Fabrikat e tekstileve dhe këpucëve po përballen me një hendek të fuqisë punëtore. Numri i kontratave të reja po rritet, por gjetja e punonjësve të rinj është vështirësuar. “Dembelizmi” i kompanive që nuk kanë tentuar të mbyllin ciklin dhe të rrisin vlerën e fitimeve bashkë me mungesën e politikave lehtësuese qeveritare do të kushtëzojë rritjen e qëndrueshme të sektorit. Konkurrenca brenda vendit nga call center dhe emigracioni kanë ndryshuar preferencat e të rinjve shqiptarë per fabrikat. Shqipëria nuk mund të vazhdojë të konkurrojë më me avantazhin e krahut të lirë të fuqisë punëtore. Nevoja për të kaluar në një fazë tjetër…
Nga Blerina Hoxha
Epokës së “skllavërimit” në fabrikat e fasonit, të njohura si rrobaqepësitë që mbarojnë porositë për të huajt, duket se i ka ardhur fundi. Bizneset shqiptare të fushës, nuk e kanë shfrytëzuar përvojën e tre dekadave për të mbyllur ciklin dhe për të rritur vlerën e fitimeve, teksa pretendimet e të rinjve shqiptarë shkojnë përtej një page mujore 25 mijë lekëshe dhe një pune stërmunduese në fabrika.
Bizneset e sektorit në të gjithë vendin nga Shkodra në Gjirokastër kanë dhënë alarmin se po përballen me mangësi serioze të fuqisë punëtore. Për shkak të përvojës së krijuar, numri i kontratave të reja po rritet me shpejtësi. Këtë e ka treguar edhe rritja e eksporteve në sektor, me 16 dhe 10% në dy vitet e fundit, por nga ana tjetër, gjetja e punonjësve të rinj është bërë një mision i vështirë.
Jozef Bazhdari, drejtori i prodhimit në Bella Confex në Shkodër, një ndërmarrje me traditë në sektor, pohon se po has vështirësi për të gjetur punonjës. Zoti Bazhdari thotë se ka nisur kërkimet deri në rrethinat e Lezhës, edhe pse fabrika është në mes të qytetit të Shkodrës. “Po i mbuloj kostot e transportit. Edhe pagat i kam rritur. Jap pagesë minimale 1200 lekë në ditë, ndërsa maksimalja i kalon 1700 lekët. Megjithatë, interesi për të punuar ka rënë”, pohoi ai.
Të njëjtën situatë referojnë edhe rreth 20 fabrika të pyetura në qarqet kryesore të vendit, Korçë, Tiranë dhe Durrës, Berat, Shkodër, Fier etj., duke dhënë alarmin se mungesa e fuqisë punëtore po i pengon të zgjerohen dhe po rrezikon qëndrueshmërinë e aktivitetit në të ardhmen.
Sipas të dhënave nga anketa strukturore e ndërmarrjeve, fabrikat e tekstilit dhe këpucëve punësuan 46 mijë persona gjatë vitit 2016 me një rritje vjetore 14%.
Po nga ana tjetër sektori ka kapacitete të zgjerohet gati me 50% në numër punonjësish. Shërbimi Kombëtar i Punësimit raportoi se në vitin 2017 grumbulloi nga bizneset rreth 48 mijë oferta për punë. Gjysma e tyre, më shumë se 25 mijë, u përkasin fabrikave të fasonit. Mirëpo nëse fasonët nuk synojnë të diversifikohen dhe të mbyllin ciklin, do ta kenë gjithnjë e më të vështirë të përmbushin nevojat me kushtet që ofrojnë sot, teksa lëvizja e lirë dhe konkurrenca që po krijohet brenda vendit nga Call Center do ta shterojnë fuqinë punëtore për fabrikat. Me këto zhvillime, Shqipëria po humb konkurrueshmërinë, ku fasoni u zhvillua për shkak të kostove të lira të fuqisë punëtore, kundrejt një pune artizanale për të cilën sot vendet e zhvilluara paguajnë shumë.
