Udhëheqësit e biznesit kanë shprehur bindjen e tyre që ekonomia kineze po mëkëmbet .
John Agwunobi, kryezyrtari ekzekutiv i kompanisë “Herbalife Nutrition”, e cila do të marrë pjesë për herë të tretë në CIIE, thotë: “Shohim me kënaqësi rimëkëmbjen (e Kinës) dhe që ekonomia e bizneset po rifillojnë. Jemi shumë të kënaqur që vërejmë se masat e marra nga presidenti Xi Jinping kanë pasur efekte në ekonomi.
Partneri drejtues i zyrës së Shangait të degës së kompanisë “PwC” në Kinë, Elton Huang, shprehu bindjen se ekspozita e importit në Shangai është një sinjal që ekonomia kineze po kthehet në gjendjen normale, duke treguar prirjen afatgjatë të zhvendosjes së tregtisë globale nga Perëndimi në Lindje.
Huang shtoi që, me krijimin e një platforme ndërkombëtare për importin, CIIE tregon potencialin e tregut kinez. Ajo ndihmon të ulet pragu i hyrjes, në mënyrë që ndërmarrjet e vogla e të mesme të huaja të futen në tregun kinez në mënyrë më efektive.
Sipas Agwunobi-t, CIIE ka ofruar një mundësi të vyer për kompaninë e tij që të njihet me produktet e teknologjitë më të fundit të sektorit, si edhe që të hyjë më kontakt me shumë importues dhe partnerë kinezë.
Kurse Huang e konsideron CIIE-në si një rast unik për zgjidhje digjitalizimi që fokusohen te kërkesat e klientëve. “Në periudhën pas COVID-19, digjitalizimi do të shpejtohet dhe CIIE do të ndihmojë shumë ndërmarrje të përqendrohen më shumë tek ky sektor,” thotë ai.
Ekspozita e 3-të Ndërkombëtare e Importit e Kinës do të fillojë të enjten dhe do të përfundojë të martën e ardhshme. Edhe pse në kushtet e epidemisë, zona e ekspozimit do të jetë 14 % më e madhe se vitin e kaluar. Rreth 70 % e sipërmarrjeve që përfshihen në listën e 500 kompanive më të fuqishme të revistës “Fortune” do të marrin pjesë në këtë veprimtari me produktet e tyre të fundit.