Ben Blushi thyen heshtjen, dhe rikthehet sërish të kritikojë kreun e Partisë Socialiste Edi Rama. Në një shkrim të tij në gazetën “Panorama”, Blushi hedh kritika të ashpra ndaj kryeministrit për qëndrimin e mbajtur pas ndeshjes me Serbinë.
Sipas tij, të gjithë kanë dalë të humbur nga ajo ndeshje, ndërsa Rama duket sikur ka dalë i fituar dhe këtë e tregon me mburrje.
“Ai mori përsipër suksesin mbi harbimin nacionalist dhe na la ne të tjerëve tentacionin nacional të gabimit. Ai tha se, nëse nuk do të ishte për meritën e tij, ne do të kishim dalë nga kafazi dhe do t’i kishim shqyer serbët duke ua hedhur kockat në Shkumbin. Ja pra që e ka bërë detyrën. Dhe ja pse duhet të jetë në detyrë: për të na qetësuar, për të na ndryshuar, për të na mbrojtur nga tërbimi që kemi në gjak.
I ka rënë fatkeqësia të drejtojë një vend të marrësh, të cilët po mbahen në zap me vështirësi të mëdha që bota duhet t’ia njohë si meritë. Ndërsa ne, si punë. Edi Rama doli si gjykatës i etikës sonë kombëtare. Ai nuk u mburr për ne. Ai u mburr për vete. Ai u soll si një zbutës kombesh.
Nëse bota nuk ka njohur një të tillë, ja ku është. I veshur, i qethur dhe i ngjeshur siç mund të ishte çdo zbutës pasi del nga cikru ku i duhet të punojë. Por, megjithatë unë nuk besoj se e ka bërë me qëllim. Nëse kjo që po them mund të duket ngushëlluese, në fakt nuk është.
Edi Rama nuk na ka ulur ne. Ai ka dashur të ngrejë veten. Nuk është pra një mision, është një zakon. Por gjeti ditën më të keqe për të na kujtur diçka që e dimë.
Dhe meqë gjeti ditën më të keqe, ditën e humbjes, bëri punën më të rëndomtë që dikush mund të bëjë në një stadium. U mburr me humbjen”, shkruan Blushi për Panorama.









