Bota e futbollit është në ankth për Pele. Ish sulmuesi brazilian, 77 vjeç është shtruar në spital të enjten në mëngjes pasi i kanë rënë të fikët, duke qenë i detyruar në këtë mënyrë të anulojë një udhëtim që kishte programuar për në Londër.
‘Në orët e para të mëngjesit të së enjtes, Peles i kanë rënë të fikët dhe është dërguar me urgjencë në spital, në Brazil, ku ka bërë një sërë analizash.
Ai do të mbetet akoma nën mbikëqyrjen e mjekëve, por për fat deri tani nuk bëhet fjalë për diçka serioze’, ka thënë në një njoftim FWA ” Football Writers Association.
Mosha kalon për të gjithë, edhe për futbollistin më të fortë të të gjitha kohërave. Në vitet e fundit shëndeti i tij është përkeqësuar dhe O’Rey është shtruar shpesh herë në spital. Futbollisti brazilian ka probleme me prostatën dhe veshkat, si dhe ka bërë një ndërhyrje kirurgjikale në kolonën vertebrale.
Daljet e tij në publik janë gjithmonë e më të rralla. Dalja e fundit publike ishte disa ditë më parë në prezantimin e kampionatit karioka ku është prezantuar në skenë me një mbështetëse pas operacionit në shpinë.