Nga Ben Andoni
Në një akt të paprecedent, Kosova ka deportuar në Turqi gjashtë shtetas turq. Drejtori i përgjithshëm i Shkollës “Mehmet Akif” në Kosovë Mustafa Erdem; zëvendësi i tij Yusuf Karabina; drejtori i shkollës në Gjakovë, Kahraman Demirez; dy arsimtarët Xhihen Ozkan dhe Hasan Gunakana; dhe gjithashtu mjeku Osman Karakaja, pas vetëm pak orësh e kanë parë veten nga Prishtina me pranga ballë autoriteteve turke në Stamboll për intervistim. E themi të paprecedent sepse çuditërisht të tre burrat e parë të shtetit kosovar lanë duart para publikut me një shfajësim, që i tregonte indirekt se ishin gjithsesi pjesë e aksionit të arrestimit të tyre.
Kryeministri Ramush Haradinaj bëri me dije në publik se i kërkoi raport në detaje respektivisht Ministrit të Brendshëm Flamur Sefaj e atij të Drejtësisë Abelard Tahiri, si dhe AKI-së (Agjencia e Kosovës për Inteligjencë) dhe Policisë e Kosovës për të gjithë. Edhe më i pabesueshëm doli presidenti i vendit, Thaçi që jo vetëm pohoi se Turqia s’i kërkoi kurrë gjashtë gylenistët e arrestuar, porse mohoi të ishte i informuar për arrestimin e mësuesve (!), duke deklaruar se arrestimi ka kaluar thjesht përmes AKI-së dhe Zyrës për Refugjatët në Ministrisë së Brendshme. Ndërsa pohoi për televizionin publik se në fakt Turqia ka kërkuar disa herë arrestimin dhe deportimin e disa shtetasve të Turqisë, por asnjëherë nuk ka marrë emrat e personave që u arrestuan së fundmi…Në Kosovë, flitet se janë dhe dhjetëra emra të tjerë që tashmë janë të rrezikuar nga momenti në moment. Epilogu dihet: të deportuarit tashmë janë në dorë të autoriteteve turke, kurse Haradinaj shkarkoi ministrin e Punëve të Brendshme Flamur Sefaj dhe drejtorin e AKI-së!!! Haradinaj ka bërë më pas Mea Culpa për ikjen në këtë mënyrë të qytetarëve turq, kurse presidenti Thaçi ka qenë më i tërhequr. Ky qëndrim e shtoi inatin e Erdoganit që e ka kërcënuar ashpër dhe publikisht kryeministrin kosovar, duke i kujtuar njohjen e Kosovës dhe mbështetjen, por mbi të gjitha e ka paralajmëruar për akte të tjera të ngjashme. Me pak fjalë, Turqia është shtyrë përtej juridiksionit të saj shtetëror, duke mos e përfillur sovranitetin e Kosovës.
Pak kilometra më tutje, Shqipëria e filloi shumë muaj më parë luftën kundër strukturave gyleniste. Më mirë të thuhet u informua qartë dhe prerë për problematikën e tyre. Historia lidhet me masat që mori Turqia pas Grushtit të Shtetit, ku pushteti i sotëm turk i përfaqësuar nga Erdogan u përgjigj me një dorë shumë të ashpër në vend, kurse i kërkoi aleatëve t’i priteshin mundësitë për financime organizatës FETO. Në vazhdë të kësaj, u përshkruan emrat e gylenistëve në strukturat turke dhe vendase në Shqipëri dhe u përcoll një dokument që u konsiderua për kujtesë e me fuqi këshillimore, i cili përshfaqte përhapjen e gjerë të strukturave paralele në shoqërinë shqiptare. Tirana u gjend disi e papërgatitur prej paraqitjes së rrjetit të fuqishëm që iu prezantua, por më shumë se kaq qejf-mbetjes së fuqisë së madhe ballkanike.
