Përgjigje Ardit Bidos mbi përpjekjen e tij për të çmitizuar Heronjtë e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare.
Reagime nga Paskal Milo, Xhevdet Shehu, dhe Jorgo Mandili. Qemal Stafa është vlerë kombëtare e patjetërsueshme dhe cënimi i saj nuk i bën nder drejtorit të përgjithshëm të Arkivave të Shtetit. Aq më keq kur kjo deklaratë u bë në ditën e dëshmorëve të kombit.
Bidoja është zyrtar dhe funksionar i lartë i shtetit dhe duhet të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Kur flet Bidoja, popullit i duket se flet Edi Rama. Dhe populli të pyet, zoti Kryeministër: A je dakord me këto qëndrime të Bidos? Nëse jo, mbaj qëndrim!
Birbot!
Nga Xhevdet Shehu
Nuk gjej dot fjalë tjetër më të përshtatshme për ca njerëz të paditur dhe me inate të nënkuptueshme për të kthyer përmbys, në mos për të fshirë tërësisht historinë tonë. Nuk është hera e parë që ndodh kështu. Ka tridhjetë vjet që përsëritet i njëjti avaz i mërzitshëm, monoton dhe ngulmues me të vetmin synim: Përmbysjen e historisë! Përdhosjen e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare dhe të dëshmorëve dhe heronjve të saj.
Populli i quan me përbuzje njerëz të tillë si birbo. Dhe nuk ka përcaktim më të saktë për njerëz mendjelehtë dhe të cekët maksimalisht, për njerëz pa asnjë ideal.
Ky reagim mori shkas nga një prononcim në TV i drejtorit të Arkivave të Shtetit, Ardit Bido. Pardje, ky djalosh anonim që nuk dihet se si është emëruar në këtë post të rëndësishëm shtetëror dhe që çuditërisht vazhdon ende ta mbajë prej pesë vjetësh, deklaroi se: “Miti i Qemal Stafës është një ndër mitet më absurde që kemi ne. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik siç mund të themi për Vasil Laçin që i doli para Mbretit të Italisë dhe donte ta vriste. Me rastin e Qemal Stafës nuk kemi të bëjmë as me ndonjë përleshje, por është vrarë nga xhandarmëria. Nuk kemi të bëjmë me një dyluftim ballor. Nuk kemi të bëjmë me një akt heroik dhe patriotik”.
Deklarata e tij përveç se e cekët dhe me mungesë të theksuar informacioni, është dhe një dëshmi tjetër trishtuese që u bashkohet atyre që tentojnë të ulin vlerat e LANÇ dhe të ngrenë pjesën kolaboracioniste të Luftës II Botërore.
Bido, një 34 vjeçar, ish-këshilltar i Shpëtim Idrizit, u emërua si përfaqësues i PDIU drejtor i Arkivës së Shtetit nga Rama në shtator 2016.
Vetëm me deklaratën e djeshme ky individ mund të konsiderohet sa i papërgjegjshëm aq dhe infantil sa në politik, aq dhe në formimin e tij. Intelektual nuk mund të jetë kurrsesi. Njerëz të tillë e turpërojnë qeverisjen aktuale gjoja socialiste dhe në mbrojtje të vlerave antifashiste të këtij vendi. Nuk u shtoj asnjë presje konsideratave që kanë dhënë në këtë forum Prof. Paskal Milo, një historian par escellence për periudhën e Luftës së Dytë Botërore, apo kolegut tim Jorgo Mandili.
Kryeministri Rama, i cili gjatë fushatës së fundit është shprehur më shumë se një herë vendosmërisht në mbrojtje të Luftës Antifashiste dhe të heronjve të saj, duhet të jetë skandalizuar nga kjo deklaratë dhe duhet të mbajë qëndrimin që i takon ndaj këtij nëpunësi të rëndësishëm të administratës që ai drejton dhe t’i tregojë vendin. Përndryshe kemi të bëjmë me një hipokrizi. Mund të quajë lajthitje deklarimet e Neritan Cekës për një sërë arsyesh, qoftë dhe për faktin se nuk është historian dhe seç ka ca qejfmbetje të vjetra dhe të reja, ca lidhje e çlidhje me regjimet e kaluara dhe të sotme, por nuk mund të tolerohet kjo e Bidos.
