• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Wednesday, December 31, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Bllokohet diplomacia, Meta refuzon Gent Cakajn si ministër të Jashtëm

by Java News
10/01/2019 12:49
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Presidenti Ilir Meta ka refuzuar dekretin për emërimin e Gent Cakajt si ministër të Jashtëm, duke bllokuar në këtë mënyrë diplomacinë shqiptare

Dekreti i është kthyer kryeministrit Edi Rama për rishqyrtim.

“Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme”, arsyeton Meta në letrën drejtuar Ramës

Gjithashtu kreu i shtetit nuk ka firmosur as për shkarkimin e ministrit të jashtëm në detyrë Ditmir Bushati. 

Sipas presidentit, Cakaj nuk ofron garanci për ushtrimin e detyrës, nuk ka përvojë dhe ka mbajtur qëndrime publike të papranueshme për çështjen e kufijve të Kosovës.

“Profili i z.Gent Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Europën dhe Punët e Jashtme ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi. Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zv/ministër për Europën dhe Punët e Jashtme, z.Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme….Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend nëtar i NATO-s dhe minon besueshmërin e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon”, thuhet në arsyetimin e Metës.

Meta thekson se Gent Cakaj, në postin e zv/ministrit të Jashtëm ka treguar papërgjegjshmëri në ushtrimin e detyrës dhe nuk ka qenë i pajisur për 7 muaj me certifikatën personale të sigurisë, duke vënë kështu në rrezik informacionin e klasifikuar shtetëror.

“Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror”, thuhet ne argumentimin e Metes

Kjo është hera e parë që një president në Shqipëri, refuzon dekretimin e një ministri.

Në fakt, precedentin, Meta e krijoi që me Sandër Lleshin. Por në rastin e Lleshit, Rama fillimisht e emeroi zv.minister, duke i dhene kompetencat e ministrit. Nuk dihet si do procedoje Rama me rastin e Cakajt, i cili aktualisht mban postin e Zv.ministrit.

Javanews/a.cupaj

Më poshtë letra e plotë e Metes per Ramen:

Zoti Kryeministër,

U njoha me propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, administruar në Institucionin e Presidentit të Republikës me nr. 16 prot., dt 04.01.2019, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Presidenti i Republikës, menjëherë pas marrjes së propozimin tuaj, filloi verifikimin e hollësishëm dhe të domosdoshëm të z. Gent Cakaj me qëllim krijimin e besimit përpara vendimit për emërimin e tij në këtë detyrë të rëndësishme.

Pozicioni i ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme është një nga postet më të rëndësishme në kabinetin qeveritar, aq më tepër tani kur vendi është pjesë e Trojkës së OSBE-së dhe në më pak se një vit përgatitet të marrë kryesimin e saj, një hap historik dhe një përgjegjësi që kapërcen kufijtë e Shqipërisë dhe rajonit tonë.

Ndërkohë, ditët, javët dhe muajt e ardhshëm janë vendimtarë sepse Shqipëria është përpara vendimit jetik për çeljen e negociatave të anëtarësimit me Bashkimin Evropian në qershor 2019.

Përparimi i Dialogut Kosovë – Serbi me qëllim forcimin e perspektivës evropiane të të dy shteteve është një nga zhvillimet më të rëndësishme të rajonit tonë gjithashtu.

Në mungesë të kohës për të eksperimentuar e provuar kapacitetet dhe aftësitë e ministrit të propozuar përballë sfidave aktuale madhore për vendin dhe interesat kombëtare të tij, gjykoj se në krye të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme duhet një individ i sprovuar dhe efikas, me njohje të plotë të përgjegjësive shtetërore, kombëtare dhe administrative, i vetëdijshëm për impaktin e madh dhe vendimtar që do të ketë në politikën e jashtme, veçanërisht në muajt e ardhshëm, por edhe gjatë kryesimit të OSBE-së nga Shqipëria që është një përgjegjësi historike për vendit tonë.

Profili i z. Genti Cakaj, i propozuar për postin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ka mungesë të qartë të përvojës politike, diplomatike, administrative, shtetërore, në secilin element dhe në tërësi.
Zoti Kryeministër,

Gjatë ushtrimit të detyrës së tij si zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj ka dëshmuar me të dhëna, me fakte e qëndrime se jo vetëm që i mungon përvoja e sprovuar në fushën e politikës së jashtme, por se qëndrimet e tij publike lidhur me çështje thelbësore të politikës rajonale janë të papranueshme.