Flamur Hoxha, i cili për shumë vite ka drejtuar Shoqatën e Prodhuesve të Veshjeve, pohoi se mosmirëmbajtja e fuqisë punëtore është sfida më e madhe me të cilën do të përballen bizneset. Vite më parë, fasonët duhet të kishin menduar të krijonin ciklin e mbyllur për t’iu përgjigjur kërkesave të kohës me pagat. Zoti Hoxha thotë se ka ardhur koha për ridimensionim të pagesave në sektor edhe pse, nga ana tjetër, vendi humb konkurrueshmërinë në këtë pikë, e cila deri më tani ka ndikuar në zhvillimin e tij.
Të dhënat e përpunuara nga Anketa Strukturore e Ndërmarrjeve tregojnë se të ardhurat nga shitjet e njësive të tekstilit dhe këpucëve janë rritur me rreth 60% nga viti 2010 deri më 2016, ndërsa pagat vetëm me 20%. Paga mesatare në sektorin e fasonit ishte 30.5 mijë lekë, ose 230 euro në vitin 2016, nga rreth 20 mijë lekë që ishin në vitin 2010. Sipas të dhënave zyrtare, kostot e punës zënë rreth 35% të shpenzimeve të fasonit, edhe pse shoqatat kanë artikuluar se ato zënë mbi 70% të tyre. Shpenzimet për pagat në sektorin e industrisë zënë mesatarisht 10% të totalit të shpenzimeve.
Por industria shqiptare e fasonit ka mbetur për tre dekada me radhë nën frenat e dembelizmit, duke bërë vetëm disa procese pune që kërkojnë italianët, duke mos tentuar të mbyllin ciklin e të dalin në tregje të pavarur, sikurse po bëjnë Maqedonia dhe Serbia. Pagat mesatare në sektorin e tekstilit në Serbi dhe Maqedoni janë 350-500 euro, ndërsa në Shqipëri, paga mesatare është vetëm 230 euro.
Fasoni zgjerohet me 60% në 5 vjet, pagat më pak
Sektori i fasonit është zgjeruar me shpejtësi vitet e fundit. Në vitin 2010, të ardhurat nga shitjet në total, sipas raportimeve zyrtare në INSTAT, ishin 26,6 miliardë lekë. Gjashtë vite më pas, në fund të vitit 2016, xhiroja e sektorit arriti në më shumë se 44 miliardë lekë, me një rritje gati 60%.
Po në këto shina ka ecur dhe rritja e numrit të punonjësve. Në vitin 2010, në fason ishin të punësuar zyrtarisht rreth 25 mijë persona, ndërsa në vitin 2016 ishin të aktivizuar rreth 46 mijë persona, me një rritje më shumë se 62%. Rritja e shitjeve ka shkuar në proporcion të drejtë me rritjen e numrit të të punësuarve por, nga ana tjetër, rritja e pagave ka ecur me ritëm më të ngadaltë.
Në vitin 2016, shpenzimet mesatare neto në sektorin e fasonit ishte rreth 25 mijë lekë, ose gati 72% më e ulët se paga mesatare në shkallë vendi që, në vitin 2016, arriti në 45 mijë lekë.
Në industrinë shqiptare të fasonit, pagat janë më të ulëta se fqinjët, gati sa gjysma e atyre që ofrohen në Mal të Zi dhe Serbi, dy vende ballkanike që kanë aplikuar një strategji të mirëmenduar për zhvillimin e sektorit, duke pranuar vetë investime me ciklin e mbyllur dhe për marka të njohura si Pompea dhe Geox. Ne Maqedoni paga mesatare ne sektor shkon ne mbi 500 euro sipas te dhënave te agjencisë së statistikave në Maqedoni. Ndërsa sipas te dhënave zyrtare ne Serbi paga mujore per nje punonjës ne fason shkon 300-500 euro.