Bidoja është zyrtar dhe funksionar i lartë i shtetit dhe duhet të mbajë përgjegjësi për ato që thotë. Kur flet Bidoja, popullit i duket se flet Edi Rama. Dhe populli të pyet, zoti Kryeministër: A je dakord me këto qëndrime të Bidos? Nëse jo, mbaj qëndrim!
E pra, pajtohem tërësisht me të gjithë ata që i quajnë birbo këta torofillakë të lajthitur. Duhet ta kuptojmë më në fund se këta birbo na kanë marrë më qafë dhe do të vazhdojnë të na sjellin fatkeqësi edhe në të ardhmen, nëse do të lejohen të na tunden e shkunden si personalitete që nuk kanë asnjë vlerë as atdhetare, as intelektuale dhe as qytetare.
Bidoja nuk ka fyer vetëm Qemal Stafën, por të gjithë dëshmorët!
Prof. Paskal Milo
Jam i befasuar nga deklarata e kolegut dhe mikut tim, njëherazi Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Qendror te Shtetit, Ardit Bido. Mendova se nisur nga ofiqi i lartë zyrtar që mban në atë institucion të kujtesës kombëtare e të vlerave identitare të jashtëzakonshme të historisë e traditës kombëtare do të ishte gjetur ndonjë dokument serioz që do të vërtetonte se Qemal Stafa kishte pas qenë një agjent i SIM-it të pushtuesve fashistë italianë. Ose më keq mendova se ishte rekrutuar e vënë në shërbim të tyre që kur ishte student në Firence. Gjithashtu mendova se mos vallë gjithë historia e këtij djali të ri akti i tij trimëror i përballjes në gjyqin politik të regjimit zogist nuk ishte veçse një farsë.
U kujdesa të shoh se mos kishte ndonjë akt tradhtie apo denoncimi të shokëve të tij antifashistë nga ata të asaj liste të gjatë të të arrestuarve antifashistë që u përplasën në burgjet italiane të fashizmit menjëherë pas vrasjes së tij?
U përpoqa shumë të gërmoja në arkivin tim të Luftës por nuk gjeta që nuk gjeta ndonjë akt komprometues të tij që të mos meritonte plumbat e fashizmit.
Nuk më mbeti tjetër veç të shprehja një keqardhje të thellë për lajthitjen e kryegardianit të vlerave tona materiale e dokumentare të traditave tona kombëtare. E quaj lajthitje e jo më shumë sepse nuk dua të besoj që pavarësisht nga bindjet politike që mund të ketë z.Bido, ai përfaqëson një institucion shtetëror të rëndësishëm që duhet të mbrojë vlerat e kombit dhe të shtetit.
Qemal Stafa është vlerë kombëtare e patjetërsueshme dhe cenimi i saj nuk i bën nder drejtorit të përgjithshëm. Aq më keq kur kjo deklaratë u bë në ditën e dëshmorëve të kombit. Nuk është fyer vetëm Qemal Stafa, por të gjithë dëshmorët dhe vetë Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare shqiptare.
Unë jam frekuentues i rregullt i sallës së studimit të Arkivit Qendror dhe jam edhe dëshmitar i progresit që është bërë në përpunimin dokumentar, në ruajtjen dhe administrimin, në modernizimin e shërbimeve etj. Po kështu kam bashkëpunuar në projekte të ndryshme me zotin Bido dhe institucionin që drejton dhe e kam përgëzuar për arritjet.
Por këtë herë si ish-profesor i tij, si koleg dua t’i them:
Gabove i nderuar! Por nuk është vonë të kërkosh ndjesë!.
