Jashtë parlamentit, por jo jashtë politikës. Ish deputetja demokrate Majlinda Bregu vjen në një rrëfim mbi aktualitetin politik dhe zhvillimet në Partinë Demokratike. Ajo flet për përjashtimin e saj nga familja politike ku u formua, të rinjtë brenda PD-së dhe procesin e integrimit.
Keni qenë ministre Integrimi dhe mbajtët peshën kryesore për përgatitjen e paketës integruese të Shqipërisë në BE, të heqjes së vizave me BE dhe elementë të tjerë suksesi. Si ka mundësi që nga Lulzim Basha, kryetar i PD-së nuk u shikuat si e vlefshme për të qënë pjesë e listave të kandidatëve për deputetë të PD në zgjedhjet e 25 qershorit?
Se di pyesni Lulzim Bashën për shpjegim. As ai nuk është në gjendje të gjejë arsye,besoj.
Bashkë me ju, jashtë listave mbeten Topalli, Patozi, Imami etj. Mendoni se pesha e PD dhe e grupit parlamentar të saj ka rënë me largimin e figurave kryesore të saj?
Sigurisht që e mendoj se ka rënë pesha e grupit parlamentar, sepse politikan nuk të bën një mandat deputeti. Politikani ose një njeri që merret me politikë ka dy elementë kryesorë për të qenë i suksesshëm. E para, të ketë grintën politike, pra dëshira për të bërë politikën dhe, e dyta, të dijë dhe të kuptojë se çfarë do të thotë politika e mbajtja e fjalës, e cila në fakt sot nuk mund të jetë ajo që bëhej në ’91.
Kur nisi “thyerja” e marrëdhënieve tuaja me Lulzim Bashën dhe pse një strategji përjashtuese funksionoi në partinë e parë opozitare që rrëzoi komunizmin?
Nuk jam thyer me Lulzim Bashën. Unë nuk isha banore e shtëpisë se Bashës. PD është shtëpia jonë e përbashkët. Nuk kam qenë dakord me ato çka ka bërë ai gjatë këtyre viteve dhe për formën të cilën mori Partia Demokratike, e cila nga një nga dy partitë më të mëdhaja në vend përfundoi siç përfundoi në zgjedhjet e fundit parlamentare, në një parti që ka rezultatin më të keq historik gjatë gjithë viteve që prej themelimit të saj.
Mendoni se Sali Berisha kishte dijeni dhe mund të parandalonte largimin e gati 90 përqind e kryesisë së PD nga listat e kandidatëve për deputetë?
Nuk më intereson kjo pjesë.
Ka zëra kundër, kritikë, platforma për largimin e Bashës dhe reformimin e PD. Ju si ish ministre, ish anëtare kryesie, ish deputete dhe kontributore e fortë në sukseset e PD në tetë vitet e qeverisjes, çfarë propozoni që PD të dalë nga kriza?
Kam folur kaq shumë gjatë gjithë këtyre viteve sa do të doja t’i jepja vetes mundësinë për të qenë pak më e tërhequr për të dhënë këshilla. Kam përshtypje se, për hir të një intuite shumë nga gjërat që ndodhin, jo vetëm unë por shumë nga miqtë e mi që mund të mos jenë fare në strukturat drejtuese të PD-së, njerëz, qytetarë që ndjekin politikën e kanë kuptuar shumë mirë që PD sa vinte dhe po dobësohej. Në formatin që është dhe në rrugën që po ndjek nuk më duket se ka asnjë shans për t’u rimëkëmbur.
Pjesën tjetër pastaj, strukturat e Partisë duke filluar nga kryetari që është mesa duket struktura fuqiplote e Partisë Demokratike, deri tani nuk i kam parë ndonjë shenjë që të flasë për shëndoshje, Kryetari ka mundësi dhe po të dojë t’i begenisë këtë rradhë forumet dhe pastaj të fillojnë diskutimet se si mund të bëhet Partia Demokratike më e fortë, por jo me procese farsë dhe teatrale.
Si e vlerësoni koalicionin e PD me LSI?
I vetmi koalicion që i duhet Partisë Demokratike është të kthejë besimin tek vetja dhe të mbajë koalicionin me qytetarët.
Jeni kontributore dhe partizane e integrimit dhe hapjes së negociatave. Mendoni se Shqipëria mund të përfitojë vitin e ardhshëm nga vendimi i BE dhe sa ndikon lobimi kundër i Lulzim Bashës?
