Shtetasve gjermanë me vendqendrim në Britaninë e Madhe u duhet të presin me muaj për rinovimin e pasaportave të tyre. Ndërkohë britanikët kërkojnë me këmbëngulje nënshtetësi gjermane.
Kur Till Bruckner kërkoi të rinovonte pasaportën, ai pati një surprizë jo të këndshme. Bruckner, i cili jeton në Londër, pas aplikimit në 27 korrik për rinovimin e pasaportës, mori përgjigje se Ambasada Gjermane e priste në 3 nëntor.
Ambasada Gjermane në Londër bën të ditur se nevojiten 4-6 javë që të printohet pasaporta. “Duke llogaritur edhe kohën e dërgimit në Britaninë e Madhe, kjo do t’i kishte vënë pikëpyetje kalimit të Krishtlindjeve në Gjermani”, i tha Bruckner DW.
Shumë gjermanë të tjerë që jetojnë në Britaninë e Madhe kanë pasur vonesa të ngjashme muajt e fundit. Një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme gjermane konfirmoi se koha mesatare e pritjes për një takim në Londër aktualisht është dy deri në tre muaj. “Numri i kërkesave është shtuar dukshëm pas 23 qershorit 2016”, i tha zëdhënësja DW.
Pas votimit pro largimit të Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, numri i shtetasve britanikë që aplikuan për nënshtetësi të tjera evropiane u rrit në mënyrë të jashtëzakonshme. Gjermania dhe Irlanda janë vendet nënshtetësinë e të cilave e dëshirojnë më shumë britanikët. Ambasada e Irlandës dhe zyra të saj morën 4.000 kërkesa për të marrë nënshtetësinë irlandeze të hënën pas referendumit. Numri i zakonshëm i aplikuesve është 200 në ditë.
Ambasada britanike në Londër u tha reporterëve se javën e parë pas referendumit, pati 200 kërkesa në ditë për të marrë nënshtetësinë gjermane, një rritje dhjetëfishore e kuotës normale prej rreth 20 aplikimesh në ditë. Megjithëse vërshimi fillestar i aplikimeve ra, gjatë gjithë verës ka vazhduar një ritëm prej 100 kërkesash në ditë. Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme gjermane i thotë edhe DW se shtetasit gjermanë lajmërohen gjashtë muaj para skadimit të pasaportës që ta rinovojnë, dhe se aplikimet e shpejta janë të mundura në raste urgjente.
Aplikimet britanike
“Unë vendosa të aplikoj për nënshtetësi sepse nuk dëshiroj të ndodhem pezull politikisht në sajë të Brexit”, thotë Michael Brochberger, një britanik i martuar me një gjermane dhe që ka jetuar në Gjermani që prej vitit 2013. Janë disa rrugë, përmes të cilave një britanik mund të kualifikohet për të marrë nënshtetësinë gjermane. Më e thjeshta është kur aplikuesi ka të paktë një prind gjerman. Alternativa është që të jetosh për një kohë të caktuar në mënyrë të vazhdueshme në Gjermani dhe të kalosh testin e gjuhës gjermane dhe të marrjes së nënshtetësisë, të ngjashëm me testin për marrjen e nënshtetësisë në Britaninë e Madhe.
Gjermania gjithashtu ofron nështetësi me procedurë të posaçme për pasardhësit e hebrenjve gjermanë, që u arratisën në Britaninë e Madhe për t’i shpëtuar persekutimit nazist. Ambasada e Gjermanisë në Londër ka pasur një numër të madh aplikimesh të tilla kohët e fundit. “Gjyshja ime u arratis nga nazistët, por për fat të keq unë nuk isha në gjendje të tregoja dokumentacionin e nevojshëm”, i tha Sarah Leigh, një rezidence e Londrës Deutsche Welles.
Blochbergeri konstatoi se ai nuk kishte nevojë të kalonte tetë vjet qendrimi në Gjermani që të merrte nënshtetësinë gjermane. “Meqenëse jam i martuar prej dy vjetësh dhe kam tri vjet që jetoj këtu, unë kualifikohem për marrje të përshpejtuar të nënshtetësisë”, i tha Blochbergeri Deutsche Welles.
DW/d.i.