Bora Muzhaqi është një e re e cila pasi ka studiuar jashtë në universitetet më të mira në Britani, është kthyer në Shqipëri për të dhënë kontributin dhe dijen e saj në shërbim të vendit. është një vajzë me shumë energji dhe me një pasion të dukshëm për të bërë punë dhe ka zgjedhur të atashohet pranë Partisë Socialiste si vendi i duhur e cila sipas saj ka qënë gjithmonë një forcë politike e hapur për idetë e reja dhe përfshirjen e të rinjve profesionistë pranë saj.
Për të njohur më shumë Borën, vizionin e saj dhe çfarë ajo premton e beson nën siglën e PS, më poshtë po ju sjellim intervistën e saj, dhënë ekskluzivisht për Lexo.al.
Përfaqësoni një gjeneratë të rinjsh të mirëarsimuar jashtë vendit. Pas studimeve të gjimnazit në Kembrixh dhe më pas studimeve të larta në London School of Economics, zgjidhni të ktheheni dhe punoni në Shqipëri. Pse kjo zgjedhje?
Bora: Do të me pëlqente shumë nëse pyetja një ditë do të bëhet – Pse vendose të ikësh në Angli, dhe jo pse u ktheve. Shpesh e dëgjojmë këtë, ‘c’pate që u ktheve’ dhe më vjen keq.
Nuk e mohoj që bota ka universitete elitare, të cilat janë rezultate i një pune qindra vjeçare dhe sigurisht që jam shumë pro mundësisë së të rinjve për t’u shkolluar jashtë nëse kjo është dëshira e tyre. Megjithatë, kjo duhet parë si një investim në veten e tyre, të cilin më pas do dëshiroja që t’a kthejnë në Shqipëri. Këto nuk janë fjalë boshe, thënë nga dikush që nuk e ka kaluar vet dicka të tillë. Unë jam e rrethuar me njerëz të tillë, me njerëz që kanë studjuar jashtë, në Evropë apo SHBA, dhe sot janë në Shqipëri. Ashtu, siç janë dhe shumë të tjerë të cilët kanë studiuar brenda vendit, dhe sot po ashtu janë jo vetëm të sukseshëm në profesionin e tyre, por edhe një vlerë e shtuar për vëndin tonë.
Thelbësor në marrjen e vendimit për t’u kthyer ishin prindërit e mi. Ata kanë investuar në këtë vend, punojnë fort çdo ditë dhe besojnë që Shqipëria ka mundësi dhe potencial. Dhe unë njësoj si ata, dua të investoj në vëndin tim. Unë jam kthyer në Shqipëri në shtatorin e vitit 2013, që përkoi me përfundimin e studimeve të mia por edhe me thirrjen e Kryeministrit Rama, që të rinjtë të kthehen në Shqipëri. E mora shumë personale këtë thirrje dhe vendosa të kthehem, ndaj edhe në 2013 nisi karriera ime profesionale në një nga kompanitë ndërkombëtare më të mëdha private të konsulencës me zyra në Tiranë. Karrierë e cila ka vijuar për 7 vite duke filluar në PëC, më tej në EY, dhe së fundmi si konsultente e jashtme për BERZH, përzgjedhur për të qënë pjesë e ekipit të Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes.
Pas kthimit dhe eksperiencave tuaja të para në Shqipëri, mendoni që janë përputhur pritshmëritë tuaja në raport me atë se cfarë Shqipëria i ofron brezit tuaj?
Bora: Kthimi në Shqipëri patjetër që ishte sfidues, pas shumë vitesh jashtë. Megjithatë unë zgjodha sfidën e rritjes profesionale dhe qytetare në vendin tim, dhe kjo zgjedhje nuk ka qenë përherë e lehtë, por nga ana tjetër jam ndier gjithmonë në paqe me veten për t’u rikthyer dhe fatmirësisht, pjesa më e madhe e kolegëve dhe bashkëpunëtorëve më kanë vlerësuar profesioanalisht. Mund të them që ka qenë një kombinim mes formimit tim akademik, aftësive profesionale por sigurisht edhe fatit, falë të cilëve kam arritur të krijoj atë udhën time të vogël në Shqipëri. Me pak fjalë, nuk jam penduar në asnjë moment që jam rikthyer dhe mendoj që kam ditur t’i shrytëzoj mirë mundësitë që më janë dhënë.
