Mediat greke kanë publikuar detaje tronditëse mbi një shtetas shqiptar, të shumë kërkuar e të arrestuar së fundmi nga autpritetet e vendit fqinj, i cili akuzohet se ka blerë një fëmijë vetëm 8 vjeç, e ka dërguar atë në Greqi dhe e ka përdorur për të lypur në rrugët e Athinës.
Ky është rasti i një 56-vjeçari shqiptar, të identifikuar si Kujtim Demiri, i cili bleu një minoren në Shqipëri për ta shitur më pas atë në tregun e zi. Konkretisht, autoritetet greke morën disa ditë më parë një njoftim ndërkombëtar në kërkim të rëndësishëm nga ‘Interpol Albania’, ku dhe kanë reaguar menjëherë për zbardhjen e këtij krimi.
Urdhër arresti ndërkombëtar kishte të bënte me një 56-vjeçar, i cili ishte dënuar në vendin e tij me 15 vjet burg për “trafikim të të miturve”. Kur Departamenti i Kërkimeve të Sigurimit të Atikës u njoftua për praninë e 56-vjeçarit në Athinë, mobilizoi menjëherë rrjetin e tij të informacionit për gjetjen e tij.
Kështu, i kërkuari është lokalizuar në Patisia, ku policia e ka vënë në pranga pa asnjë rezistencë. Lidhur me të shkuarën e tij kriminale, burime policore thonë se 56-vjeçari akuzohet se ka “blerë” një fëmijë nga një familje e varfër në Shqipëri , më konkretisht në Tiranë.
Ai dyshohet se ka paguar 100 mijë lekë , një shumë që i korrespondon afërsisht 900 eurove. Më pas, në mënyrë të paligjshme dhe duke ushtruar dhunë, e ka transportuar 8-vjeçarin në Athinë, ku e ka detyruar të lyp në pjesët qendrore të kryeqytetit , për t’i dorëzuar paratë.
Tashmë kanë nisur procedurat për ekstradimin e të arrestuarit në vendin e tij. Megjithatë, për autoritetet greke mbetet e panjohur se çfarë ka ndodhur me fëmijën 8-vjeçar.
/a.r