Qëndrimet e tij publike në kontekstin e debatit për të ashtuquajturin korrigjim të kufijve të Kosovës e Serbisë por edhe të Ballkanit Perëndimor janë në kundërshtim të plotë me programin e qeverisë aktuale për politikën e jashtme dhe shtjellimin e saj nga Ministria e Punëve të Jashtme (citoj nga intervista e Zv/ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Shqipërisë, Gent Cakaj, për emisionin “Zona e Debatit” në Klan Kosova, dt. 01 nëntor 2019:
“…Tani te korrigjimi i kufijve semantikisht kjo nuk është thjeshtë një operacion linguistik për ta relativizuar çështjen e këmbimit territorial, por situata ka evoluar tutje.

Evoluimi i parë është, sepse po konceptohet në suaza të korrigjimeve të përgjithshme territoriale që janë duke ndodhur në Ballkanin Perëndimor”…).

Këto deklarata të rrezikshme të z. Gent Cakaj, me pasoja të paparashikueshme në rajon dhe me gjerë, në planin dypalësh dhe më tej, janë në kundërshtim të hapur me politikën rajonale të shtetit shqiptar, të NATO-s dhe të vetë Bashkimit Evropian.

Përkrahja, sponsorizimi apo dhe mosreagimi me vendosmëri ndaj tezave për shkëmbim territoresh/korrigjim kufijsh në rajon është qasje destruktive që kërcënon paqen dhe sigurinë e rajonit dhe në mospërputhje me angazhimet e detyrimet e Shqipërisë si vend anëtar i NATO-s dhe minon besueshmërinë e vendit tonë si faktor stabiliteti në rajon.

Zoti Kryeministër,

Nga informacioni i administruar mbi verifikimin e sigurisë dhe pastërtisë së figurës, Presidenti i Republikës ju bën me dije se:

1. Z.Gent Cakaj ka treguar mungesë të theksuar të përgjegjshmërisë gjatë ushtrimit të detyrës së Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, duke neglizhuar zbatimin e ligjit dhe akteve nënligjore që garantojnë qarkullimin e sigurt të informacionit të klasifikuar sekret shtetëror.
Konkretisht z. Gent Cakaj me VKM nr.342, datë 07.06.2018 është emëruar në detyrën e Zëvendësministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme, ushtrimi i së cilës kërkon domosdoshmërisht pajisjen me çertifikatën e sigurisë personale, me qëllim që personi të njihet, administrojë apo përpunojë informacion të klasifikuar.

Nga ky moment subjektit në fjalë, në zbatim të ligjit nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar, VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”, VKM nr. 836, datë 14.10.2015 “Për miratimin e rregullores për punën me informacionin e klasifikuar të NATO-s dhe Bashkimit Evropian” dhe akteve nënligjore në zbatim të tyre, të nxjerra nga Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj i lind detyrimi ligjor që të aplikojë dhe të pajiset me Certifikatat përkatëse të Sigurisë.

Nga informacioni zyrtar i administruar nga MEPJ, nga DSIK dhe agjencitë e tjera ligjzbatuese rezulton se z. Gent Cakaj, për një periudhë të vazhdueshme prej 7 muajsh ka neglizhuar qartësisht zbatimin e akteve ligjore dhe nënligjore të sipërcituara, që sipas parashikimeve të ligjit përbëjnë shkelje penale dhe janë të dënueshme sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas konfirmimit shkresor të MEPJ dhe DSIK, z. Gent Cakaj ka plotësuar formularin e aplikimit vetëm më datë 03 janar 2019 (3 ditë pas firmosjes së propozimit për dekretim si Ministër të MEPJ).

Z. Cakaj, me mosplotësimin e formularit të aplikimit dhe mospajisjen me Certifikatat përkatëse të Sigurisë për periudhën 7 qershor 2018 deri në 3 janar 2019, jo vetëm që ka vënë në rrezik informacionin e klasifikuar sekret shtetëror apo sekret NATO dhe BE, por nga ana tjetër ai ka shfaqur haptazi mosbindjen e tij përballë një detyrimi të qartë ligjor.