Përsa i përket pritshmërive për brezin tim, mendoj se jemi një brez që karakterizohemi nga vullneti dhe dëshira e mirë për të punuar, ambicioz për të arritur sa më shumë me karrierën tonë. Mendoj se prindërit tanë na kanë ngulitur edukatën për punën dhe na kanë mësuar se pa përpjekje dhe këmbëngulje nuk arrihen pikësynimet e larta që i vendosim vetes. Megjithatë në ndryshim nga prindërit tanë, ne na kanë lënë të lirë të zgjedhim rrugën tonë. Na kanë mësuar se ne mund të arrijmë çdo endërr e dëshirë, duke punuar fortë, e duke mos u dorëzuar.
Prandaj, unë jam shpresëplot se brezi im, të rinjtë, janë e ardhmja e Shqipërisë, një brez i rritur gjatë tranzicionit të Shqipërisë, që kemi parë botën dhe kuptuar se si e duam Shqipërinë tonë, e me këmbëngulje do investojmë në këtë vënd, për ta bërë më të mirë për veten dhe për brezin e ardhshëm. E them këtë me bindje të plotë, sepse takoj përditë të rinj që i kanë këto karakteristika, që punojnë në heshtje dhe lënë rezultatet të flasin. Këta janë shembulli në fakt dhe këta janë e ardhmja.
Ju jeni diplomuar në ekonomi dhe keni punuar me problematikat e sipërmarrjes dhe biznesit. Si e keni parë ju klimën e raportit mes sipërmarrjes së lirë dhe mbështetjes që ajo pret nga shteti shqiptar? Si mund të fuqizohet edhe më tej kjo marrëdhënie?
Bora: Karriera ime ka qënë ngushtësisht e lidhur me sipërmarrjet gjatë këtyre 7 viteve, dhe siç jam rritur unë profesionalisht, kam parë se edhe bizneset Shqiptare janë rritur, e bashkë me to edhe institucionet janë bërë më të forta dhe më të drejta, duke ju përshatur të gjithë zhvillimit të njëri-tjetrit. Gjatë viteve në kompanitë Big 4 kemi hasur shumë sfida me tatimet, doganat, inspektoriatet dhe vetë ministritë, por mendoj se i kemi bërë krah dhe kemi krijuar një klimë më të mirë biznesi. Mund të them që krahasimisht me 7 vite më parë, të paktën për aq sa unë mund të flas me bindje, ka dukshëm një tjetër klimë dhe marrëdhënie mes biznesit dhe shtetit. Sigurisht që nuk është një fushë e lehtë, por rëndësi ka që situata të vijë gjithmonë e në përmirësim, e jo të bëhen hapa pas.
Ndërkohë gjatë dy viteve të fundit si këshilltare e jashtme pranë Ministrisë për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kemi takuar vërtet shumë përfaqësues biznesesh, vendas dhe të huaj, dhe kemi ndërmarr hapa konkret për t’ja lehtësuar ‘jetën’.
Ndoshta nëse nuk ke një biznës, kjo tingëllon si retorikë, por jam e bindur që nëse pyesni këto biznese për kohën që ju është kursyer falë dixhitalizimit të procedurave, asnjëri prej tyre nuk do t’a mohojë. Ndërkohë me anë të rrjetit të koordinatorëve të dedikuar për biznesin, u kemi dhënë vëmendje problematikave të tyre, duke i adresuar problematikat sipas rëndësisë që ato kanë për bizneset. Me anë të këtij rrjeti si dhe me zyrën e Ministrit të Shtetit për Mbrojtjen e Sipërmarrjes, kemi krijuar ura komunikimi të vazhdueshme, duke ndërtuar një frymë bashkëpunimi, ku biznesi përcjell te institucionet edhe zgjidhjet e propozuara për problematikat e tyre. Në këtë mënyrë, i kemi kthyer biznesit zërin, dhe mundësinë për t’u dëgjuar.
