Nga Isuf Kurtaj
Ish-themeluesi i Partisë Demokratike, Blerim Çela, komenton prapaskenat që ka luajtur Sali Berisha që nga themelimi i PD-së. Në një intervistë për “Shekulli”-n, ai rrëfen mënyrën se si ka arritur Berisha për t’u rezistuar furtunave të brendshme në parti, por dhe në politikë, për një çerek shekulli. Të gjithë që shprehnin mendim ndryshe, thotë Çela, anatemoheshin nga Berisha si agjent apo spiun të PS-së. Sipas tij, edhe largimi i Pollos nga PD-ja ndodhi për shkak të stërkëmbëshave që i u vunë nga Berisha si konkurrent i tij në Kuvendin e PD-së. Ish-bashkëpunëtori i Berishës ka komentuar dhe largimin “de fakto” të ish-kryeministrit nga drejtimi i PD-së dhe rolin që ka aktualisht Basha në krye të opozitës. Po ashtu Çela ka komentuar dhe debatet e fundit në PS për zgjedhjen e kryetarit.
Zoti Çela, duke qenë bashkëpunëtor i ish-kryetarit të PD-së, Sali Berisha, dhe e njihni aktivitetin e tij që nga ditët e para, a mund të na thoni se kush drejton këtë forcë politike aktualisht?
E dinë të gjithë që kryetar “de jure” është z. Basha, por faktik është z. Berisha që i imponohet me prezencën, eksperiencën dhe reputacionin e madh që trashëgoi nga vjetërsia në krye të PD-së, pa përmendur karakterin imponues të tij. Personalisht respektoj punën e përpjekjet e z.Basha, por idetë e tij, sipas mendimit tim, nuk marrin jetë, përderisa ai objektivisht ka kompleksin e inferioritetit ndaj z.Berisha që e bëri kryetar me ndikimin e tij të heshtur në strukturat e PD-së.
Përballja e z. Basha me të ndjerin Sokol Olldashi ishte e paracaktuar që do të fitohej nga z.Basha, jo vetëm se këtë e ndihmonte z.Berisha, por sepse në analizën që i është bërë punës së të dyve, kish spikatur rezultati më i mirë i Bashës në qarkun e Elbasanit si koordinator, në krahasim me punën e të ndjerit Olldashi në qarkun e Fierit. Për hir të së vërtetës, Berisha është shumë i ndjeshëm në drejtim të rezultateve të punës dhe ka të drejtë.
Gjithashtu elektorati i PD-së i ndjek me shumë kujdes punët e rezultatet e koordinatorëve dhe krijon opinionin e vet. Pra kushtet ishin që në fillim në favor të Bashës, shto këtu edhe simpatinë personale të Berishës për të, simpati që transmetohet me shumë kujdes nga njerëzit pranë Berishës te votuesit. E di që patur ndryshime në lista, heqje anëtarësh fansa të të ndjerit Olldashi nga votimi, e probleme të tjera të kësaj natyre. Unë i besoj këto parregullsi se e njoh mirë procedurën e votimeve në PD, dhe se Berisha i bën këto makinacione prej kohësh.
Megjithatë, ndikimi i këtyre parregullsive nuk do ta çonte të ndjerin Olldashi në fitore, por në një humbje më të lehtë. Sa i përket konsolidimit të Partisë Demokratike, puna e Bashës është shumë e vështirë, sepse në PD nuk u bë një analizë e thellë dhe e vërtetë e shkaqeve të humbjes së zgjedhjeve të 23 qershorit 2013, dhe as përgjegjësia e shkaktarëve të vërtetë, duke e transferuar atë në degët e rretheve, pa prekur kupolën e PD-së, sepse për këtë kupolë e mori gjithë përgjegjësinë z. Berisha me shumë të drejtë, por me një hile të vogël, se ai e ruajti kupolën për të patur krahët e fortë pas “largimit nga kryetar”.
