Kritika të forta ka lëshuar Deputeti socialist Ben Blushi gjatë fjalës së të djeshme në një panel shkrimtarësh, në lidhje me një sërë problematikash me të cilat përballen shqiptarët. Deputeti socialist ka shtuar po ashtu se nuk mund të përballojë për shumë gjatë këtë vijë politike që po ndjek qeverisja aktuale, duke paralajmëruar në njëfarë mënyre se opsioni i largimit nga politika është i mundshëm.
“Duhej t’i kishim rezistuar më shumë të keqes, kjo do të na forconte identitetin e do të na jepte një shpirt qëndrese, që koha provoi që nuk e kemi në masën që duhet ta kemi. Sot që flasim jemi përballë varfërisë, korrupsionit, brutalitetit, padrejtësisë, pabarazisë, integrimit, emigracionit, injorancës. Dhe nëse ka një popull në Europë që ka arsye mos t’i pëlqejnë shumë gjëra jemi ne, sepse nuk vidhet asnjë popull siç vidhemi ne, është e provuar me fakte”, u shpreh Blushi i ftuar në një panel shkrimtarësh gjatë Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë “Deti i Bardhë II” organizuar në Tiranë.
Ndërsa u pyet se pse mungoi për një kohë të gjatë në Parlament, Blushi tha se këtë e bën për të refuzuar këtë politikën e ndjekur nga qeveria.
“Politika është një art kolektiv, ti luan me të tjerët. Unë e kam të vështirë. Kam vendosur të mos e bëj më. Kjo mund të më nxjerrë mua jashtë loje, por, më mirë si spektator i kënaqur, sesa një sportist i dështuar për shkak të të tjerëve. Mos prisni që unë të bëhem një politikan kauboj që të mbaj kapele në Parlament.
Doni që unë të jem me pistoletë që të zihem më kollaj?! Doni të vras ca njerëz me pistoletë që të më mbajnë në Parlament?!” “Nuk kam shkuar në Parlament si refuzim. Ky Parlament i orëve të fundit është i rëndë për t’u mbajtur.
Nuk mundem, ndaj kam zgjedhur të shkruaj e të mendoj. Dua të bashkëjetoj me letërsinë sa të mundem. E gjitha kjo që ndodh bëhet me miratimin e popullit. Është fatale se si pajtohemi me këtë situatë! Më vjen shumë keq që ikin, por i justifikoj të gjithë.
Për deputetin dhe shkrimtarin Blushi, ikja në masë e shqiptarëve për të emigruar në vendet e Bashkimit Europian është e papranueshme, sepse do të shkaktojë braktisjen e vendit.
“Kjo është e papranueshme, sepse nëse 40 mijë veta ikin për 6 muaj, do të thotë që një qytet më i madh se Pogradeci të mos ekzistojë më. Në fakt, tani që jemi në tetor, janë bërë 100 e ca mijë zyrtarisht. Një gjë që kam thënë muaj më parë ishte se a mendojmë ne nëse kjo ikje vazhdon, çfarë perspektive ka ky vend, dhe, në fund të fundit, kush do t’i punojë tokat tona. E beson dot që pas 30 vjetësh, nga 2 milionë që jemi sot këtu të jenë 1 milion?”, u shpreh Blushi në këtë takim.