Është kënaqësi të dëgjosh nga bizneset sesi sfidat e tyre ndër vite kanë ndryshuar, dhe dikur aplikimet digjitale ishin të panjohura, por tashmë çdo procedurë kryhet online, dhe bizneset njësoj si ne kërkojnë edhe më shumë, të ecim edhe më shpejt. Dhe këto ura komunikimi dhe bashkëpunimi duhet të forcohen edhe më shumë, qeveria mund të mësojë shumë nga biznesi dhe duke dëgjuar dhe implementuar propozimet e bizneseve ne mund të përmirësojmë edhe më tej klimën e biznesit, dhe të tërheqim edhe më shumë investime të huaja direkte. Është një proces i ndërsjelltë shkëmbimi idesh dhe ‘të mësuarit’ nga njëri-tjetri. Duke kuptuar cfarë ka rëndësi për t’a, edhe politikat që krijohen ju përshtaten më mirë dhe sigurisht që edhe biznesi është më i kënaqur.
Keni të gjithë backgroundin dhe eksperiencën e nevojshme, ndonëse në moshë të re, për të patur një karrierë të suksesshme profesionale. Pse vendosët kaq herët që të kaloni në politikë si kandidate e partisë socialiste?
Bora: Gjatë gjithë këtyre viteve në eksperiencën time profesionale, karriera ime në mënyre graduale është drejtuar gjithmonë e më shumë drejt kontributit në fushën politike. Kjo edhe për shkak se unë nuk e shikoj politikën si në qëllim në vetvete por si një mjet për të ndikuar në përmirësimin e klimës së biznesit në Shqipëri, si dhe për të promovuar politikat për rininë. Mendoj se hapi për t’u bërë kandidate erdhi nga dëshira për t’u bërë pjesë aktive e vendimmarrjes dhe politikëbërjes në Shqipëri, si dhe për t’u ofruar të rinjve një përfaqësues të zërit të tyre në parlament. Një shtysë drejt këtij vendimi ishte ftesa e kryeministrit dhe kryetarit të Partisë Socialiste për të gjithë ata profesionistë të angazhuar ose jo me partinë socialiste që kishin dëshirën dhe vullnetin për t’u bërë pjesë e qeverisjes së vendit të tyre të aplikonin.
Dhe unë, si përfaqësuese e brezit tim, mendova se ishte një thirrje të cilës kisha detyrimin t’i përgjigjesha për të dhënë dhe unë kontributin tim modest për Shqipërinë që unë besoj është e ardhmja jonë. Për të kontribuar për vëndin tënd mendoj se është gjithmonë koha e duhur, dhe sot më shumë se kurrë ka nevojë që brezi im të përfshihet aktivisht në vendimarrje, duke këmbëngulur e duke luftuar për vendin tonë, jo nga kafenetë apo nga divanet e shtëpisë duke u ankuar, por nëpërmjet çdo hapi që ndërmarrin në karrierën apo jetën e tyre. Hapi i parë i rëndsishëm që duhet të ndërmarrin të gjithë të rinjtë është që me 25 prill të shprehin vullnetin e tyre për kë dëshirojnë që të qeverisë vendin, me anë të votës së tyre.
Si e keni parë ju qasjen e partisë socialiste dhe qeverisjes së saj ndaj të rinjve profesionistë si ju dhe cfarë kontributi do të donit të jepni ju përmes politikës për të adresuar nevoja që lidhen me këtë target grup?
Bora: Partia Socialiste ka qënë gjithmonë një forcë politike e hapur për idetë e reja dhe përfshirjen e të rinjve profesionistë pranë saj. Hapja e një platforme si Deputeti që Duam ku u ftuan të aplikonin të gjithë ata që donin të ishin pjesë e partisë socialiste, ishte një format shume meritokratik, ku janë përzgjedhur shumë të rinj profesionistë, të cilët nuk kanë patur angazhime të mëparshme politike, por edhe shumë të tjerë me angazhime aktive politike. Unë jam krenare dhe e privilegjuar që jam një nga të që përfaqësojnë rininë në partinë socialiste. Jam edhe më krenare që janë shumë të tillë, kudo nëpër qarqe, jo vetëm në Tiranë, që vijnë nga eksperienca të suksesshme profesionale dhe mund të ofrojnë kontributin e tyre për vendin.
