Një turist francez është rrëzuar nga një shkëmb në majën e Qorës në Llogara dhe për pasojë ka humbur jetën. Francezi i cili ishte pjesë e një grupi prej 9 turistësh është rrëzuar në greminë dhe për pasojë ka marrë dëmtime në kokë.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:45 ndërsa menjëherë në ndihmë të tij kanë shkuar efektivë nga stacioni policor dhe urgjenca e Orikumit, reparti Delta, dhe punonjësit e zonave të mbrojtura. 67-vjeçari me iniciale A.T është nxjerrë i gjallë nga gremina ndërsa në ndihmë të tij ka ardhur një helikopter.
Ai për disa orë është mbajtur nën kujdes pasi mjegulla ka bërë të pamundur uljen e helikopterit që do të bënte transportimin e tij drejt spitalit. Në pamundësi të uljes së helikopterit turistin kanë nisur ta zbresin në krahë por ai ka humbur jetën rrugës, pasi nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të rënda në kokë.