Kjo kupolë sot është mjaft influente, por edhe mbytëse për z.Basha, sepse në rast mosbindje ndaj Berishës, ai do të kryqëzohej nga këta njerëz që sot janë deputetë. Nuk e di se cilët janë sot anëtarët e kryesisë së PD-së dhe kujt fluksi i takojnë, Bashës apo ish-kupolës së Berishës. Faktorët e humbjes kanë qenë të shumtë, që nga indiferentizmi ndaj anëtarësisë, mospërfillja e tyre nga krerët e koordinatorët e PD-së e deri te aleanca me LSI-në që zëvendësoi qindra drejtorë të PD-së dhe LSI-së, dhe mijëra punonjës të thjeshtë që u hodhën në mes të katër rrugëve pa punë, duke shtuar pakënaqësinë e ulur numrin e anëtarësisë nëpër seksione, problem që vazhdon edhe sot e kësaj dite.
Çfarë e penalizoi PD-në që humbi kaq thellë?
Në pseudoanalizën që bëri PD-ja nuk iu kërkua falje militantëve që kishin punuar vite me radhë për partinë e zemrës së tyre dhe çfarë është më e rëndësishmja, nuk u goditën emrat e mëdhenj të kryesisë së PD-së që dolën me rezultate mizerabël në qarqet e tyre, por u transferua përgjegjësia te kryetarët e degëve që nuk i pyeste kush as për emërimet, as për punësimet, as për problemet e anëtarësisë, sepse me këto merreshin koordinatorët që e ngritën nepotizmin në art.
Kjo ishte njëra anë e medaljes. Ana tjetër ishte aleanca me LSI-në, një parti e majtë që u afrua në koalicion vetëm që të ruhej pushteti edhe 4 vjet të tjera për të mbajtur zyrtarët e lartë të partisë, pa menduar që PD-ja e humbi kredibilitetin e saj si parti e djathtë njëherë e mirë. Z. Basha ka deklaruar se nuk do të bëjë më koalicion me LSI-në, por Berisha po punon nën rrogoz, duke e detyruar edhe Bashën të mos kritikojë me qeverinë si dyshe Rama-Meta.
E gjitha kjo bëhet që të rrëzojnë Ramën nga qeveria, dhe me zgjedhje të parakohshme të lidhen me LSI-në. Se sa e predispozuar është LSI-ja për këtë lojë nuk e di, por partnerët Rama-Meta e mohojnë. Sidoqoftë PD-ja është parti e madhe dhe me një numër simpatizantësh rrotull 400 mijë vetë. Me një thirrje, PD-ja është në gjendje të nxjerrë në shesh 100-150 mijë vetë, por kjo nuk është forcë që i jep pushtetin në votime. Për të marrë pushtetin duhen mbi 600-700 mijë vota, të cilat PD-ja nuk i ka.
Shpresat e saj janë sot për sot te LSI-ja dhe më pas, te keqqeverisja e PS-së. Pesha e kryetarit faktik të PD në parlament është e madhe, por zotësia e tij humbet nga mënyra se si flet dhe problematikës që ai trajton. Në vend që të merret me problemet kryesore të varfërisë, papunësisë, taksave të larta, rritjen e borxhit, ka ngelur te denoncimet për vjedhje, drogë, mungesë rendi, probleme që kanë rëndësi pa asnjë diskutim, por jo të bëhen kali i betejës politike. Këto denoncime nuk duhen thënë sa për të informuar publikun, por në radhë të parë duhen grumbulluar dokumentet e çuar në Prokurori.
Nëse prokuroria nuk i zbardhë e i çon në gjykatë, PD-ja me në krye z. Berisha duhet të kërkojnë shkarkimin e prokurorit në parlament. Nëse shumica nuk u heq imunitetin të akuzuarve, atëherë Berisha ka të drejtë të akuzojë qeverinë në përfshirje të aferave korruptive. Këtë betejë nuk duhet ta bëjë vetëm Berisha e ndonjë deputet tjetër, por të gjithë deputetët. Bishtnimi nga kjo betejë duhet t’i skualifikojë ata në zgjedhjet e 2017-ës.
