Deputeti socialist Erjon Braçe ka postuar para pak minutash një koment për propozimin e Sali Berishës për të mbajtur një minutë heshtje për 20 vjetorin e masakrës së Srebrenicës.
“Eshtë hera e fundit që çohem në këmbë në kuvend prej Sali Berishës. Sot ai ngriti në këmbë kuvendin. Tha se e bënte në nder të viktimave të Srebrenicës.
Muslimanët e mirë dhe jo vetëm të Srebrenicës do ti nderoja pa diskutim në çdo rast. Por ishte e turpshme që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë ta bëjë këtë prej Sali Berishës.
Madje është neveritëse. Sali Berisha është ish Presidenti që u akuzua për thyerje të embargos së OKB në ndihmë të regjimit serb në luftë e masakra atë kohë.
Kishte partner në tregtinë e karburanteve Slobodan Miloshevic, Mumir Bullatovic, Radovan Karaxhic, me këtë të fundit ngjan edhe pa fund. Sali Berisha është i akuzuari i madh për rrëmbimin, torturimin, vrasjen dhe zhdukjen e një shqiptari të mirë si Remzi Hoxha, thjesht pse ai u vu në dijeni të kësaj marrëdhënieje.
Sali Berisha të tregojë ku janë eshtrat e tij. Atje në Srebrenicë varret masive u hapën dhe eshtrat u gjetën, Sali Berisha nuk e bëri prej 20 vitesh nuk e bën, duke mbajtur peng në dhimbje një familje të tërë shqiptarësh të mirë.
Ndaj as që çohem në këmbë prej një keqbërësi si Sali Berisha”, shkruan Erion Braçe në profilin e vet në Facebook.









