Nëse parlamenti i ri do të ndërmarrë një reformë zgjedhore, ndryshimet ligjore duhet të fillojnë menjëherë në shtator. Zëvendëskryetari i KQZ-së, Denar Biba thotë në një intervistë për Shqiptarja.com se dy vjet kohë deri në zgjedhjet lokale duhet të përdoren për testim të praktikave të reja.
Biba nuk është dakord për votim elektronik, por thotë se identifikimi dhe numërimi elektronik janë të mjaftueshëm dhe të mundshëm. Sa i takon sistemit zgjedhor, Biba, si një nga njohësit e mirë të proceseve zgjedhore dhe përfaqësuese, shprehet se qoftë sistemi proporcional kombëtar me prag më të lartë, qoftë ai me prim, është i mirë për të përfaqësuar maksimalisht vullnetin e qytetarëve e po ashtu për krijuar ekuilibra të mazhorancave të qëndrueshme.
Zz.Biba nga raporti paraprak i OSBE-së u përcaktua se kjo fushatë funksionoi kryesisht mbi marrëveshjen politike duke shmangur shumë elementë ligjorë dhe kushtetues, ju ishit një prej subjekteve dhe individëve të prekur nga marrëveshja politike. Së pari a ju vjen keq që u larguat dhe a mendoni se dorëheqja juaj i shërbeu për mirë procesit më pas?
-Të gjithë e kujtojmë veçanërisht ne që ishim në krye të detyrës për të administruar procesin zgjedhor, KQZ në atë kohë kryetar, që fushata nisi relativisht vonë, ishte e paparë ndonjëherë kur opozita kërcënonte të mos hynte në zgjedhje dhe nga ky këndvështrim, posaçërisht nga ky këndvështrim marrëveshja politike ishte e mirëpritur dhe e ç’tensionoi krejtësisht situatën duke na bërë të gjithë ne por edhe qytetarët, unë e kam marrë këtë si perceptim edhe literalisht të shprehur që fushata dhe zgjedhjet e 2017 ishin ndoshta zgjedhjet më të qeta të verifikuara ndonjëherë në udhëtimin tonë demokratik nga 1990 edhe këtej. Marrëveshja ishte pozitive. Natyrisht nga këndvështrimi i së drejtës gjërat duhet të jenë të parashikuara hershëm dhe të njohura nga të gjitha palët dhe e parë kështu një marrëveshje e cila as nuk u sanksionua në parlament, mbeti në sferën politike të marrëdhënieve por ishte një marrëveshje që pati një pozitivitet të padiskutueshëm. Madje unë do të thosha që do të ishte e udhës që në prag të çdo zgjedhjeje palët të binin në një paqeti të tillë politikisht sepse marrëveshja tregoi gjithashtu se kur politika dëshiron, fushatat bëhen të paqta dhe ecin ashtu sikur duhen dhe jo me dinamika pa vlerë për demokracinë. Nga ana tjetër marrëveshja e vuri në situatë të vështirë KQZ, ku ne na u desh të merrnim disa vendime veçanërisht në lidhje me afatet, me pranimin e subjekteve që deri në atë kohë nuk ishin regjistruar, që ne pranuam njëzëri t’i regjistronim përtej afateve të përcaktuara nga ligji. Shqipëria është një vend i ri në përballjen me demokracinë dhe besoj se të gjitha këto janë problematika që në një mënyrë ose në një tjetër duhen kaluar dhe le t’i marrim me një lloj sportiviteti se ç’mund të themi më shumë se kaq.
-Po më thoni që edhe individualisht e keni marrë me sportivitet largimin?
Individualisht, do të isha hiprokit që unë të thosha jam i lumtur për atë që më ndodhi mua personalisht, por nga ana tjetër unë e kam thënë edhe në tekstin e dorëheqjes dhe i qëndroj e sot e gjithë ditën se interesat të vogla individuale shpesh meritojnë të lihen mënjanë përpara interesave të mëdha kombëtare. Dhe kështu ishte edhe ky rast.