Z. Basha për mendimin tim punon shumë, është elokuent, kërkon llogari, sulmon ashpër mazhorancën, por nuk merr dot vendime pa lejen e Berishës, pra nuk ka asnjë mundësi të rikuperojë gabimet e PD-së, duke ndryshuar strukturat e saj, sepse një ndërmarrje e tillë nuk do të pranohej nga Berisha, pasi shkaktarët e vërtetë janë ata që ishin dje në krye të punëve, sot deputetë dhe mburojë e z.Berisha.
Ndarja nga jeta e të ndjerit Olldashi, ishte humbje e madhe për PD, por edhe po të ishte gjallë, nuk besoj se do të vepronte ndryshe nga Basha duke patur Berishën mbi kokë. Megjithatë, ai kishte nerv dhe mund të krijonte një fraksion në PD, sipas asaj platforme që ai nuk e shpalosi për publikun, ose mund ta kishte ndërmend dhe nuk arriti ta përpilonte. Edhe kjo është e besueshme.
Gjatë kohës kur qeveriste Berisha, a ka pasur fraksione kundër tij dhe si i ka trajtuar ai zërat ndryshe brenda partisë?
E kam thënë dhe me parë, që kurrë në PD nuk ka patur klane anti-Berishë, përjashto mocionistët e 1992 dhe në 1997, kur 14 deputetë u larguan nga PD-ja sepse nuk patën mbështetje për një fraksion. Po kështu dhe z.Pollo u largua nga PD-ja për shkak të stërkëmbëshave që i’u vunë nga Berisha si konkurrent i tij në Kuvendin e PD-së, duke krijuar partinë e tij që u përfaqësua në Parlament nga zgjedhjet e 2001-shit. Berisha e kishte vazhdimisht situatën në dorë, sepse sapo shihte tendencën për kritika serioze, i spostonte kritizerët nga punët e detyrat, derisa në kuvendin e radhës i largonte nga Këshilli Kombëtar apo nga kryesia që të mos kishin mundësi të krijonin fraksione.
Kështu ndodhi me Uran Butkën, Tomorr Malasin e shumë të tjerë, ndërsa i ndjeri Pjetër Arbnori u la në hije, së bashku me të ndjerin Ali Spahia. Në udhëheqjen e PD-së ka patur pakënaqësi në kryesi për marrje postesh, ose ndeshje të fshehta mes krerëve për të fituar sa më shumë dashamirësinë e z. Berisha nëpërmjet konformizmit dhe eliminimin e mënyrës së të menduarit e shprehurit ndryshe. Ky koncept ishte i huaj për Berishën. Po të shprehje mendim ndryshe, menjëherë të anatemonte si agjent apo spiun i PS-së.
Këto kanë ardhur nga përjetësimi i Berishës si kryetar që eliminoi demokracinë e brendshme në parti dhe rolin e forumeve deri në inekzistencë reale të Këshillit Kombëtar, pavarësisht se në statut njihej si organi më i lartë vendimmarrës. Edhe sot Basha, ose më mirë Berisha, nuk mund të lejojë opozitë brenda opozitës se nuk është në stilin e tij. Shihni ku janë intelektualët, ish-deputetë të PD-së si Mark Marku e Selami Xhepa etj. Ku ndodhet sot deputetja e guximshme dhe inteligjente Mesila Doda, që gjithmonë ka folur troç për mangësitë e politikës shqiptare të të dy krahëve, por edhe për demokratizimin e PD-së? Sigurisht e lënë në hije pa asnjë funksion, tradita vazhdon.
A ka arritur zoti Basha dhe PD-ja të përmbushin rolin që një opozitë duhet ta luajë?