Biznesmeni Hoxha, i cili drejton kompaninë e prodhimit të veshjeve KLER, thotë se jemi ende në kohë për përmirësim. Ai pohoi se Shqipëria e ka të lidhur tregtinë e fasonit me vendet e zhvilluara të BE-së që janë një burim i besueshëm për të bërë shitje me vlerë të shtuar. Zoti Hoxha tha se, ka krijuar ciklin e mbyllur të prodhimit të këmishave për tregjet e Europës, çka i ka dhënë mundësi atij të gjenerojë paga më të larta për të mirëmbajtur dhe për të shtuar fuqinë punëtore.
Konkurrenca nga Call Center
Para një dekade, në dyert e rrobaqepësive kishte gjithmonë gra që interesoheshin për punë, edhe pse paga, sot e asaj dite, siguron vetëm mbijetesën. Për të femrat e viteve 1990, të mësuara me kulturën skllavëruese të kooperativave bujqësore të monizmit, zhvendosja në fabrika ishte një zgjidhje e mirë, sidomos për ato që u zhvendosen nga rrethet drejt Tiranës. Migrimet masive trefishuan popullsinë në rajonin Tiranë-Durrës, duke krijuar një mbiofertë për punë, duke bërë që industria e fasonit të lulëzojë kundrejt pagesave të ulëta.
Pas vitit 2000, kushtet ndryshuan. Ekonomia kaotike e tregut nisi të strukturohej, kur në Shqipëri filluan zhvillimet e vrullshme në sistemin bankar dhe telekomunikacione. Nga gjeneratat e lindura pas viteve 1990, të rinjtë e sotëm kanë pretendime të tjera, që tejkalojnë pagesat dhe kushtet që ofrojnë rrobaqepësitë. Teksa një lloj fasoni tjetër, Call Center, ofrimi i shërbimeve dhe konsulenca për kompani të huaja ka orientuar forcën e punës drejt tij, duke u shndërruar një konkurrent i fortë ndaj fabrikave. Në sektorin e Call Center, aktualisht janë të punësuar mbi 25 mijë persona. Falë zotërimit të një gjuhe të huaj dhe aftësive komunikuese, të rinjtë e sotëm janë punësuar masivisht në Call Center. Paga mesatare në këtë sektor, sipas INSTAT, është 70 mijë lekë në muaj, më shumë se dyfishi i pagës mesatare në fason.
Administratorët e kompanisë Naber në Durrës, pohuan se janë në vështirësi për të gjetur punonjës dhe se po përjetojnë një hendek në forcën e punës. Nazmi Grori, i cili zotëron tre kompani të mëdha që ofrojnë shërbimet e rrobaqepësisë në Durrës, thotë se ka 300 vende pune të paplotësuara. Ai pohon se ka vështirësi për gjetjen e punonjësve, teksa kontratat e shitjes janë shtuar. Z. Grori tha se të rinjtë që jetojnë në qytet e kanë për fyerje të punojnë në fason, edhe përkundrejt një page më të mirë, ndryshe nga një dekadë më parë, ndërsa të rinjtë e fshatit parapëlqejnë të merren me bujqësi dhe me detyrimet në shtëpi në vend të punës në fabrikë.
Emigracioni
Administratori i kompanisë Naber pohon se vitin e kaluar, rreth 100 punonjës të fabrikës ikën në emigracion. Ai thotë se me heqjen e vizave, shumë të rinj po ikin jashtë vendit. Të njëjtin shqetësim ngriti edhe Thoma Marku, administrator i kompanisë Marku Konfeksion nga Korça. Ai tha se dekurajimi për të punuar në fabrika dhe emigracioni i lartë, janë shkaqet që po pakësojnë punonjësit në fabrika. Marku pohoi se të gjitha bizneset e fasonit në Rrethin e Korçës janë në vështirësi. Në Korçë janë dhjetëra biznese tekstili dhe këpucësh që punojnë kryesisht me Greqinë.
Sipas tij, kontratat për punë po rriten, por zgjerimi i mëtejshëm nuk mund të bëhet pa shtuar punonjësit. Ai e përjashtoi faktin e pagave të ulëta, pasi sipas tij, pagat në sektor janë më të larta se paga minimale e qeverisë. Punonjësit profesionistë marrin deri në 16-17 mijë lekë në ditë, pohoi ai.
