Situata në Lindjen e Mesme ka arritur në një pikë kritike pas ultimatumit të fundit të Presidentit Donald Trump drejtuar Iranit. Ndërsa kriza në Ngushticën e Hormuzit po paralizon tregjet globale, Uashingtoni dhe Teherani kanë shkëmbyer kërcënime të drejtpërdrejta për goditjen e infrastrukturës civile dhe energjetike, duke ngritur alarmin për krime të mundshme lufte dhe një kolaps ekologjik në rajon.
Ultimatumi 48-orësh i Uashingtonit
Presidenti Trump, përmes një mesazhi në rrjetet sociale, i ka dhënë afat Teheranit deri të martën në mesnatë për të rihapur plotësisht Ngushticën e Hormuzit për të gjitha anijet. Në të kundërt, SHBA ka kërcënuar se do të “shkatërrojë” termocentralet kryesore të Iranit.
Objektivi është infrastruktura civile, duke filluar nga centralet më të mëdha elektrike.
Ambasadori në OKB, Mike Waltz, deklaroi se Garda Revolucionare përdor këtë infrastrukturë për të fuqizuar përpjekjet e luftës.
Nga ana tjetër ekspertë ligjorë dhe senatorë demokratë e kanë cilësuar shënjestrimin e objekteve civile si një “krim lufte”, pasi ligjet ndërkombëtare ndalojnë sulmet që shkaktojnë dëme të shpërpjesëtuara ndaj popullatës.
Teherani përgjigje “sy për sy” në të gjithë rajonin
Irani ka reaguar menjëherë duke paralajmëruar se çdo sulm mbi rrjetin e tij elektrik do të pasohet me goditje ndaj infrastrukturës energjetike në të gjitha vendet e Gjirit ku SHBA ka interesa ose baza ushtarake.
Kërcënimi iranian vë në shënjestër impiantet e desalinizimit (shndërrimit të ujit të kripur në të pijshëm) dhe centralet bërthamore në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Arabi Saudite.
Gjatë 24 orëve të fundit, mbrojtja ajrore në Abu Dhabi, Riad dhe Kuvajt ka kapur disa raketa balistike dhe dronë të lëshuar nga Irani.
Pasojat ekonomike dhe humanitare
Konflikti ka shkaktuar një tronditje që tejkalon krizat e naftës të viteve ’70. Çmimi i naftës së papërpunuar Brent ka arritur në 112 dollarë për fuçi, një rritje prej 55% që nga fillimi i luftimeve më 28 shkurt.
Ministria e Shëndetësisë e Iranit raporton mbi 1,500 të vdekur, ndërsa në Liban sulmet izraelite kanë vrarë mbi 1,000 persona dhe kanë zhvendosur 1 milion të tjerë.
Bursat globale mbeten në territor negativ për shkak të pasigurisë për furnizimin me energji, pasi përmes Hormuzit kalon 1/5 e naftës botërore.
Një strategji pa plan daljeje?
Kritikët e Presidentit Trump, përfshirë senatorët Murphy dhe Markey, argumentojnë se kalimi nga diplomacia te kërcënimet për shkatërrim të infrastrukturës civile tregon një “panik” dhe mungesë të një plani të qartë. Nga ana tjetër, Komanda Qendrore e SHBA (CENTCOM) këmbëngul se fushata po eliminon aftësitë e Iranit për të rindërtuar ushtrinë në të ardhmen.
Bota pret skadimin e afatit të martën, ndërsa çmimet e karburanteve në mbarë botën pritet të pësojnë rritje të reja në ditët në vijim.











