Nga Artur Ajazi
Prej 10 ditësh nga SHQUP-i, si nga nëntoka po dalin vetëm ulurima rrënq ethëse, vetëm këshillat si të Doktor Adhamudhit, vetëm akuza, drejtime dhe sygjerime duke mos harruar për asnjë rast, PPP. Një ish-opozitë e ç’organizuar në mënyrën më të organizuar, merret vetëm me PPP. Asnjë fjalim, asnjë dalje para “popullit” asnjë takim me banorë që presin të rehatohen në banesa sa më parë, nuk nis me premtime dhe bashkëpunime me qeverinë dhe ndërkombëtarët, për të tejkaluar me urgjencë pasojat e katrahurës, por merren vetëm me PPP. Duket si një “merak” i madh i atyre që janë jashtë Parlamentit dhe i ndonjërit prej tyre, që është sot opozitar i ri në atë sallë. Të gjithë në atë sallë që përfaqësojnë Lulzimin e PD, merren me PPP, dhe të gjithë jashtë asaj salle merren sërish me PPP.
A thua se, sa ishin në pushtet nuk e bënë lëmsh vendin, bregdetin, tokën dhe nëntokën, arsimin dhe biznesin, a thua sa ishin në pushtet e lanë “pas dore” konçesionin, aferën dhe fitimin që mbushte xhepat e tyre dhe oligarkëve të tyre. Boll u morët me PPP, o “baballarët e kombit”, o ju pushtetarët e SHQUP-it, boll u morët me luftë dhe beteja pa fitore, se ka njerëz që janë në hallin e madh, se kanë mbetur pa shtëpi dhe katandi, se ka njerëz që nuk ngopin barkun me bukë kur ju firmosni rrogën e majme çdo muaj, veç të tjerave. Boll u morët me PPP, duke bërë qelibarin, sepse ju nuk keni hallin e “milionave të harxhuara” por e mbani mëndjen tek pushteti, keni hall se mbeteni bosh pasi të harxhoni thesin.
Këto kanë qenë dhe janë llogaritë tuaja, që kanë nisur qysh ditën e parë kur erdhët në pushtet në 2005, dhe vazhduan edhe kur ikët nga pushteti në 2013. Boll u morët me PPP, o “baballarët e kombit”, o ju që “dergjeni së gjalli” për hallet e miletit, mjafton tu shikosh pallatet, vilat dhe milionat në banka. Një ish-opozitë që nuk reagon të paktën pozitivisht tani, kur gjithë bota është ngritur në këmbë dhe po ndihmon përzemërsisht Shqipërinë, merret me PPP. Një ish-opozitë që shikon se si gjithë bota vjen edhe pa njoftuar në Shqipëri, me grupe shpëtimi, logjistikë dhe donatorë, për të lehtësuar hallexhinjtë e mbetur jashtë, merret sërish me PPP. Një ish-opozitë që del në ekrane, që shpif dhe zihet edhe me gazetarë duke i quajtur “të blerë”, ndërkohë që duhej të ishte pranë atyre hallexhinjve që po ngrysen dhe po gdhihen në hotele dhe çadra, apo mbledhjet e Komitetit të Rindërtimit të zonave të prekura nga tërmeti, merret vetëm me PPP.
Duket sikur gjithë ish-opozita e vjetër, PD, LSI, LZHK, dhe ndonjë tjetër kryetar pensionist që jep “detaje” se si zgjidhet situata emergjente, jeton dhe mendon për PPP, pa e ditur se shqiptarët i kanë fshirë nga memorja. Boll u morët me PPP o “baballarët e kombit”, o pensionistët e politikës së vjetër, keni mbetur mbrapa, shumë mbrapa, aq sa duhen dekada të mbërrini stacionin, se trenin nuk e kapni kurrë më.