Përplasja, nëse mund të quhet kështu, erdhi pak muaj më vonë. Në një ngjarje që tashmë është harruar për shkak të morisë së lajmeve që prodhohen në vend, një profesor turk u arrestua bashkë me familjen në momentin që largohej në drejtim të Italisë. Shqipëria ekzekutoi vendimin turk, pasi pasaporta e tij ishte pezulluar nga Ankaraja. Muhammed Yasir Aydoğmuş ishte shpallur në kërkim nga Turqia, si pjesë e mijëra turqve të dyshuar për grushtin e dështuar të shtetit. I arrestuari, duke shfrytëzuar konjukturat u tregua i zgjuar: kërkoi azil politik në Shqipëri dhe kjo duket i dha pak frymëmarrje procesit, ndërkohë që e shtoi idhnimin e palës turke. Për fatin e të ndaluarit, ekstradimi nuk u krye sepse Gjykata e Durrësit e la të lirë dhe masa juridike shqiptare shkoi në gjatësi vale të njëjtë me hapësirat ligjore, diktuar nga anëtarësimi në BE dhe disi kundër interesit turk. Asokohe Parlamenti Evropian, me firmën e eurodeputetes Monica Macoevi, kryesuese e Delegacionit të Parlamentit Evropian në Komitetin Parlamentar të Stabilizimit dhe Asociimit BE- Shqipëri, u adresoi një letër autoriteteve shqiptare, në të cilën i kërkonte ta lironte pa asnjë kusht Muhammed Yasir Aydoğmuş dhe i kujtoi Shqipërisë detyrimet për të mos kryer ekstradime për arsye politike. Dhe, ky është handikapi që duhet të kalojnë sot shqiptarët për t’i bërë qejfin Erdoganit.
Ky i fundit e ka skalitur verdiktin e tij përmes një fjalimi për shqiptarët:“Ju jeni në dijeni që ne në Turqi po luftojmë kundër një strukturë paralele që është krijuar. Ne e konsiderojmë zyrtarisht organizatë terroriste që kërcënon shtetin tonë, popullin tonë. Luftën kundër kësaj organizate në vendin tonë dhe kudo do ta vazhdojmë pa ndërprerje. Unë e di që kjo strukturë ka veprimtarinë e vet edhe në Shqipëri, në këtë vend mik dhe vëlla”.
Përmendja e shpeshtë e emrave mik dhe vëlla duket se e ka një qëllim. Shqipëria në të gjitha kalkulimet e saj të së ardhmes, e konsideron Turqinë një vend shumë aleat, por edhe partner të fuqishëm. Me aleancën me Turqinë, Shqipëria zgjidh disi kontrapeshën me Greqinë, që shpesh i vendos përpara problematikën e integrimit evropian. Dhe logjikisht duket një balancë e arsyeshme por jo aq diplomatike. Drejtimi autokrat i Turqisë, si edhe miqësia e saj me Rusinë nuk është se shikohet pa ndonjë vëmendje në Evropë.
Kryeministri Rama e bëri një lëvizje pas kërkesës së parë Erdogan, kur nxori një urdhër për heqjen e të gjitha simboleve kombëtare të vendeve të tjera nga shkollat e universitetet në Shqipëri. Vetë Lëvizja Gylen mbështeste disa shkolla, kolegje e universitete në Shqipëri, të cilat mbanin më parë flamurin e Turqisë. Lajmi ishte shumë i ndjekur, por aktivitetet e gylenistëve nuk u ngacmuan, që do të thotë se shqiptarët sërish nuk ishin aq seriozë për turqit.
Derisa erdhëm më lëvizjen e fundit të kryeministrit Rama në Turqi. Pak ditë më parë, ai bëri një vizitë gati të papritur në Turqi, ku u fol për intensifikimin e marrëdhënieve por edhe ndihmën për Brandin shqiptar të ajrit, që sot e kësaj dite mungon, por edhe investimet e mëtejshme turke. E habitshme është se heshtja që e shoqëroi takimin dhe mungesa e informacionit të kryeministrit shqiptar që mezi i pret të tilla ngjarje, të bën të mendosh se shteti shqiptar tashmë ka marrë urdhra, që me eufemizëm mund t’i themi informacione të reja. Atë që pritet shpejt të zbardhet dhe që me shumë gjasë do mund ta provojnë në kurriz të tyre gylenistët shqiptarë.
Rasti i Kosovës, që shmangu të gjithë institucionet, i tregoi Shqipërisë sesi duhet të veprojë, për “t’i respektuar” obligimet ndërkombëtare. E sikletshme por e vërtetë. Mund të sakrifikohet deri një ministër në Kosovë e Shqipëri, por detyrë primare është kënaqja e Erdoganit. Me sa duket, ka ardhur koha, që gylenistët e Shqipërisë të mendojnë të ardhmen sepse ky vend nuk do jetë më mikpritës për ta. Për të mos thënë që mund të ketë edhe këtu spastrime të shpejta. Dhe, problemet ka të ngjarë të fillojnë që në Komitetin Mysliman akuzuar se gylenistët u kanë hedhur rrënjë, të tilla që duhet të spastrohen për presidentin “e fortë” Erdogan, i cili do jetë vetë në Tiranë për inaugurimin e xhamisë, që e lyp edhe një blatim nderi të dhuratës së tij të vyer. (Javanews)