Gjithashtu me mosplotësimin e formularit të sigurisë në kohën e kërkuar, ai ka penguar verifikimin e sigurisë për këtë periudhë, pasi sipas nenit 12 të Rregullores së Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr.188, datë 04.03.2015, ku parashikohet se verifikimi i sigurisë fillon vetëm pasi individi aplikues ka pranuar dhe ka dhënë pëlqimin me shkrim, pavarësisht se funksioni dhe detyra që ai ka ushtruar e kishte të domosdoshme dhe të detyrueshme nevojën për njohje me informacion të klasifikuar.

Shmangia prej tij i zbatimit të këtyre detyrimeve ligjore, së pari është shkelje për të cilën çdo funksionar duhet të mbajë përgjegjësitë që i takojnë, por njëkohësisht kjo sjellje tregon për mungesë të përgjegjshmërisë në ushtrimin e funksionit publik si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, si dhe është një tregues tepër i qartë për rrezikun që mbart kjo kandidaturë, për të ushtruar detyrën shumë të rëndësishme të propozuar për emërim të Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

2. Procesi i certifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj i kryer nga DSIK brenda një dite (04 01.2019), duket hapur që është një proces i kryer në kushtet e urgjencës, dhe në kundërshtim me procedurën dhe kërkesat e ligji nr. 8457, datë 11.02.1999 “Për informacionin e klasifikuar sekret shtetëror”, i ndryshuar dhe VKM nr.188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullores për sigurimin e personelit”.

Në formën se si është kryer, procesi i verifikimit të sigurisë për z. Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë të lëshuara nga Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klafisikuar (DSIK).

Sipas shkresës nr. 09/1 prot, datë 8.01.2019 të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme, z. Gent Cakaj, ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj Ministrie vetëm më datë 03.01.2019, edhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillon nga marrja e detyrës si Zëvendës Ministër i MEPJ.

Aplikimi i z. Gent Cakaj është përcjellë nga MEPJ brenda ditës në Drejtorinë e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar me shkresë nr. 35 prot., datë 03.01.2019. Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK) ka lëshuar certifikatat e sigurimit të personelit për z. Gent Cakaj 1 (një) ditë më vonë dhe me shkresë nr. 18 prot, datë 04.01.2019, ja ka përcjellë këto akte Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Nga informacioni i DSIK, përcjellë Presidentit të Republikës me shkresë nr.87 prot, dt. 07.01.2019, konfirmohet se: “Z. Genc Shkëlzen Cakaj, lindur në Prishtinë më 06.07.1990, është i pajisur me CSP të nivelit “Tepër Sekret”, për njohjen e informacionit të klasifikuar “Sekret Shtetëror”; “Cosmic Top Secret” për njohje të informacionit të klasifikuar të NATO-s dhe “EU Secret/Sekret UE”, për njohjen e informacionit të klasifikuar të BE-së. Këto CSP janë lëshuar më datë 04.01.2019 dhe janë të vlefshme deri më datë 03.01.2024.”

Pra rezulton se, procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite) që referuar fakteve, dhe të dhënave të Gent Cakaj, tregon qartë se nuk është kryer një proces i mirëfilltë verifikimi sipas kushteve, detyrimeve, kritereve dhe procedurës së parashikuar në Rregulloren e Sigurimit të Personelit, miratuar me VKM nr. 188, datë 04.03.2015.

Z. Gent Cakaj, mban dy shtetësi, ai është shtetas i Republikës së Kosovës, si dhe shtetas i Republikës së Shqipërisë. Ai ka kryer studime jashtë territorit të dy vendeve (Shqipëri-Kosovë), respektivisht në shtetet Hungari dhe Belgjikë, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë.

Referuar këtyre të dhënave, si dhe atyre që kërkohen dhe pasqyrohen të detyrueshme për deklarim në pyetësorin e sigurisë në aplikim, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar ka për detyrë që në bazë të ligjit nr. 8457, datë 11.2.1999, “Për informacionin e klasifikuar “Sekret shtetëror””, të ndryshuar, dhe pikës 13, 14 të VKM nr. 188, datë 04.03.2015 “Për miratimin e rregullave për sigurimin e personelit”, të kryejë një verifikim të thelluar të të gjithë informacionit të grumbulluar, jo vetëm në institucionet respektive të Republikës së Shqipërisë.

