Fluturie Qinami, 35 vjeçe, prej pak vitesh kishte një dyqan ushqimor në periferi të Tiranës. Në nëntor ajo bëri kërkesën për pezullim aktiviteti. Tashmë është një e papunë. Të pyetur se pse e mbyllën aktivitetin, kryefamiljari i familjes Qinami u përgjigj: “Nuk ka lekë”. Ai shpjegoi se prej kohësh, xhiroja në dyqan kishte rënë ndjeshëm.
Të njëjtën arsye për mbylljen e po të njëjtit lloj aktiviteti pranë ish-stacionit të fundit të Tiranës së Re dha për “Monitor” edhe Klevis Kurti. Për shkak të rritjes së konkurrencës nga rrjetet e mëdha të supermarketeve, ai tregon se “puna ra dhe dyqani nuk e justifikonte më veten për ta mbajtur hapur”. Klevisi, 29 vjeç, deklaron se aktualisht është i papunë.
Edhe dyqanet e tregtisë me pakicë të rrobave po e vuajnë riformatimin e ekonomisë. Në nëntor, Dashamir Sokoli e kaloi gjithashtu dyqanin ku tregtonte rroba në statusin pasiv. Arsyeja ishte sërish tkurrja e xhiros së aktivitetit deri në atë pikë që nuk shlyente dot as detyrimet ndaj shtetit. Pas mbylljes së aktivitetit, Dashamir Sokoli, kryefamiljar, është i papunë.
Situata nuk është e mirë as për ata që ofrojnë shërbimet. Suada Hasa, estetiste, e mbylli aktivitetin pasi tentoi për dy muaj të punonte në një dyqan pranë gjimnazit “Partizani”. Në këtë fushë të veprimtarisë konkurrenca është rritur shumë, duke sjellë mbingopje të tregut.
Fati nuk i eci as Ermirit, i cili sapo mendoi që gjeti zgjidhjen për një punë të qëndrueshme dhe me fitime të mira, duke hapur një bar-kafe dhe loto, qeveria vendosi që të ndalonte këtë aktivitet. Kështu vendosi ta mbyllë aktivitetin pa nisur mirë.
Prej fillimit të vitit dhe deri më 30 dhjetor kanë kaluar në statusin pasiv gati 14 mijë biznese (13,927), të cilat në pjesën më të madhe janë biznese të vogla. Në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka një rritje me rreth 65%.
Mesatarisht, duke përjashtuar fundjavat (kur nuk kryhen veprime tek tatimet), rezultojnë që janë mbyllur reth 57 biznese në ditë.
“Goditja” nga supermarketet
Zinxhiri i supermarketeve të mëdha ka nxjerrë jashtë loje dyqanet ushqimore të lagjeve. Pjesa më e madhe, duke mos konkurruar dot supermarketet që tregtojnë një gamë të gjerë produktesh, shpesh edhe me çmim më të lirë, kanë falimentuar.
Këtë e vërtetojnë edhe shifrat për numrin e njësive tregtare me pakicë. Numri i njësive tregtare që operojnë në sektorin e shitjeve me pakicë ishte 37.4 mijë gjatë 2017-s, rreth 2 mijë njësi më pak se një vit më parë. Në vitin 2013, numri i njësive tregtare me pakicë ishte 35.9 mijë, por edhe në vitin 2014, bizneset me pakicë ishin sërish në rënie, me rreth 1000 njësi më pak.
Me një normë të ulët fitimi, 10% mbi xhiron, dyqanet po e shohin të pamundur të mbijetojnë, duke i shtuar gjithë kësaj situate dhe rënien e fuqisë blerëse, e cila është pranuar nga të gjitha bizneset e kontaktuara nga “Monitor” në sondazhet e zhvilluara me bizneset që kanë pezulluar aktivitetin.
Teuta Kosova, e cila tregtonte produkte ushqimore që nga viti 2003, e mbylli aktivitetin në maj të vitit 2016. Ajo pohon se xhiro ra, për shkak të hapjes së supermarketeve të mëdha.
Durim Rroshi, i cili kishte hapur një aktivitet biznesi ushqimor në vitin 2009, në rrugën ‘Artan Lenja’ dhe funksiononte si biznes i madh, vendosi në shkurt të këtij viti të bënte kërkesën për çregjistrim. Ai pohon se tarifat e larta dhe përndjekja nga tatimorët ndikuan në këtë vendim.
Bledar Kalaja, në rrugën ‘Ferit Xhajko’, është një tjetër mbyllje për shkak të zgjerimit të zinxhirit të supermarketeve të mëdha.
Hapen 17.6 mijë biznese të reja
Por, ndërsa mijëra subjekte të vogla falimentojnë, të tjera happen. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave për të njëjtën periudhë janar-nëntor janë hapur 17,606 biznese të reja.
Ministra raporton 6,915 çregjistrime, por këto janë çregjistrimet zyrtare në Qendrën Kombëtare të Biznesit, ndërsa subjektet që kalojnë në statusin pasiv janë shumë më të larta (14 mijë për 11 mujorin). Bizneset për lehtësi bëjnë kërkesë për të kaluar në status pasiv, pasi çregjistrimi është më i vështirë dhe kërkon që subjekti të mos ketë detyrime.
Ndërkohë dhe bizneset që kanë më shumë se 12 muaj që nuk ushtrojnë më veprimtari tregtare kalohen automatikisht në status pasit nga tatimet. Si rrjedhojë, numri i bizneseve të mbyllura realisht është më i lartë sesa ai që raportohet nga çregjistrimet në QKB.(monitor)/a.meta