Zep Blater, i zgjedhur për herë të pestë në krye të FIFA-s, është hedhur në kundërsulm. Të nesërmen e votimit që e nxorri fitues mes zhgënjimit dhe akuzave, ai thotë se “Unë i fal të gjithë, por nuk harroj asgjë”. Sipas tij, ka “një fushatë diskriminuese ndaj FIFA-s, e cila nuk vjen nga një njeri i vetëm, por nga një organizatë si UEFA, e cila nuk arrin ta pranojë faktin që unë zgjidhem në krye të FIFA që nga viti 1998”.
Nga ana tjetër, nuk mungojnë edhe reagimet ndaj skandalit që ka plasur në SHBA, ku zyrtarë të lartë të FIFA janë nën hetim nga FBI amerikane. Blater e ka përgjigjen edhe për këtë dosje të sikletshme. “SHBA vunë kandidaturën për të organizuar Botërorin e vitit 2022 dhe humbën”, akuzon ai tërthorazi. Duke shtuar se “amerikanët janë sponsori kryesor ndërkombëtar i familjes mbretërore të Jordanisë, për pasojë edhe të konkurentit tim kryesor, që ishte jordanez”.