Së pari, opozitarizëm nuk do të thotë konflikte, sherre, fyerje dhe denoncime të pabazuara. Në demokraci partitë nuk janë armike, por oponente mbi mënyrën e qeverisjes, e kritika për veprime, ligje e praktika që dobësojnë qeverisjen, rendin, ekonominë, jetën sociale e mbështetjen e popullit me punësim, strehim, ujë, energji elektrike. Në parlamentin tonë, opozita e djeshme vetëm shante e kundërshtonte çdo ligj, edhe kur ishte i mirë. I binin bilbilave e tavolinave për të penguar punimet e Kuvendit duke dalë para podiumit të kryetarit.
Opozita e sotme nuk i bie bilbilave, por nxjerr Berishën që akuzon me zë të lartë e me shifra e fakte për vjedhje e lidhje me krimin të ministrave e kryeministrin. Nëse Berisha ka fakte, t’i dërgojë dokumentet në prokurori dhe nëse prokuroria nuk zbardh çështjen, të kërkojë shkarkimin e prokurorit në Parlament. Nëse Parlamenti nuk e shkarkon, ai ka të drejtë të akuzojë se qeveria po mbron krimin së bashku me prokurorinë. Megjithatë, nuk mund të them se jo çdo fjalë e opozitës është pa vend. Politika e koncesioneve që kanë bërë qeveritë tona nga 1997 e këtej, në përgjithësi ka sjellë humbje dhe jo përmirësim të shërbimeve. Përmendim aeroportin e Tiranës me çmime biletash 3 herë më të larta se çdo vend i Europës.
Shihni Bankersin që po shfrytëzon barbarisht naftën dhe qeveria “Nano” e më pas Berisha kanë marrë dollarë me pikatore, po ashtu dhe qeveria “Rama”, e cila më duket se po lëviz për të përmirësuar nivelin e të ardhurave qeveritare. CEZ ishte një katastrofë e vërtetë, minierat po ashtu, dhe koncesionari i ngjyrimit të naftës ishte skandaloz. Tani filluan “check-up”-et (kontrollet) mjekësore me një koncesion disa dhjetëra milionë euro, një firmë aspak të specializuar që raporton 260 mijë kontrolle, po se kush i kontrolloi këto “check up”-e, nuk dihet. Në këtë pikë ka të drejtë opozita. Qeveria nuk e përmirëson imazhin e saj me fjalime e anatemi ndaj opozitës, por me grumbullim të të ardhurave dhe shpërndarje të tyre në rradhë të parë për investime që të hapen vende të reja pune.
“PD shpreson vetëm te çarja e koalicionit të majtë”
Si e komentoni ftesën që PD i ka bërë FRD-së për t’iu bashkuar opozitës për zgjedhjet parlamentare?
FRD-ja nuk mund t’i bashkëngjitet PD-së përderisa kontradiktat e z.Topi me z.Berisha janë të papajtueshme. Për mendimin tim PD-ja duhet ristrukturuar nga e para nga seksionet, degët e deri në qendër me elementë të aftë e të ndershëm që nuk kanë qenë në drejtim në tetë vitet e qeverisjes së PD-së, ndryshe kjo PD kështu siç është nën tutelën e Berishës dhe klanit të tij që e çoi në humbje, vetëm humbja e pret. E vetmja shpresë është keqqeverisja e PS-së dhe përçarja e saj, por më duket se shanset janë të vogla, megjithëse pakënaqësia ndaj kësaj qeverie është në rritje.
Në krahasim me qeverinë e mëparshme, si po qeveris Rama?
Qeveria Rama nuk ka 100 ditë, por të paktën 870 ditë në pushtet, ose 2,5 vjet. Kjo qeveri ka njerëz të shkolluar, por tepër të rinj për të drejtuar dikastere, por dhe të papërgjegjshëm për rolin e tyre në fatet e vendit. Është qeveri që përflitet shumë për korrupsion. Kjo qeveri ankohet se Berisha i la 700 milionë euro borxh.
