Deputeti socialist, Erion Braçe, e quan të papranueshme situatën e krijuar pasditen e sotme në Prishtinë, ku policia arrestoi deputetin e Vetëvendosjes, Albin Kurti.
Në një postim të tijin në Facebook, Braçe shkruan se është i papranueshëm arrestimi i një deputeti që nuk vjedh, nuk korruptohet e nuk vret.
“Pamje të tmerrshme këto që po shoh para selisë së ‘Vetëvendosjes’ në Prishtinë!! Kur policia hyn brenda selisë së një partie ky natyrisht që është fundi!! Nuk do të bie dakord ndonjëherë me ato që kanë ndodhur brenda në Kuvendin e Kosovës. Nuk i pranoj dhe as mendoj se janë zgjidhje për problemet politike e shtetërore atje. Por, nuk do të pranoj kurrë që policia të marrë një parti, të arrestojë në seri djem e vajza të një partie për politikë! Nuk do të pranoj kurrë që të arrestohet një deputet që nuk vjedh, nuk korruptohet, nuk vret! Kujtoja se koha kur politikanët apo cilido tjetër për bindjet e tij dërgohet në burg, kish marrë fund. Por jo, paska kohë ende, është koha e Prishtinës”.