Po sulmojnë pinjollët e etërve “lugetër të fashizmit”
Jorgo Mandili
“Kush bie për Atdheun, ai ka fituar diçka të shenjtë që nuk mund ta fitojë çdo njeri, të drejtën që populli të shkojë dhe të përulet me respekt të thellë para Dëshmorëve të Atdheut”… Ky është shpërblimi që populli ju detyron për sakrificën supreme që keni bërë për liri. Lavdi e përjetshme për dëshmoret e kombit tonë që dhanë jetën për popullin dhe për Atdheun!”. Populli i nderon, i kujton e monumente lavdie u ka ngritur.
Sado që të përpiqen sot pinjollët e etërve “lugetër të fashizmit”, për t’i bërë “tradhtarët heronj dhe heronjtë tradhtarë” është zor të gënjesh njerëzit dhe të ndryshosh historinë. Ne nuk dyshojmë aspak se ky koncert urrejtjeje kundër LANÇ-it, s’ka si të mos jetë produkt i një politike të menduar mirë, aq më tepër kur shikon se avokat mbrojtës i tyre u bë edhe kryeministri me nderimin e Mitat Frashërit… Kaq duan “mutacionet kolaboracioniste” – të ushqyer me “elementët qelizorë qeveritarë” kthehen në “minj gjirizesh kolaboracionistë” duke rrëmuar, stisur, fshirë, tjetërsuar fakte, dokumente, dëshmi etj., për t’i bërë heronjtë tradhtarë dhe tradhtarët heronj”. Këta “antikomunistë”, që përdorin të njëjtat metoda të komunistëve. Dhe janë më të këqij se çdo gjë e bëjnë tinëz dhe fshehurazi.
E tillë është edhe përpjekja e fundit e “minjve të këtij gjiri i kolaboracionist” për të çmitizuar Heroin e Popullit, Qemal Stafa ” … Nuk ka filluar tani një gjykim im i tillë … Ka kohë menjëherë pas 90 … Me dyshimet mbi vrasjen për tradhti nga Enveri,mbi shkrimet e tij duke vënë në diskutim autorësinë e tyre ,për inteligjencën e tij etj … Por ditët e fundit dolën hapur dhe qartë, pa asnjë ekuivok- çmimi imi i Qemal Stafës do të thotë të mos ketë 5 maj – ditë të dëshmorëve (ashtu siç nuk ka edhe ditë të Republikës), do të thotë në instancë të fundit – mohim i LANÇ- it – tmerrit, makthit, zemërimit dhe tërbimit të tyre që i gropos etërit e tyre në “varrezat e fashizmës” (Noli). “Për mua Lufta Antifashiste Nacionalçlirimtare është e shenjtë mbi të shenjtat. Është ndër luftërat më të mëdha dhe me ideale humane më të larta nga të gjitha luftërat”. (D.Agolli)”..
O, të mjerë e të përmjerë !
Çfarëdo përpjekjesh të bëni, njerëzit nuk ua vënë veshin. Historia e LANÇ-it është e shkruar me gjakun dhe sakrificat e dëshmorëve dhe luftëtarëve të lirisë së atmëmëdheut.
Tani është vonë që t’u ngrini monumente lavdie tërë Petain-eve të Shqipërisë, etërve shpirtërorë e biologjikë të këtyre “minjve të gjirizave kolaboracioniste”? A mund t’u ngrihen monumente lavdie Petain-eve shqiptarë, që u pasuruan gjatë okupacionit, duke u përulur përpara oficerëve gjermanë dhe duke u dëfryer së bashku me ta në shtëpitë e tyre, që pranonin prej tyre ryshfete dhe bakshishe dhe që sot ata përpiqen që tradhtisë së tyre t’i jepet vula e nderit.