Uroj shumë. Nuk besoj se ka lobim kundër, që të jem e sinqertë. Nuk them se ka një lobim kundër çeljes së negociatave. Opozitës i takon që të jetë kritike për detyrimet që qeveria plotëson ose nuk plotëson. Dhe dua ta theksoj këtë pjesë që të shmang çdo lloj keqintepretimi. Fatmirësisht Shqipëria nuk ka asnjë forcë politike të deklaruar kundër procesit të antarësimit të Shqipërisë në BE. Sigurisht që ka retorika, ka individë politikë që kanë më shumë qejf të bëjnë lojë të dyfishtë dhe të bërtasin, sesa të realizojnë dhe plotësojnë detyrimet e tyre. Ka një të vërtetë që PD duke qenë se e ka nisur procesin, nuk e nisi procesin gjatë këtyre viteve, por nisi të bënte realitet planin e shqiptarëve për ta bërë Shqipërinë si e gjithë Europa, ka një përgjegjësi të madhe politike për të qenë tërësisht e qartë në qëndrimin për procesin e çeljes së negociatave të antarësimit.
Është një gjë tjetër të sulmosh dhe të kritikosh qeverinë dhe është një gjë tjetër të mendosh, (që për mua është tërësisht gabim, dhe këtë e kam dëgjuar edhe nga kolegë në PD), se çelja e negociatave mund të japë 1 pikë në favor të qeverisë aktuale.
Unë besoj se procesi nuk mund të shihet si një proces përfitimesh për partitë apo për individët, por si një proces që politika ja ka detyrim qytetarëve shqiptarë, kështu që uroj dhe shpresoj shumë që të ketë një lloj bashkëpunimi real të të gjithë aktorëve për të bërë të mundur që pas 6 muaj të çelen negociatat. Shpresoj shumë që 6 mujori i ardhshëm të jetë, ose qershori i ardhshëm më saktë, si data më e afërt dhe më e mundshme për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Është jetike për Shqipërinë që të mos ngelet në një fazë stanjacioni. Është një fazë jetike për politikën shqiptare që të ketë mundësi që të monitorohet, por nga ana tjetër edhe të zbatojë ato standarde politike, pra të kriterit politik, të cilat nëpërkëmbën çdo ditë.Është jetike për biznesin shqiptar, që të kenë mundësi që të çelen negociatat sepse ka tjetër qasje, tjetër siguri, një vend me negociata të hapura dhe një vend i cili mbetet në një perspektivë të errët antarësimi, sikurse mund të jetë ngecja në statusin e vendit kandidat.
Është jetike për për administratën shqiptare, studentët shqiptarë, është jetike për shoqërinë civile, është jetike për median dhe ko vetëm.
Unë them largqoftë sikur në qershor të ndodhë që të mos kemi çelje negociatash sepse nuk do të doja kurrë që të shihja Shqipërinë dhe jo vetëm Shqipërinë, por kombin shqiptar në rajon si më të prapambeturin në procesin e antarësimit drejt BE dhe nuk do të doja kurrë që procesin e negociatave sot për sot në Ballkanin perëndimor në BE të jenë vetëm vendet sllavo –folëse. Pa patur asnjë dëshirë për t’u fryrë nacionalizmave, por shqiptarët janë faktor stabiliteti dhe paqeje dhe për të gjitha arsyet e meritojnë dhe është e domosdoshme për sigurinë tonë sot e nesër, çelja e negociatave në qershor.
Për të mbërritur deri aty ka edhe gjashtë muaj provë, e cila do të jetë si një luftë mes zjarreve dhe luftë për zjarrin. Nuk ka për të qenë i lehtë dhe ky 6 mujor. Shpresoj shumë që në qershor të kemi një gëzim për të ndarë e jo një sherr të ri.
“Lufta” nisi që me Prokurorin?
Do të shohim se si do të vijojë. Kryeprokurori i përkohshëm ka një mandat të kufizuar, nëse do të zgjidhet kryeprokurori i përhershëm. Shpresoj të jetë një proces në shinat e ligjit, por njëkohësisht edhe ku të lexohet përgjegjësi politike e vullnet për të mos penguar drejtësinë drejt reformimit.
Si i komentoni skenat e dhunshme në parlament?
Për mua ishte një nga ditët më të shëmtuara dhe të trishtuara të këtij fundviti.
A mendoni se mund të ketë ndonjë kompromis të madh mes mazhorancës dhe opozitës thjeshtë për hir të integrimit?
Do të uroja shumë që të kishte një konsensus politik siç ka ndodhur në çdo vend tjetër që ka kaluar në këtë rrugë dhe ku dëshira për të folur dhe për të realizuar detyrimet për Shqipërinë të jetë më e madhe sesa dëshira për të qëndruar në pushtet apo kohëzgjatja e mandatit të një individi, qoftë ky kryeministër apo kryetar partie politike.
Parlameti është mbushur me të rinj që ende nuk kanë përfunduar studimet. Çfarë mesazhi keni për to?
