Këtë të hënë, bizneset dhe kontabilistët janë përballur sërish me probleme me shërbimet online të portalit e-Albania. Sistemi elektronik i fiskalizimit ka dalë përsëri jashtë funksionit.
“Në këtë moment që po flasim, platforma qendrore e faturave elektronike nuk po funksionon. Kjo sjell probleme të natyrave të ndryshme. Për biznesin është problem shumë i madh. Vonohen në dorëzimin e librave”, tha Avni Tobli, kontabilist.
“Faqja nuk punon. Ne ditët i kemi precize, deri në datë 10 duhet të kemi bërë deklarimet. Në momentin që nuk hap dot Self Care është e pamundur”, tha Etleva Treska, kontabiliste.
Në një përgjigje të dhënë javën e kaluar për mediat, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit tha se ngarkesa vjen kryesisht në fillim të muajit, pasi të gjithë subjektet futen në platformën SelfCare për të marrë faturat e shitjes dhe blerjes dhe sipas AKSHI kjo procedurë mund të kryhej në vazhdimësi gjatë muajit. Por, kontabilistët thonë se kjo nuk mund të aplikohet për shkak të afateve dhe kërkojnë nga AKSHI të përforcojë sistemet.
“AKSHI duhet të mendojë seriozisht për rritjen e kapacitetit. Sepse natyrisht që nga data 1-10 të muajit mars të gjitha subjektet përpunojnë muajin e kaluar. Natyrisht që në këtë periudhë do futen subjekte, se pas datës 10 penalizohen se i kanë me gjobë raportimet. Dihet që datat e pikut janë 1-10 dhe nuk është justifikim që s’kemi kapacitete në këto data”, tha Tobli.
“Ne kemi probleme në të gjithë periudhën. Duhet të ishte llogaritur kur ka fluks. Nëse nuk mban kapacitetin e plotë atëherë ka diçka që nuk shkon”, u shpreh Treska.
Teksa kjo situatë, me mosfunksionimin e shërbimeve, është bërë e vazhdueshme në tre muajt e fundit, kontabilistët kërkojnë zgjidhje alternative dhe madje edhe tek rikthimi tradicional i shërbimit.
“Duhet me patjetër që AKSHI, duke parë problematikën, të shikohet një version, në raste të veçanta edhe të kthimit të bllokut të faturave tatimore. Sepse unë shkruaj faturën dhe nuk e printoj dot, nuk bëj dot shitje”, shtoi Tobli.
“Kërkojmë mënyra alternative në momentin që nuk funksionon. Për ato raste kur nuk funksionon si shërbim, të na jepet rrugë alternative. Nuk mund të jemi: 5 minuta punon, pesë minuta nuk punon”, tha Treska.
AKSHI ka deklaruar gjithashtu se janë në komunikim me Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve për të adresuar ndikimin e këtij problemi tek tatimpaguesit, por kontabilistët thonë se presioni që kanë mbi afatet është i madh dhe nuk ka shtyrje të afatit për të shmangur penalitetet.











