Prokuroria ka kërkuar arrest shtëpie për kontrolloren ajrore Flora Ndreca e cila u arrestua për shkak të bojkotit të punës.
Ndërkohë për dy të arrestuarit e tjerë, Armando Fezga dhe Muhin Mezini, është kërkuar arrest me burg. Seanca për dhënien e masës së sigurisë pritet të zhvillohet ditën e nesërme në orën 08:30. Për tre kontrollorët ajror të “AlbControl” rëndon e njëjta akuzë, ajo e shpërdorimit të detyrës.
Nga hetimet e prokurorisë, rezulton se në bisedat e kryera nga tre të arrestuarit, rezulton se Muhin Mezini, me detyrë mbikëqyrës i kontrollorëve të trafikut ajror ka ushtruar ndikim mbi kontrollorët për plotësimin e formularëve të paaftësisë në punë.
Sakaq thuhet se Mezini ka bashkëpunuar me Flora Ndrecën dhe Armando Fezgën, të tre të arrestuar, për plotësimin e formularëve të paaftësisë.
Fillimisht në Drejtorinë e Policisë së Tiranës u shoqëruan 28 kontrollorë, ndërsa pas marrjes në pyetje, janë arrestuar vetëm tre prej tyre. Bojkoti i kontrollorëve bllokoi për dy ditë të gjitha fluturimet në aeroportin e Rinasit./ b.h











