Nga Shpëtim Nazarko*
Po vija në punë sot(dje), si çdo mëngjes. Nga çadra buçiste zëri i Bashës që premtonte, në emër të Republikës së re, se ai do të vendoste një pension minimal 250 mijë lekë. Pastaj përmendi ca shifra të tjera deri në rrezen e dëgjimit tim, aty prapa Kuvendit të Republikës, ku dhe punoj. Ishin shifra që ilustronin fuqinë e Republikës së re, një term ky që ka nja ca kohë që ka zënë e po përdoret shpesh dhe nga ca të tjerë që, në zhargonin tim, i quaj letrarë të dështuar.
Në redaksi nuk është e thënë të shpëtoj nga numrat. Po hap gazetat dhe shoh të parën gjë që Blushi kishte hyrë në ca llogari të thjeshta. Ne jemi 80 vota në Parlament dhe këtu fuste dhe të vetat. Rama ka vetëm 60. I bëjmë mocion mosbesimi atij dhe fap e rrëzojmë. Pasi të bëjmë këtë, i kemi realizuar të gjitha… qeveri teknike etj., etj.
Pa shpëtuar mirë nga këta numra, një mik i vjetër po më thoshte se nja njëzet mijë veta kanë bërë gati të prishin zgjedhjet në Kavajë dhe Rama nuk ka nga t’ia mbajë. Do të dorëzohet shpejt dhe do ia mbathë. Se ç’ndodh pastaj, nuk më dha ndonjë shpjegim, por cfarë rëndësie ka!
Përtoj të flas dhe nuk mund t’i them se në shtatorin e vitit ’98, ngjau një gjë e padëgjuar veçse në legjendat tona. Kryengritësit e 14 shtatorit kishin pushtuar televizonin shtetëror dhe në vend të tij trasmentonte TV Shijak. Sigla ishte e njëjtë, TVSH ishte shtetëror dhe TVSH ishte tjetri. M’u kujtua Haxhi Qamili që thoshte dikur se nuk më duhet bota kur kam Kavajën, apo Shijakun. Profecia e tij ishte realizuar për disa orë dhe vërtet ajo që ngjau mund të jetë e denjë për ato subjektet gjeniale të Kadaresë. Po a është vërtet punë numrash Blushi a Bashe kjo histori? Megjithëse e di që nuk i kanë, ia vlen vërtet të mendojmë ca gjëra të tjera…
Numrat e Blushit dhe Bashës më risollën në mend Hose Raul Kapablankën e madh, që e adhuroj. Kubani 23-vjeçar gjenial, që sapo kishte hyrë në rrethin e të mëdhenjve të shahut, po ndeshej me teoricienin më të madh të shekullit, që në fillim të turneut kishte kundërshtuar si një gjë joserioze pjesëmarrjen e kubanit në rrethin e të mëdhenjve.
Kapablanka e mundi në një mënyrë të habitshme dhe shpesh përgjatë kohëve e shikoj dhe e rishikoj këtë lojë. Kur ajo mbaroi dhe shumica e mjeshtrave të mëdhenj filluan të bënin hesapet e humbjes, duke propozuar lëvizje nga më të ndryshmet, natyrisht jo alla Basha apo alla Blush…kubanezi gjenial ngriti kokën dhe tha vetëm kaq:
Në lojërat e mjeshtrave të mëdhenj luhet me plane, zotëri, dhe jo me lëvizje të veçanta.
Komenti i Kapablankës ka vlerë më shumë për Bashën se Blushin. Për të dytin, që gjithnjë kam menduar se ai mund vetëm të emërohet, por asnjëherë të zgjidhet… Kam parë disa herë kur bëheshin minizgjedhje strukturash në PS, kur megjithëse kishte ndihmën e pakursyer të Nanos, i humbte duelet e vogla në forumet që zgjidheshin.
Problemi është te Basha, i cili, veçanërisht në emër të Republikës së re, duhet t’i hidhte publikut ide, por i hedh vetëm numra. Çfarë përfaqëson ai realisht në këtë Republikë të re në emër të partisë nga vjen?
E emëruar e djathtë, a e djathtë e qëndrës apo e djathtë liberale, terma që ndryshonin në kohë këto, sipas filozofëve që hynin e dilnin herë pas here në ndërtesën e PD-së, mund të pyesësh vërtet.
Cilat shtresa të shoqërisë përfaqësoi vërtet PD këto 25 vjet? Pronarët e mëdhenj apo të vegjël? Të persekutuarit apo të palegalizuarit?
