Shqiptarët që luajnë në Itali janë me shumicë, por dikur krenoheshim vetëm me Erjon Bogdanin. Ish-sulmuesi shtatlartë i Kombëtares shqiptare kujton edhe një herë me nostalgji vitet e arta të karrierës së tij duke zbuluar ofertat e ndryshme që mori nga Napoli dhe Roma. Ai jep mendimin e tij mbi Hysajn dhe Rashicën, ndërsa tregon mbrojtësit më të fortë me të cilët është përballur. Kjo është intervista e tij për “CalcioNapoli24”:
Jeni martuar me një vajzë nga Salernitana. Flisni italisht me theks tani…
Është e vërtetë që ndihet pak, sepse po jetoj në Salerno, por nuk qëndroj shpesh në shtëpi. Lëviz për shkak të impenjimit me Kombëtaren shqiptare.
Keni ardhur në Itali që kur ishit fëmijë. Mund të na tregoni pak për udhëtimin tuaj?
Për këtë punën e udhëtimit është përfolur shumë dhe janë shkruar gjëra të pavërteta. Familja ime ka pasur gjithmonë kontakte me Paolo Keseren, famullitarin e Kastelamares, i cili ndihmonte fëmijët e varfër në Shqipëri. Ai dëshironte të na merrte në Itali dhe u përqendruam në Kastelamare. Ishim edhe në Romë e Xhenova, pastaj u riktheva në Shqipëri sepse doja të studioja. Nuk është e vërtetë që kam kaluar moment të vështirë në atë kohë, ishte thjesht 1 muaj pushim.
Edhe ju, ashtu si Marko Rog, keni kaluar në skuadrën e Dinamos së Zagrebit. Aty lindin shumë talente. Cili është sekreti i kësaj skuadre?
Është një skuadër që punon shumë me të rinjtë dhe përgatit të ardhmen. Në Kroaci punohet shumë me futbollistët e rinj dhe nuk është çudi që vlera e kartonit të tyre është shumë e lartë. Dinamo ka furnizuar shumë skuadra me lojtarë, të cilët po shkëlqejnë në Itali dhe Angli.
Pastaj u transferuat te Rexhina dhe në sulm luanit me Stelonen. E mendonit që ai do të bëhej një trajner kaq i mirë?
Jo. Nuk e mendoja kurrë që do të ishte trajner, sepse ka qenë shumë humorist në dhomat e zhveshjes. E takova përpara një viti në Tiranë kur erdhi për një miqësore dhe me të kam raport shumë të mirë. Kur luanim bashkë kuptoheshim shumë mirë në fushën e lojës. Jemi miq të mirë.
Po nëse ju them Leandro Rinaudo?
Ai është pjesë e familjes sime, i kalojmë pushimet bashkë çdo vit. Është miku më i mirë që kam pasur.
Kaluat vetëm një sezon te Salerno, por gjetët bashkëshorten tuaj…
Është një skuadër e mirë dhe ka një ambient të zjarrtë për futbollin. Jetohet pak a shumë si në Napoli. Një skuadër e tillë meriton të luajë gjithmonë në Serinë A.
Nga Salerno shkuat te Verona dhe shënuat 17 gola. Si e pritën tifozët këtë transferim?
Te Salerno pësova një dëmtim, por në atë kohë kartonin tim e zotëronte Rexhina. Kërkoja një skuadër për të nisur gjithçka nga e para dhe shkova te Verona që në atë kohë luante në Serinë B. Nuk vendosa unë për këtë transferim, por Rexhina. Për këtë fakt tifozët nuk patën ndonjë reagim të keq.
Pas Veronës shkuat te Siena, në atë kohë quhej një “degë” e Juventusit.
Shënova shumë gola me Veronën dhe Siena në atë kohë ishte një skuadër shumë prestigjioze. Kishte shumë lojtarë të Juventusit në atë skuadër që nuk luanin në Torino për shkak të konkurrencës. Kishte lojtarë si Gastaldelo, Tudor, Paro dhe Legrotalie. Ishte skuadra B e Juventusit.
Mutu, Eder, Kandreva, Iakuinta. Ishte një Çezena spektakolare në Serinë A.