A mund t’u ngrihen monumente lavdie Petain-eve shqiptare, që kanë patur frikë për lëkurën e tyre, për pasuritë e përfituara pandershmërisht dhe shpesh të fituara nga martirizimi i njerëzve që nuk u bindeshin ballistëve apo padroneve të tyre?
Këta janë ata që pinjollët pasardhës të tyre kërkojnë t’u pastrohet fëlliqësia e tyre, të hakmerret tradhtia e tyre, të nderohet poshtërsia e tyre. Të vjen neveri kur sheh përpjekjet e bijve të Petain-eve për t’i bere heronj të parët e tyre.
Janë ende të dëshpëruar nga humbja dhe të mërzitur nga Nacionalçlirimtarja. Por më të zemëruar me popullin që nuk i beson pallavrat e tyre kur ajo Lufta, heroizmi, dëshmorët, heronjtë, 5 maji, 29 nëntori, janë ende e gjallë tek veteranët e luftës dhe tek pasardhësit e tyre, që e kanë për nder që mbajnë dekoratat e luftës e medaljet e trimërisë. Ajo akoma mban erën e gjakut të derdhur nga të tjerët, kur Petain-it i’ kthyen shpinën LANÇ-it dhe u bashkuan me pushtuesit. Kur ata luftonin e binin dëshmorë për atmëmëdheun, këta hanin, pinin e kurvëronin me pushtuesit.
Çfarë kërkojnë tani pasardhësit e Petain-eve shqiptarë kur “ata ranë si shahitë të luftës fashiste dhe nuk kanë asnjë shpresë që të ngjallen si lugatë nga ndonjë luftë e afërme reaksionare. “Pra, mos u a varni torbën, por u tregoni vendin dhe vendi i tyre është në varret e fazhizmës “.(Noli)
Këtë ata e dinë mirë, por si burracakë që janë, si etërit e tyre, nuk i shohin dot me sy heronjtë. Ky është një ves kolaboracionist, që del bashkë me shpirtin.Por deri atëherë …
PËRJETËSISHT NË BALTËN E TRADHTISË
As sot, as mot, as kurrë…
As përpjekjet për të ndryshuar të vërtetat historike mbi Luftën Antifashiste të popullit shqiptar, duke synuar t’a paraqesin atë si luftë vëllavrasëse dhe kriminale
As me çmitizimet e heronjve, si Q. Stafa etj ,as me listat e komandantëve e luftëtarëve,të cilësuar e të selektuar nga ju si “kriminelë” ,as me bejtet e “trimëritë”e mbledhura nga Enver Lepenica në librin e tij për këto “vegla më të poshtra e më të ulta të gjermanëve ”
As me “plehrat”e grumbulluara e të selektuara nga “minjtë kolaboracionistë” të arkivave,as me dekorimet e presidentëve të paemër e mendjecektë dhe as me aktëmortetet ceremoniale të kryeministrit socialist.
As me “shakatë pa kripë” të godoleshëve, gjekleshëve, markleshëve e gjithë tufëleshëve të zemëruar e të dëshpëruar
E , as paratë nuk mund t’a ndryshojnë rrjedhën e ndyrë të lumit të ballistëve, tradhëtarëve dhe kolaboracionistëve të Shqipërisë, që janë “masturbuar” politikisht me të gjithë pushtuesit e saj gjatë epopesë së lavdishme të Aleancës së Madhe Antifashiste Botërore, ku komunistët u rreshtuan në ballë të kësaj aleance dhe e udhëhoqën popullin drejt çlirimit të Atdheut….” pjesëmarrja ka qenë në nderin e saj. Kjo është e vërteta që jep historia.”(I.Kadare ) ,nuk mund t’i ringjallin etërit tuaj që janë “varrosur bashkë me fashizmën”(Noli)
“Jo, vallahe / s’ua dum surratin :Buallicat në baltë e kanë rehatin! (Daj Ceni)
Ne këtë baltë të tradhtisë do t’i lërë populli përjetësisht !