Moderatori dhe gazetari Blendi Salaj ka marrë pjesë në aktivitetin e një vjetorit të partisë në të cilën bën pjesë: Sfida për Shqipërinë.
Ai tha se u përfshi në politikë sepse politikanët nuk përfaqësonin asnjë nga interesat dhe principet te të cilat ai besonte.
“Na duhen politikanë që flasin për gjërat që na interesojnë ne. Ata bëjnë llogaritë e tyre 71 deputetë, forcë e parë, republika kjo apo ajo dhe nuk i dëgjojmë asnjëherë të diskutojnë gjërat që na prekin ne drejtpërdrejt.”
Salaj tha se ishte krenar që ishte një nga themeluesit e Sfidës për Shqipërinë.
“Njerëzit këtu janë frikësuar të mos shprehen për asnjë parti tjetër se përndryshe humbasin vendin e punës. Por unë kam bindjen që shumë prej nesh do të marrin guximin të shprehen me votën e fshehtë më 25 qershor.”
Së bashku me gazetarin Blendi Salaj ishin të pranishëm dhe folën para të pranishmëve në aktivitet kandidatë e anëtarë të tjerë të partisë Sfida për Shqipërinë si Gjergj Bojaxhi, Ermal Hasimja, Medlir Mema, etj. Sfida për Shqipërinë është e katërta në fletën e votimit, me drejtues administrativ Hektor Ruci.