-Megjithatë, ju prisni që arbitri, që është OSBE/ODHIR të flasë në shtator. Por ju keni të dhënat tuaja, perceptimet tuaja, edhe syrin tuaj profesional, si ishin këto zgjedhje në aspektin profesional?
Më lejo ti marr të gjitha një nga një, elementë pozitiv që sollën këto zgjedhje. Këto zgjedhje për herë të parë u bënë në dritën e ligjit për dekriminalizimin. Për herë të parë KQZ dhe partitë politike paraprakisht edhe me ndihmën e Prokurorisë, bënë filtrimin paraprak të të gjitha listave shumëemërore të të gjithë kandidatëve dhe me kënaqësi më duhet të pranoj që të paktën nga këndvështrimi i ligjit për dekriminalizimin dhe i veprave penale të ndodhura në Republikën e Shqipërisë asnjë prej deputetëve aktual nuk është subjekt i ligjit për dekrimnalizimin. Pra kjo ishte gjë e mirë. Tjetër anë pozitive i këtyre zgjedhjeve ishin shpenzimet shumë të pakta, ne të gjithë, përfshirë edhe ne si qytetarë dhe jo vetëm unë si menaxher i zgjedhjeve, ish-kryetar dhe aktualisht nën kryetar i KQZ, por ne si qytetarë jemi të gjithë të qartë kur themi se këto ishin ndoshta zgjedhjet, them ndoshta sepse nuk kemi statistikë, por qartësisht zgjedhjet më të lira që janë zhvilluar ndonjëherë në Republikën e Shqipërisë, zgjedhje demokratike një fushatë e qetë pa banderola, pa flamuj, pa mitingje, koncerte dhe kështu me radhë. Dhe njerëzve ju dhanë një lloj sensi më pozitiv për zgjedhjet, dhe nuk na kujtuan si zgjedhjet e dikurshme fushata gati mesjetare përplasje ushtrish plot flamuj shumëngjyrësh. Pra ishte një fushatë e lirë, kjo shkak për ndryshimin e ligjit në lidhje me financimin e partive politike. KQZ ka angazhuar gjithashtu ekspertë, të shpresojmë nga më të mirët në vend, që janë vetëofruar, të cilët do të bëjnë dhe kanë bërë gjatë fushatës investigime dhe kontrolle për shpenzimet financiare të cilat do të bëhen menjëherë publike sa të kemi raportet përkatëse. Hapja e kutive dhe ankimet përpara së gjithash treguan gjithë pranimin e këtyre zgjedhjeve, që ishte elementi i 3 pozitiv i këtyre zgjedhjeve. Zgjedhjet u pranuan masivisht nga të gjithë lojtarët, subjektet pjesëmarrëse . Sido që të shprehet dhe të jetë retorika përkatëse, fakti që nuk pati ankime, pati vetëm 2 ankime dhe asnjë ankim si asnjëherë tjetër në KQZ. Janë fakte këto, nuk ke çfarë të debatosh. Fakti që s’ka ankim do të thotë që zgjedhjet janë të pranuara. 2 ankimet e pjesshme në KQZ të cilat si rrallë ndonjëherë, këto gjëra i theksoj sepse nuk janë bërë më parë si rrallë ndonjëherë u pasuan me hapjen e kutive të votimit treguan që në 26 mijë vota që ne rinumëruam në sytë tuaj ,në sy të qytetarëve, para kamerave vetëm 1.2% e tyre ishin tjetërsuar. A më lumturon kjo mua? Në asnjë lloj rrethane. A tregon kjo se aty ka pasur manipulim zgjedhor? Qartësisht tregon, përtej gabimit njerëzor. Por jo thjesht më intereson, por e quaj të ndershme të them që asnjë lloj impakti në lidhje me rezultatin nuk kishte nga 8-9-10 vota të tjetërsuara të cilat duhet pranuar se ishin tjetërsuar në mënyrë të shkëmbyer, pothuajse të gjitha partitë kishin shkëmbyer vota mes tyre, pa asnjë impakt mbi rezultatin . Edhe faktori ndërkombëtar në deklarimet e deritanishme është shprehur shumë pozitiv për këto zgjedhje, natyrisht pozitiv brenda kuadrit të demokracisë shqiptare.