Suksese në rrugën e tyre! Nuk më takon të gjykoj për vendimin që merr një individ që është adult. Unë nuk do të doja dhe nuk do të preferoja që fëmijai m të fillonte dhe t’i kalonte ditët para pjekurisë dhe të rinisë në sallën e Parlamentit shqiptar për më tepër për formën që ky parlament ka marrë sot me gjithë respektin për institucionin. Po flas për përbërjen dhe për mënyrën se si zhvillohet debati ,për etikën me të cilën komunikohet dhe për nxënien në përgjithësi,qoftë edhe për mënyrën që arrin të shprehësh mendimin.
Nuk më duket vendi më i mirë për të nisur ditët e para të pjekurisë tënde në sallën e parlamentit shqiptar. Sot për sot. Megjithatë është vendimi i gjithësecilit dhe nuk mund të ndërhyj për jetën e askujt, por po aq sa është e vërtetë që në politikë nuk quhesh dot i ri vetëm nga mosha dhe nuk është se gjithmonë të rinjë në moshë ose shumë të rinjtë në moshë kanë mundësinë apo aftësinë për tëmarrë përgjegjësi më të mëdha përsipër apo për të arritur dhe formuluar mendime shumë të mira. Ju e shihni çdo ditë të enjte dhe gjithë ditët e tjera të javës në rast se ju duket se Parlamenti është aula më e mirë e mendimit jo vetëm politik, por edhe për të diskutuar për problemet e tjera të jetës së përditshme atëherë i bie që të jem unë gabim dhe ndonjë tjetër që mendon si unë, por kam frikë se kam të drejtë.
Nga emrat e rinj në Partinë Demokratike, do të veçonit dikë që spikat?
Nuk dua që të bëj të ndjehet as mirë dhe as keq asnjëri prej tyre në rast se do të përdorja ndonjë emër. Ndonjëri do të ndjehej ligsht se mbase nuk i vjen mirë të përmendet dhe nuk e di se ç’raporte ka pastaj me kryetarin e partisë, mund t’i vijë edhe keq po të lavdërosh ndonjërin prej tyre se mund t’i duket sikur I bën një lidhje afatshkurtër dhe mund t’i prish punë më tepër po të përmend:)) Ka individë të cilët i shoh se kanë aftësi për të qenë politikisht nesër të rritur edhe të pavarur. D.m.th. të pavarur që mund të bëjnë një lëvizje që nganjëherë të vlerësojnë dhe t’i bëjnë të besojnë edhe më shumë tek vetja. Pra nuk është aq dramë situata në rast se do të sillja ndër mend të rinjtë që janë pjesë e familjes politike, jo domosdoshmërisht ata janë në parlament, por sigurisht që ka të rinj që kanë dëshirë dhe kanë aspirata që të vazhdojnë të merren me politikë.
Po në sallën e Parlamentit?
Ky është gjykim i publikut. Unë nuk jam as mësuesja e tyre as nuk kam pse të jem kritizere e qëndrimeve të tyre. Kam qëndrimet dhe mendimet e mia personale dhe vlerësimet e mia, por duke pasur parasysh mbështetjen e madhe që PD ka patur, kishte absolutisht mundësinë për të patur figura shumë të mira brenda grupit parlamentar.
Cili është personazhi në politikën shqiptare që merr vlerësimin maksimal nga ju?
Ka një problem shumë të madh politika shqiptare nuk ka krijuar dot modele të qarta lidershipi. Një nga gjërat që më vjen keq, të paktën pas kaq shumë viteve në shoqërinë shqiptare, jo vetëm në politikë, është pikërisht kjo, mungesa e modeleve të qëndrueshme, mungesa e modeleve reale të cilat përtej atyre që sjell spektakli përtej atyre që vijën nga bota e modës janë modele apo shtyllë për të cilat një shoqëri për të shkuar përpara ka nevojë.
S’ ka përse modeli yt duhet të jetë një politikan apo një njeri që merret me politikë, pasi modeli yt mund të jetë edhe një mësues, prindi, një afërm i yti që ja del një sfide në jetë, por ne si shoqëri në përgjithësi vrasim modelet që inspirojnë dhe ky është një proces vetvrasje i përsëritur. Sot shoqëria shqiptare është në një krizë të thellë, pasi mediokriteti gati po mbizotëron në çdo fushë dhe kudo,dhe nuk mund të bëjë përjashtim këtu edhe politika. Për më tepër që mënyra me të cilat ne i ngopim njerëzit është vetëm politikë, ku media nuk jeton dot në asnjë moment pa lajme politike. Madje po qeshja një ditë se në faqen e murit të një pallati projektohej një kanal tv lajmesh dhe ata brenda lokalit nga xhami shihnin lajmet si shkrime te shenjta mbi mur pallati. Dhe po mendoja, po c’kuptim ka të prishësh sytë për të lexuar përmes xhamit nje TV të projektuar në mur? Pse duhet, kur njerëzit mund t’i shohin lajmet në shtëpi?!