Nuk di nëse është e saktë kjo shifër, por po e marrim të mirëqenë. Vërtetë qeveria “Berisha” la borxhe, por la shërbime të kryera e rrugë të përfunduara e të papërfunduara. Pra nuk la borxhe pa asete. Kështu ia la edhe qeveria “Nano” në 2005 qeverisë “Berisha”, në mos gabohem rreth 300 milion euro, kështu do t’i lërë edhe qeveria “Rama” pasardhëses së saj. Këto janë procese të natyrshme se punimet e shërbimet nuk financohen menjëherë pa u marrë në dorëzim.
Megjithatë 700 milionë euro janë shumë, por kjo nuk do të thotë që qeveria “Rama” të marrë 1.2 miliard euro borxh duke e çuar borxhin në 73 për qind të PBB-së nga rreth 63 % që la qeveria “Berisha”. Nuk kam asnjë lloj debulese për qeverinë “Berisha”, por analiza duhet bërë sipas shifrave, të cilat janë kokëforta. Nuk mjafton kjo, sepse duhet parë se si janë përdorur këto borxhe, për investime fitimprurëse, apo zbukuruese? Analistët financiarë thonë sa kanë shkuar një pjesë e mirë për investime jo prodhuese, veprim ky aspak ekonomik, kur dihet tashmë se gropa e mosrealizimit të të ardhurave ka shkuar shumë thellë.
Ky vend ka nevojë jo vetëm për rrugë, por edhe për pyllëzime, kanale kullues e vaditës, për diga e thellim lumenjsh, për mbrojtje të rrugëve nga erozioni sepse e pamë çfarë na ndodhi këtë dimër. Të harxhosh qindra milionë dollarë për koncesione që nuk hapin vende pune, por thellojnë gropën e të ardhurave duke mbushur xhepat e zyrtarëve, pa patur asnjë përmirësim në shërbime ndaj popullsisë, është jo vetëm dështim, por fatkeqësi. Kudo që të shkosh ka ankesa e mallkime. Kam patur besim se e majta do të përmirësonte qeverisjen, duke u kujdesur për shtresat e varfra, që është detyra numër një e saj, por nuk ndodhi kështu. Jam i djathtë, por as PD-ja nuk ma mbush mendjen se do të sjellë gjë të re.
Ajo nuk ka rregulluar akoma shtëpinë e vet, dhe mbresat në popull për fajet e saj janë ende të pashlyera. Përpjekjet e saj, nëse janë të vërteta, për t’i marrë LSI-në Ramës, do ta shkatërronin më keq jo vetëm PD-në, por edhe LSI-në, anëtarësia e të cilës në shumicë është e majtë. Premtimet e të majtës nuk janë realizuar, paguajmë më shumë taksa, më shumë për ujë dhe energji elektrike e shërbime të tjera, hallall po të na kryhen shërbimet e cilësia e ujit dhe e energjisë elektrike, por edhe këto janë me probleme.
Cili është komenti juaj për debatet e brendshme që po zhvillohen në PS për çështjen e zgjedhjes së kryetarit?
Mungesa e demokracisë së brendshme është e gjallë në PS. Diskutimet e z.Ben Blushi janë shumë të vërteta e reale, dhe të ndjeshme për popullsinë, por edhe në anëtarësinë e ndershme të PS-së. Orteku popullor nuk mbahet as me demagogji, as me fjalime pasionante, por me kthim në identitet të së majtës, gjë që mund ta bëjë Ben Blushi me shokë, ose zoti Rama, të cilit nuk i mungojnë aftësitë. Të mos ketë frikë si Berisha nga konkurrentët, por të ballafaqohet me Blushin. Kjo do ta shëndoshë PS-në dhe PS-ja është aset i rëndësishëm për popullin shqiptar si dhe PD-ja, por gjithmonë kur lejojnë mendimin ndryshe dhe zbatojnë rregullat e demokracisë në konkurrim.