Ishte edhe Parolo në atë vit dhe bëmë një kampionat të shkëlqyer. Të tjerët na shihnin si ekip i vogël, por ne u hapëm punë të mëdhave. I vumë në vështirësi. Xhakerini ishte i njëjti gjithmonë dhe vraponte si i çmendur. Është një lojtar shumë inteligjent sepse vrapon kilometra pafund.
Na tregoni pak për aventurën me Kievon.
Kishim shumë pak pikë dhe unë firmosa një kontratë 3-vjeçare në janar. Ishte një sfidë e bukur për mua, edhe pse e dija që mund të përfundoja në Serinë B. Doja të bëja gjithçka për të shpëtuar. Bëmë një fazë të dytë të mrekullueshme, por në ndeshjen e fundit humbëm dhe nuk arritëm të mbijetonim. Kur ramë në Serinë B, bëra përgatitjet me Kievon. Në atë kohë pata shumë kërkesa nga ekipet e Serisë A, madje edhe nga Roma. Në fund vendosa të huazohesha te Livorno, sepse Kievo s’ma paguante do rrogën.
Aktualisht jeni pjesë e Kombëtares shqiptare. Hysaj meriton të jetë kapiten?
Kam një raport të shkëlqyer me Hysajn, por jo vetëm. Ai është një lojtar shumë i talentuar. Në fushën e lojës duket si një veteran. Është rritur shumë në lojë dhe qëndron gjithmonë me këmbë në tokë. Disa gjëra të vështira i bën të duken shumë të thjeshta.
Jeni dakord me klauzolën që do t’i vendosin në kontratë?
Janë gjëra që i vendos klubi i Napolit, por nëse i bën kontratat me klauzola është shumë mirë.
Sot do të luhet ndeshja mes Napolit dhe Kievos. Do ta shihni?
Po, do ta shoh. Kam parë ndeshjen që bëri Napoli në Champions, pastaj atë me Palermon dhe Bolonjën. E ndjek gjithmonë, sepse më pëlqen shumë mënyra se si luan skuadra e Sarrit. Loja që bën ai i ndihmon shumë sulmuesit dhe për këtë fakt është duke shkëlqyer edhe Milik. Napoli duhet ta falënderojë Sarrin.
Nuk i keni shënuar kurrë Napolit. Çfarë kujtimesh keni ndaj kësaj skuadre?
Është e vërtetë që nuk i kam shënuar, por kam dhënë asiste. Kur Napoli ishte në Serinë B dhe unë luaja me Rexhinën, arritëm të fitonim 3-1 dhe unë dhashë dy asiste.
Është përfolur shpesh se ju mund të transferoheshit te Napoli. Keni qenë ndonjëherë afër?
Napoli më kërkonte dhe më ka telefonuar shpesh, por unë në atë kohë luaja në Serinë A. Nuk mund të shkoja te Napoli edhe pse e mendoja shpesh diçka të tillë. Vij shpesh në Napoli dhe shoh lidhjen e fortë që ekziston mes tifozëve dhe futbollit.
Është një tjetër shqiptar që ka hyrë në orbitën e Napolit. Bëhet fjalë për Rashicën.
Është e vërtetë, ka qenë shumë pranë Napolit. Ishte pjesë e Kombëtares shqiptare. Është një lojtar shumë i mirë dhe i rëndësishëm. Agjenti i tij ka luajtur me mua dhe shumë skuadra janë duke e ndjekur tani.
Kush është mbrojtësi që ju ka vënë më shumë në vështirësi?
Kanavaro, Turam, Nesta, Stam, Maldini, Kostakurta, Samuel dhe Kordoba. Kolumbiani ishte shumë i shpejtë dhe shpërthyes, dhe kërcente shumë lart, ashtu si Kanavaro.
Po lojtari më i fortë me të cilin keni luajtur?
Janë shumë. Kam luajtur me Pirlon te Rexhina. Godiste me një lehtësi marramendëse. Në fillim luante si fantazist afër sulmuesit, ndërsa më vonë luajti përpara mbrojtjes. Te Breshia arriti shpërthimin.