Disa varka pa licencë janë bllokuar këtë të shtunë nga Policia Kufitare në portin e Fierzës duke bërë që mbi 300 turistë të qëndrojnë në pritje deri në zgjidhje të situatës pasi kishin destinacion lumin e Shalës apo Valbonën. Varkat u ndaluan pasi nuk kishin dorëzuar dokumentet për ushtrimin e aktivitetit, që ishin kërkuar para 2 ditëve. Vetëm tragetet dhe anijet ishin kujdesur që të dorëzonin dokumente në Policinë Kufitare të Kukësit. Ndërkohë, ata që kanë varkë me motorë, iu kërkohet leje për drejtimin e mjetit dhe licence për ushtrim aktiviteti.
Mesa duket ata nuk kanë leje për varkat që mbajnë çdo ditë qindra turistë dhe lundrojnë për në lumin e Shalës apo në liqenin e Komani. Gani Zeneli, drejtor i Kufirit në qarkun e Kukësit që mbulon dhe Tropojën tha për Report Tv se janë bllokuar mjetet që nuk kanë dokumente ndërsa vijon lundrimi i trageteve dhe anijeve që kanë paraqitur dokumentet në Policinë Kufitare. Zeneli sqaroi se vetëm tragetet dhe anijet kanë paraqitur dokumentet duke rezultuar konform ligjit. Ndërsa të tjerat nuk lejohen të dalin në Fierzë dhe Koman. Ndër të tjera, në rast se kapen në lundrim pa dokumente, gjobiten.
“Si në gjithë Shqipërinë po ushtrohen kontrolle në ujërat territoriale për mjetet e peshkimit dhe mjetet e transportit të udhëtarëve. Kontrolli vazhdon pa ndërprerje. Pak më momente ndaluam një mjet peshkimi pranë urës së Drinit në Kukës pa leje drejtimi. Po kështu po ushtrohen kontrolle në Koman dhe zona të tjera. Ata që janë bllokuar nuk kanë paraqitur dokumente. Subjektet dhe personat që ushtrojnë këtë aktivitet janë njoftuar dy ditë më parë që të paraqesin dokumentet në Policinë Kufitare. Subjektet që i kanë paraqitur janë vetem tragetet dhe anijet. Ato janë verifikuar kanë rezultuar konform ligjit janë lejuar të dalin në lundrim, të tjerët nuk lejohet të dalin si në Fierzë ashtu dhe në Koman. Duhet të disponojnë leje për drejtimin e mjetit kur është me varkë me motorë dhe licence për ushtrim aktiviteti. Pra kush kapet në lundrim gjobitet, të tjerët mbahen të ankoruara deri në plotësim e dokumentacionit”, tha Zeneli.
Pas tragjedisë në Himarë, ku ish shefi i komisariatit Arjan Tase përplasi për vdekje 7-vjecaren Jonada Avdia, janë marrë masa për lundrimin e mjeteve në det. Në Vlorë, asnjë mjet lundrues duke filluar që prej ditës së djeshme nuk del dot në det. Kjo solli protestën e pronarëve të mjeteve lundruese në Vlorë, të cilët thanë se kanë kredi për të paguar dhe duhet të mbajnë fëmijët me paratë që fitojnë nga kjo punë, ndaj duhet t’i lejojnë të vazhdojnë lundrimin e mjeteve për aq kohë sa kanë dokumentet. Një fije shprese iu dha nga efektivi i policisë kufitare, i cili ‘qetësoi’ protestuesit duke i thënë se pritet të vijnë përfaqësues të lartë të policisë kufitare në vendqëndrimin e porteve dhe do t’i lejojnë mjetet lundruese që pas kontrolleve të dokumentacionit të dalin në det. / shqiptarja.com
g.kosovari