Pra ne jetojmë dhe jemi mbytur gjatë gjithë kohës nga presioni që sjell lajmi politik, ndërkohë që jeta ka edhe ngjyra të tjera përveç ngjyrës së politikës. Këtë e shoh realisht me shqetësim, sikurse shoh po me aq shqetësim, që pas aq shumë lëvizjeve dhe përpjekjeve për t’i dhënë një mundësi grave në shoqërinë shqiptare për t’u ndjerë më mirë shumë kanë përfituar, por modelin e lidershipit nuk e gjejnë dot kollaj.
Jemi në një model rrëmujë, të dalë kush të dali, të bëjë intriga, të bëjë thashetheme, nëqoftëse e ke konkurent mundësisht porosit nja 4 portale, që gjithë ditën që të shkatërrojnë imazhin e atij që nuk do dhe në një shoqëri me një traditë tonën deri diku të gjatë me një dëshirë për të gërmuar për tjetrin, shpeshherë i fryjmë vetë i kthejmë në mite dhe legjenda urabane gënjeshtrat që sajojmë, apo ato që na pëlqejnë.
E gjitha kjo në kurriz të respektit për veten dhe tjetrin duke rrënuar kështu cdo tullë të vendosur me mund në zhvillimin e përshtatjen e shoqërisë shqiptare me vlerat dhe antivlerat. Njoh plot vajza të reja që kanë qejf, kanë dëshirë, vullnet për t’u angazhuar, por janë të stepura nga seksizmi dhe nga frika se dikush do t’i pengojë. Ne jemi perfektë në retorikë, ne mund të bëjmë 50% të kuotave në kodin zgjedhor për gra, ne mund të kemi nivelin më të lartë të pedagogëve në universitet, vajzat mbarojnë shkollën me rezultate më të larta ne nuk kemi diferenca në pagë, por kur vjen puna në nivelin e lartë të vendimarrjes, sidomos në respektin për të promovuar figura të qëndruesheme, jo gra që nisin dhe ngrysin ditën duke u dridhur nëse i pëlqyen apo jo shefit të tyre apo më keq kryetarit të partisë, por që të kenë individualitetin apo personalitetin e tyre për të mos dështuar me veten e tyre, kjo kthehet në sfilitje.
Për gratë vazhdoj të them se politika mbetet në sakrificë e pabërballueshme ndonjëherë.
Tashmë jashtë parlamentit, cilat janë angazhimet tuaja?
Kam sa të duash angazhime përveç angazhimit që po më kënaq më shumë, që është familja ime dhe shpia ime, për të tjerat…
Je shprehur se ke mbetur edhe pa rrogë…?
Realisht pa rrogë sepse nuk firmosim në bordero, por kjo nuk ishte arsyeja për të bërë viktimën dhe për të më qarë hallin, se ka njerëz me 1001 halle më shumë se unë dhe e përballojnë jetën me të vërtetë me vështirësi, por nuk ka të bëjë me atë. Ka të bëjë me dëshirën dhe vullnetin për të përshtatur veten dhe për të mos ndërprerë karrierën, pavarësisht vendimit absurd të dikujt tjetër. Normalisht po të ishim në një vend ku të kishim vendosur disa rregulla demokratike që të funksiononin nuk do të guxonte dikush që t’i ndërpriste karrierën politike dikujt tjetër me një vendim personal, siç ndodhi në rastin e Partisë Demokratike me listën e Lulzim Bashës.
Ky do të ishte mendimi i fundit që mund të mendohej për një parti demokratike, e cila ka lindur me idenë për të respektuar mendimin e lirë dhe fjalën e kundërt dhe njëkohësisht për të respektuar individët dhe për të marrë vendime kolegjiale dhe jo vendimet e një njeriu dhe të Njishit. Që të ndodhë në 2017 me partinë e cila këto kishte si baza të themelit të saj mendoni se çfarë katastrofe është skema politike në Shqipëri në përgjithësi.
Dua të qetësoj ata që janë shqetësuar edhe të nxeh ata të cilëve iu bë qejfi,mos të ma qajnë hallin se unë nuk kam lindur në ditën e parë në politike. Politikën e dua, por rsspektin e dua më shumë. Ndaj ia kam dhënë vetes mundësinë për t’u rritur profesionalisht pak më shumë për të mos u ndjerë keq nesër kur të mos merresha me politikë ose të mos isha e punësuar në politikë siç jam sot./Pamfleti.com
a.ç