Këto dy shtresa që normalisht nuk duhej t’i përfaqësone kurrë PS, dhe po t’i pyesësh, zor se do të pranonin ndihmë nga ajo, ngrenë supet.
PD-ja ka bërë aq shumë pak për ta, sa do të mjaftonte vetëm një fakt që të të merrte frika.
Nga kontributi i kësaj të djathte në emër të pronave, kanë shkuar në varrezë gati 10 000 mijë njerëz. Nuk e di sa arritën të legalizojnë ato që i kishin me tapinë e të parëve. Një nga ish-përfaqësuesit e të djathtës dhe në origjinë pres saj, Bamir Topi, po më shpjegonte një ditë në emision diçka që mund të trondiste logjikën e çdo njeriu të thjeshtë. Deri në vitin 1945, Shqipëria kishte 350 mijë ha tokë, e cila i takonte 90 për qind të popullsisë. Pra ngelej vetëm 10 për qind e saj pa tokë.
Në kohën e Hoxhës, pra për 45 vjet, u hapën fiks edhe 350 mijë ha të rinj. Mund të kënaqeshin ata dhjetë për qind që nuk kishin dikur tokë dhe të kompensoheshin ata që iu ishte marrë toka me dhunë apo me njëqind arsye të tjera. Çfarë u bë, dihet…
Sot është më rrëmujë se kurrë dhe shteti shqiptar duhet t’i lutet Strasburgut për të mos paguar ende një rrëmujë që e ka krijuar po vetë…
Thua Basha të përfaqësojë atë rininë që kërkon arsimin e mirë apo të ekselencës? Shikoni universitetet që ajo zyrtarizoi në kohën e saj dhe të tij dhe përsëri mund të lemerisesh… Megjithëse jam thellësisht i bindur që kjo qeveri çalon edhe në reformën arsimore që ka projektuar, apo që ka lënë ende në këmbë shumë nga ato universitete fallso, ka një fakt të çuditshëm. Gati njëzet për qind e vendeve në administratë janë bosh dhe nuk mund t’i zënë dot as partiakët e PS apo LSI, që realisht kanë pushtetin…
Për çfarë Republike të re e ka fjalën Basha?
Për atë kasaphanë ndërtimesh që sapo del nga Tirana të jep të kuptosh brenda 5 sekondash se ky vend është i falimentuar dhe do t’i duhen dekada të rimarrë veten?
Eh, të ishte punë numrash! Pra të zgjidhesh duke vënë pension minimal 250 mijë lekë apo vërtet të kërkonim ndihmë te ata studentët e ekselencës. Po nuk është punë numrash dhe Basha, megjithse ka bërë një universitet të mirë, e kupton që nuk është kjo e keqja e madhe.
Është përfaqësues i një partie të madhe, që lindi si shpresë e shqiptarëve pas ’90-s dhe tani përfaqëson shumë pak, jo vetëm prej asaj shprese, por shumë pak edhe prej grupeve shoqërore të Shqipërsisë së re, apo po të doni të Republikës së re.
Megjithëse e kam shkruar shpesh këto herët e fundit se ai vetë vjen vërdallë dhe në fund do të hedhë çelësat në Lanë, kjo më tmerron. Vendit i duhet opozita dhe i duhet shumë më tepër se mendojnë këtu.
Por jo ajo opozitë që bërtet për numra nga mëngjesi në darkë, por një opozitë që ka nevojë për ide.
Dhe këtë lloj opozite duhet ta bëjnë ata që vërtet e duan atë që lindi më 1990 si shpresë. Janë, besoj, ata që duhet t’i kërkojnë llogari Bashës dhe jo vetëm atij. Dhe kjo llogari bëhet atje te zyrat e mëdha buzë Lanës.
Shakatë alla Blush apo alla Bashë, me numra nuk i hyjnë në punë njeriu, në mos thjesht duhet t’i quajmë parazitizma mendore.
Shqipëria e re apo Republika e re kërkon ide. Kur t’i keni, thuajani. Të jeni të sigurt që populli i kupton më shpejt nga sa mendoni dhe pa asnjë mëdyshje do t’i ndjekë nga prapa.
Me hisori numrash apo Kavaje e Shijaku, me të cilët mund të mundim këta që drejtojnë tani, apo t’i tregojmë të huajve se nuk na duhen, nuk bëjmë gjë tjetër veçse përsëritim në një formë a në një tjetër Haxhi Qamilin e vjetër. Që herë pas here na fanitet si nëpër ëndrra të këqija…
(Konica.al)