Në zbatim të nenit 21 të Rregullores së Sigurisë miratuar me VKM nr.188/2015, në rastin konkret ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në organizatat partnere të Republikës së Kosovës. Konkretisht në këtë nen citohet se: “Përpara se të lëshohet CSP për një person i cili mban dy shtetësi, DSIK-ja bashkëpunon me autoritetet homologe për kryerjen e verifikimeve përkatëse”. Gjithashtu në detyrën si Zv.Ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, dhe si kandidaturë e propozuar nga Kryeministri për pozicionin e ministrit të MEPJ, ky verifikim do të duhej të kryhej edhe në Belgjikë dhe Hungari, vende këto ku ka jetuar për një kohë relativisht të gjatë z. Gent Cakaj.

Ndërkohë, nga informacioni i administruar rezulton se i gjithë procesi për verifikimin dhe vlerësimin e sigurisë për të përcaktuar nëse z. Gent Cakaj, është një individ besnik, i besueshëm dhe i sigurt që vërteton nga pikëpamja e sigurisë se ai i plotëson kushtet e përcaktuara për njohjen, ruajtjen, administrimin dhe transferimin e informacionit të klasifikuar, është realizuar në më pak se 24 orë.

Ky veprim tregon qartë se procesi i verifikimit, nuk është kryer i plotë, nuk është objektiv, por i ndërmarrë vetëm për përmbushjen proceduriale (jo përmbajtësore) të informacioneve shtesë që do të mund të kërkonte Presidenti i Republikës në funksion të verifikimit kushtetues për shkak të procesit të emërimit të këtij shtetasi në detyrën e Ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Zoti Kryeministër,

Për sa u parashtrua më sipër:

Kandidatura e z. Gent Cakaj nuk i plotëson kushtet, nuk krijon besueshmëri dhe nuk ofron garancitë e nevojshme për ushtrimin me objektivitet dhe në lartësinë e kërkuar të detyrës tepër të rëndësishme të ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

Në këto kushte, Presidenti i Republikës, në përmbushje të detyrimeve kushtetuese si Kreu i Shtetit, si Kryetar i Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe rolit të tij specifik kushtetues në politikën e jashtme të shtetit shqiptar, refuzon propozimin tuaj nr. 6174 prot., datë 31.12.2018, për emërimin e z. Gent Cakaj, në detyrën e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë.

Sinqerisht,

Ilir META

Next Post
Rritet shumë numri i të papunëve në Kosovë

Rritet shumë numri i të papunëve në Kosovë

Comments 1

  1. sinan hibro says:
    7 years ago

    Ta haje dreqi, por per nje defekt administrativ, per te cilin duhet te mbaje pergjgjesi drejtori i personelit, Presidenti ka ndertuar nje hartim te lodhshem ….Per kete defekt nuk mund te fajesohet z. Cakaj, por ish ministri, qe lejon mangesi te tilla….pse jo edhe drejtoria qe jep certifikaten e sigurise; ajo duhet te kete listen e personave qe me ligj detyrohen te pajisen me certifikaten…

    Reply

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

“Hap krahun”, Arben Malaj ia thotë në sy Lapajt: Nëse nuk arrin dot kompromise dhe të ngresh shpresë, ik!

December 30, 2025
Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

Rindërtimi i banesave të dëmtuara nga tërmeti, qeveria akordon 540 milionë lekë, përfitojnë qytetet si..

December 30, 2025
Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

Prej kohësh po luftonte me kancerin, ndahet nga jeta në moshë të re mbesa e John F. Kennedy

December 30, 2025
Malaj komenton qeverinë e re: Nuk besoj se ministrat e mësojnë emërimin të fundit

Arben Malaj: Jam anëtar i Partisë Socialiste, por nuk lëpihem për një karrige

December 30, 2025
Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

Mundi rivalin e vet/ Sportisti grek rrihet barbarisht në Serbi bashkë me trajnerin e tij

December 30, 2025
“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

“Zegjine Caushaj, një nga emrat më të kërkuar në 2025 nga…”, eksperti: Ja dy qytetet e ”dashuruar” pas Ramës dhe Berishës

December 30, 2025
Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

Biserko: Serbia vazhdon të mohojë krimet e luftës

December 30, 2025
Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

Qeveria vendos: 4595 punonjës të sistemit të burgjeve përfitojnë sigurimin e jetës dhe shëndetit për tre vite

December 30, 2025
“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

“Travel and Tour World”: Korça, destinacioni dimëror që magjeps turistët e huaj me atmosferën festive

December 30, 2025
“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

“Po veproni rrezikshëm”, sauditët kërcënojnë Emiratet: Largohuni nga Jemeni, keni 24 orë

December 30, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com