Gjergj Bojaxhi ka reaguar sot në lidhje me kërkesën e mazhorancës drejtuar KQZ ku kërkohet shtyrja e afatit të regjistrimeve.
Sipas kreut të partisë “Sfida për Shqipërinë”, KQZ po merr atributet e Kuvendit duke ndryshuar Kodin Zgjedhor.
Bojaxhi ka kritikuar edhe ndërkombëtarët duke u shprehur se ata po heshtin teksa shohin sesi thyhet Kushtetuta dhe ligjet në Shqëpëri.
Deklarata e plotë:
Në një akt të paprecedentë të thyerjes së Kushtetutës dhe kodit zgjedhor, Partia Socialiste dhe aleatja e saj Lëvizja Socialiste për Integrim i kanë kërkuar KQZ-së që të shtyjë afatin për regjistrimin e koalicioneve partiake si subjekte zgjedhore dhe sikurse pritet në një veprim dhe vendim vasaliteti politik Denar Biba dhe 3 anëtare të tjerë të KQZ-së pritet t’i thonë “po” urdhërit politik të shumicës së majtë që po vendos interesat partiake mbi interesat e Shqipërisë dhe qytetarëve.
Në këtë akt vetëm për t’i dhënë legjitimitet politik zgjedhjeve KQZ po merr atributet e Kuvendit të Shqipërisë Shqipërisë duke ndryshuar kodin zgjedhor kur detyra e saj është të administrojë një proces zgjedhor jo të rregullojë ose ndryshojë kodin zgjedhor. Dy standarde po ndjekin edhe ndërkombëtarët që heshtin kur shohin sesi thyhet kushtetuta dhe ligjet në Shqipëri. Sfida për Shqipërinë e denoncon me forcë këtë akt të rrezikshëm anti-shtet, anti-kushtetues dhe diktatorial.
Sfida për Shqipërinë do ta ndjekë ligjërisht dhe do ta apelojë këtë vendim të parapërgatitur dhe të para votuar të KQZ-së për të shtyrë afatin e regjistrimit të subjekteve zgjedhore në KQZ.