-Ju pyes tashmë si njohës i mirë i sistemeve zgjedhore edhe si njohës i praktikës zgjedhore, mendoni se do të mundemi që zgjedhjet e ardhshme të kemi një sistemi numërimi elektronik?
Kemi 2 vjet përpara deri në zgjedhjet lokale, dhe do të ishte një test shumë i mirë edhe për teknologjinë edhe për të ndryshuar nëse vlerësohet nga politika sistemi zgjedhor. Ajo që më duhet të them, përtej çdo debati me bindjen absolute profesionale, është se nuk ka sisteme zgjedhore perfekte. Cdo sistem favorizon ose defavorizon elemente të ndryshëm të demokracisë. Maxhoritarë na jep një sistem të qëndrueshëm ekzekutiz, ama zhduk shumë nuanca të demokracisë, të përfaqësimit të vullnetit popullor. Sistemi proporcional na jep një erashkë të plotë të ngjyrimeve demokratike, por ama shkojmë tek një ekzekutiv relativisht të dobët sepse lejon futjen e shumë partive nga më të voglat dhe pa peshë reale elektorale në Parlament. Aktualisht ne kemi sistemin proporcional rajonal, ku Shqipëria ndahet në 12 rajone secila prej tyre si Shqipëri e vogël, ka ide të ndryshme për proporcional kombëtar me prag të lartë, ka ide për t’iu rikthyer sistemit që parashikonte kushtetuta e 98 mazhoritar i korrektuar me proporcional. Vazhdoj të theksoj se asnjë sistem nuk është perfekt, nga secili do të dalë një produkt që mund të kritikohet por në varësi të asaj që synon do të jetë edhe përzgjedhja e sistemit përkatës. Personalisht i gjej pozitiv të dy sistemet, me efekt të shtuar mbi këtë që është.
-Sistemi i ngjashëm prim si ai grek dhe spanjoll është i pranueshëm sipas jush?
Prim është një element teknik për proporcionalët kombëtarë dhe i jepet partisë e cila del e para. Dhe teksa proporcionali jep një ekzekutiv të dobët, primi në njëfarë mënyre e zbut këtë dobësi duke i dhënë një hov më të madh edhe disa vende plus në Parlament partisë që del e para. Nga ky këndvështrim proporcional kombëtar, me tresoldin e lartë dhe me prim mund të ishte një zgjidhje pozitive por të gjitha do të mbeten në vlerësim të legjislatorit. Përsa i përket teknologjisë, vlerësoj se, por duhet të nxitohet, ky 2 vjetësh që kemi përpara,testimi i saj veçanërisht në numërim personalisht nuk do të isha për një aspekt të plotë që i gjithë rrethi zgjedhor që nga identifikimi, votimi , numërimi, dërgimi i të dhënave i gjithi të bëhej elektronik, për mendimin tim identifikimi dhe numërimi janë të mjaftueshëm, sepse votimi elektronik e distancon qytetarin nga procesi zgjedhor dhe ne që jemi demokraci e re, mirë është që qytetari të vazhdojë ta ndjejë demokracinë përmes letrës kur e prek dhe e hedh në kutinë e votimit sesa të shkojë atje përmes një touchscreen elektronik, dhe të mos e kuptojë se ku shkon vota e tij plus që do t’i lindin dyshime a mund të manipulohet teknologjia apo jo, kurse votimi është mekanik dhe fare mirë mund të bëhet, natyrisht kushtojnë, por duke qenë se ne numërimin e kemi të përqëndruar edhe kostot janë relativisht më minimale.