Nga Frrok Çupi
Këta që po tentojnë të ‘mposhtin Amerikën’, nuk e kanë për gjë shtetin dhe qeverinë shqiptare. Në fakt nuk i kanë për gjë as vlerat e kombit. Me ardhjen e sekretarit të shtetit, Antony Blinken, këtyre u vjen rasti që ta manifestojnë se nuk e kanë për gjë. Një herë thanë se ‘e pamundur të vijë këtu Blinken’; kur u mor vesh më mirë thanë se ‘e çë pastaj pse vjen Blinker, atë punë ka’…; dhe më në fund po thonë se ‘nuk është se vjen t’i japë përkrahje qeverisë shqiptare’.
Thjesht guxojnë të fshijnë nga ‘dërrasa e zezë’ atë që vetë Amerika ka shkruar se kjo vizitë në Shqipëri kryhet në një shtet aleat e të besueshëm.
Nëse ia dalin të zvogëlojnë ose godasin rolin e qeverisë dhe shtetit këtu, në njëfarë mënyre ia kanë dalë të korrin një fitore mbi Amerikën. Tanimë Amerikë dhe Shqipëri janë aleatë dhe në të njëjtën hemisferë politike. Asnjë herë, më parë, nuk ka ndodhur që politika e Shteteve të Bashkuara të përputhet njësoj si me interesat e popullit shqiptar ashtu edhe me vlerësimet për qeverinë e tij. O ka qenë populli që e tentonte Amerikën dhe qeveria jo, o ka qenë qeveria (si në vitet 1992- 1997) që ka shkelur interesat e Aleatit në rajon dhe i ka mbyllur derën e shtëpisë misioneve amerikane këtu. Në 1997, presidenti shqiptar akuzoi Amerikan se shkaktoi trazira dhe luftën civile në vend; kongresmenëve iu mbylli derën e zyrës.
Ka ndodhur edhe po kaq keq. Një kryeministër në vitet 1914-16, Esat Pashë Toptani, e kishte ndarë elitën e vendit në dy pjesë: Në qeverinë e tij (të Durrësit) të orientuar kundër Perëndimit dhe atë tjetrën. Në fund të Luftës së Parë dhe në falimentin e rolit të Toptanit, presidenti Woodrow Wilson e mbrojti kombin tonë fuqishëm, nuk lejoji ndarjen e territoreve të Shqipërisë dhe i dha vendit tonë karrigen e anëtarësimit në Lidhjen e Kombeve.
A nuk e dinte Amerika, si kësaj here ku jemi, se në vend kishte liderë dhe qeveri që e donin të mposhtur Amerikën?!
Tani këtu, pasi u mor vesh se nuk kanë si e kthejnë në rrugë avionin e sekretarit Blinken, mes tyre kanë nisur të ndajnë gradat dhe mëritë. Lideri i tyre, i zënë në arrest, nuk zbret dot nga kati i tetë i shtëpisë burg. Të tjerët që ndodhen poshtë ballkonit nuk dinë nga t’ia mbajnë: Të deklarohen servilë ndaj ardhjes së Blinken dhe të bëjnë ‘urra!’?, kjo nuk i çon askund. Departamenti i Shtetit i ftoi thuajse të gjithë në Amerikë për të kuptuar ‘çfarë janë’. Sapo u kthyen, u shfaqen siç ishin. Frika nga lideri që ‘fle atje lart’ i bën të mos kenë vendosur akoma nëse duhet të thonë ndonjë fjalë ‘pro Amerikës’. Lideri i tyre i korruptuar dhe non grata, një tribal i hershëm, i ka shpallur ‘hakmarrje’ vetë zotit Blinken. Fillimisht e ka paditur në gjykatën e një shteti tjetër, domethënë e ka ‘mundur’ jashtë shtëpisë. Më parë po ky lider kishte thyer embargon kundër xhelatëve të Ballkanit, kishte lidhur marrëveshje ‘nën gju’ me Al Qaedan dhe me vetë Bin Laden. Në vendin tonë u instaluan dhjetëra celula terroriste që i fshiheshin Amerikës dhe strehoheshin këtu ‘besnikërisht nga shteti’. Deri në vitin 1997…
Vizita e zotit Blinken nuk është njësoj si vizita e zotit Baker (1991). Atë ditë sekretari Baker tha se ‘u mahnit’ nga gjysmë milioni njerëz në rrugë, dhe tha se ‘Liria po funksionon’. Në rastin e Blinken koha ka treguar se liria ka funksionuar dhe liria ka ndarë shumicën e shqiptarëve mes shumicës që e pranuan lirinë dhe disa shqiptarë që nuk e përballuan dot lirinë. Këta janë një grusht njerëz që mblidhen përnatë ‘poshtë ballkonit’ të liderit të tyre që i dha vetes ‘lirinë’ të luftojë kundër interesave të kombit.
Gjysmë milioni, në vitin 1991, ishin të gjithë njësoj, të gjithë të dëshiruar për në Amerikë, asnjë këmbë antiamerikani. Tani nuk janë të gjithë në një mendje, Amerika e di këtë. Ka shqiptarë kundër Amerikës, pa dyshim. Nuk ka si të mos ketë këtu në Tiranë, kur në Prishtinë gati gjysma e qytetarëve janë kthyer në opsionin kundër Amerikës dhe pro kryeministrit Kurti. Para se të niste postin vetë Kurti, mbi 73 për qind e qytetarëve ishin ‘pro Amerikës’, tani është përmbysur raporti. Vallë pro Republikës, sa janë? Ata janë ‘të Amerikës’ që e krijoi vetë Kosovën e këtij shekulli.
Sekretari i shtetit, Blinken ka ardhur mes shqiptarëve, këndej e andej, si një faktor i madh stabiliteti… Por edhe për shkak se në Ballkan e mes shqiptarëve ekziston mundësia e pavlefshme që disa t’u bashkëngjiten liderëve anti- amerikanë. Edhe pse e di se ka plot nga këta që po mendojnë ‘ta mposhtin Amerikën’, qoftë edhe në këtë rast kur janë sy për sy me sekretarin Blinken.
Kësaj here, si kurrë më parë në histori, Amerika beson te qeveria e Shqipërisë dhe ka për aleat popullin dhe qeverinë shqiptare, njëkohësisht. Hera e parë.