Prej 2 vitesh tashmë, në rolin tim si këshilltare e jashtme e BERZH jam angazhuar aktivisht me projektligjin për startup-et inovative, masat mbështetëse dhe zhvillimin e mëtejshëm të këtij sektori që lidhet ngushtësisht me inovacionin dhe teknologjinë. Ky është një projekt që unë e kam përzemër, dhe do doja që të ishte vetëm fillimi i mbështetjes ndaj sektorëve të ekonomisë që prekin në mënyrë të drejtpërdrejtë të rinjtë. Një tjetër projekt lidhet me ata që quhen ‘nomadë digjital’ persona të cilët punën e tyre nuk e kanë të lidhur me një vend apo zyrë, por punojnë kudo në botë, sidomos në vende me natyrë të bukur. Do të doja shumë që Shqipëria të bëhej një destinacion tërheqës për ta, ndihmuar me politika nxitëse dhe lehtësuese.
Megjithatë unë dua që kontributi im kryesor të lidhet me kërkesat e të rinjve, prandaj që nga momenti që u përfshiva si pjesë e Partisë Socialiste, e kam ndarë kohën time me të rinjtë, duke organizuar evente, apo duke takuar të rinj që kanë dëshirë të shprehin idetë e tyre. Më shumë se për ti treguar për veten, jam përpjekur të kuptoj se çfarë kërkesash dhe nevojash kanë ata. Mendoj se detyra kryesore e çdo politikani është të përcjelli zërin e atyre që përfaqëson, dhe unë dua që të luftoj dhe shtyj para çdo nismë që përmirëson jetën dhe perspektivat për të rinjtë në Shqipëri. Unë dua që të gjithë të rinjtë, njësoj si unë ta shohin Shqipërinë si të ardhmen e tyre.
Përse Bora Muzhaqi do të ishte një vlerë e shtuar në Kuvendin e Shqipërisë dhe për politikën shqiptare? Përse e kërkoni këtë mundësi nga votuesit e Qarkut Tiranë?
Unë vërtet kandidoj si Bora në këto zgjedhje, por ndërkohë jam pjesë e një ekipi, dhe si e tillë nuk do të isha pjesë e skuadrës së Partisë Socialiste nëse nuk do të besoja tek programi që ofron. Sfidat kryesore për të cilat ne duhet të vijojmë punën janë vaksinimi dhe rindërtimi, proçese të nisura ku është bërë një punë shumë e mirë, por që duhet t’i vazhdojmë me të njejtin hap edhe më tej. Mendoj se u ofroj qytetarëve një profil të ndryshëm, dhe ndonëse nuk bëj premtime të mëdha, të cilat dyshoj se mund t’i mbaj, unë premtoj veprime konkrete për të cilat jam e sigurt që do jem në gjëndje të përgjigjem në të ardhmen.
Nëse unë do të arrij të jem pjesë e parlamentit, do të kem një faqe online ku çdo qytetar i Qarkut të Tiranës një ditë në javë do mund të rezervojë 15 minuta për t’u takuar dhe për të diskutuar bashkë problematika, kritika apo edhe fjalë pozitive për punën time. Besoj se ata që kanë punuar me mua e dinë kulturën time të punës dhe sa e vlerësoj përgjegjësinë e përfaqësimit. Shpresoj që edhe ata që nuk më njohin t’a kuptojnë. Unë e shoh rolin në administratë si një rol në shërbim të qytetarëve dhe të tillë e kam trajtuar për dy vite. Nëse do të kem fatin të jem në Parlament, patjetër që do të ndjek të njëjtën linjë. Në parlament do doja të shkoja me nisma konkrete që vijnë nga qytetarët, për të shfrytzuar maksimalisht të drejtën e çdo deputeti për të propozuar nisma ligjore. Prandaj gjatë kësaj periudhe motoja e takimeve të mia është “Ju lutem flisni, e unë mbaj shënime”. Pa dashur të keqkuptohen lexuesit, unë nuk mendoj që jam rastësisht në këtë pozicion profesional, janë vite investim në edukim dhe vite të tjera pune për të bërë atë ndryshim sado të vogël në fushën time profesionale, ndaj edhe nuk mendoj që karakteri apo botëkuptimi im do të fillojnë të ndryshojnë tani.