Pedagogu Zylyftar Bregu ka deklaruar në emisionin “3D” se kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha e përdor këtë forcë politike për interesat e tij.
Ai theksoi se Berisha po bën sjellje politike që nuk janë as demokratike dhe as elektorale.
“Fakti që Sali Berisha zotëron Partinë Demokratike, nuk kërkon shumë argumente sepse Berisha e dorëzoi Partinë dhe e rimori. Nuk po themi pronën e vet por e ka të vetën. Përderisa e ka të vetën përse e bën këtë sjellje që nuk është as demokratike, përjashton njerëzit, nuk respekton strukturat etj., as elektorale”, u shpreh Bregu.
Sipas tij, Shqipëria po shkon drejt zgjedhjeve lokale të vitit 2027 dhe Berisha bën veprimet jo vetëm aspak demokratike, dhe jo elektorale, por që nuk janë as rezultative.
“Ne po futemi në garën e zgjedhjeve lokale që një lider bën veprime që në mos demokratike të jenë elektorale.
Të mos jetë filtër ky proces por të jetë me dyer të hapura që të hyjë kush të mundet. Në logjikën që nuk është as demokratike, as elektorale dhe as rezultative hajde të diskutojmë pse e bën Berisha këtë gjë. Këtu futemi në një rreth dhe kthehemi në një fillim kur z. Berisha tentoi ta merrte partinë”, tha Bregu.
Ai shpjegoi se Berisha i bën këto veprime pasi e përdor Partinë Demokratike për “hallet e veta” dhe jo për të sjellë “demokratët në pushtet”.
“Tentoi ta merrte për të sjellë demokratët në pushtet apo për të zgjidhur hallet e veta. Mua më duket dhe logjika na çon që Berisha do Partinë Demokratike se i duhet atij, jo se do të sjellë demokratët në pushtet. Logjikën e ka kundër, veprimet që është duke bërë nuk na çojnë në ndonjë rezultat pozitiv po themi, unë mendoj se z. Berisha i duhet ajo parti, i duhet disiplina në atë parti, dhe nuk është se e vret mendjen shumë që demokratët të vijnë në pushtet”, nënvizoi më tej Bregu.