Statistikat e sakta mbi efektin në popullsi të emigracionit gjatë kësaj dekade do t’i mësojmë në Censusin e vitit 2021. Megjithatë, të dhënat nga INSTAT mbi hyrje-daljet e shqiptarëve jashtë vendit, tregojnë se gjatë viteve 2014-2016, tendencë që ka vijuar edhe për 2017, numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendit nga pikat e kalimit kufitar është shumë më i lartë se kthimet e tyre në këto pika.
Diferenca ndërmjet hyrje-daljeve tregon se një numër i madh shtetasish shqiptarë janë larguar nga vendi dhe nuk janë kthyer më. Gjatë vitit 2014, udhëtuan jashtë vendit më shumë se 4 milionë shqiptarë, teksa për të njëjtin vit janë kthyer në vendin tonë 3 milionë e 872 mijë shtetas shqiptarë. Flukset e emigracionit u zbutën disi më 2016, teksa diferenca mes hyrje-daljeve ishte 259 mijë persona, por në 2017-n u rrit sërish në 373 mijë persona.
Forca e punës në rënie
Fabrikat e fasonit punësojnë masivisht gra përveç disa proceseve të vështirë që kërkojnë burrat, por ata numërohen me gishtat e dorës. Emigracioni i lartë dhe rënia e lindjeve pas viteve 1990 ka sjellë uljen fizike të forcës së punës edhe te femrat.
Sipas statistikave të popullsisë të INSTAT, forca e punës për gratë e moshës 15-54 vjeç ka rënë me mbi 22 mijë persona në fillim të këtij viti në raport me 2014-n, por rënia duhet të jetë edhe më e madhe për shkak se shumë të rinj janë larguar nga vendi, teksa nuk e kanë shkëputur ende gjendjen civile nga Shqipëria. Në janar 2018, sipas INSTAT, numri i femrave në vend ishte 984,960. Nga këto, 51% ose më shumë se 502 mijë janë të punësuar tashmë. Forca e lirë e paangazhuar është 482 mijë persona, rreth 60 për qind e tyre janë mbi moshën 45 vjeç, të cilat nuk parapëlqehen për t’u rekrutuar për herë të parë nga fabrikat.
Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2017, popullsia në grupmoshën nga 15-44 vjeç, që është pjesa më energjike e tregut të punës, ra me 162 mijë persona në krahasim me vitin 2001, ose me 11.6%. Rënien më të fortë shihet ta ketë grupmosha 15-19 vjeç, me më shumë se 24%. Më tej, rënie të madhe ka pësuar popullsia në moshën 35-45 vjeç, kur në vitin 2017 numërohen 330 mijë persona më pak se në vitin 2001.
Më pas, struktura e popullsisë në moshë pune shënon rritje të fortë për moshën 45-64 vjeç, duke u shtuar me 208 mijë persona ose 38% në krahasim me vitin 2001.
Struktura e popullsisë në moshë pune është përfshirë në një tranzicion të thellë, duke lajmëruar se pas dhjetë vitesh do të krijohet hendek për zëvendësimin e atyre që dalin në pension.
Popullsia në moshë pune do të bjerë me një ritëm pak më të shpejtë se sa popullsia e përgjithshme, me më shumë sesa 18% në pothuaj të gjitha qarqet, përveç atyre që e shtojnë popullsinë nëpërmjet migrimit (Tirana, Vlora dhe Durrësi). Tirana është qarku i vetëm në të cilin parashikohet rritje e konsiderueshme në forcën potenciale të punës (me 20% deri në vitin 2031, sipas skenarit normal me shpërndarje gjeografike dhe emigrim konstant brenda vendit). Rënia më e fortë në forcën e punës parashikohet për Gjirokastrën (me -43%), si dhe për Beratin dhe Dibrën (me të paktën -30%). Por ecuria e deritanishme tregon një përkeqësim të treguesve të popullsisë në raport me skenarin bazë të parashikimeve të INSTAT./Monitor/a.m.