve tona.”