Nga Mustafa Nano
Reforma në Drejtësi po ecën me shpejtësinë e breshkës, dhe kjo për shkak ose të një avashllëku endemik këtyre anëve, ose të do paqartësive e pasaktësive të ligjeve që kanë të bëjnë me këtë reformë, ose të lidhjes që i bëhet çdo hapi të ndërmarrë në kuadër të reformës me ngjarje të ditës (siç është rasti Tahiri), ose të sabotimit nga ana e atyre që këtë reformë nuk e kanë dashur që në krye të herës. Pas çdo veprimi që ndërmerret në zbatim të reformës, vjen aty për aty një kundërveprim.
Le të marrim, fjala vjen, çështjen e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurorit aktual i ka përfunduar mandati. Sipas ndryshimeve kushtetuese, nenit 148/a, pikës 1, “Prokurori i Përgjithshëm zgjidhet me tre të pestat e anëtarëve të Kuvendit, mes tre kandidatëve të propozuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, për një mandat shtatëvjeçar e pa të drejtë riemërimi”. Mirëpo, ne ende nuk kemi një Këshill të Lartë të Prokurorisë. Si i bëhet në këto rrethana? Sikur hartuesit e Reformës në Drejtësi, por edhe ligjvënësit, të mos e kishin marrë në konsideratë një rrethanë të tillë, ne do duhej të mbanim ende në detyrë Prokurorin me mandat të përfunduar. Mirëpo hartuesit e miratuesit e reformës janë treguar për fat të vëmendshëm në këtë rast. Ata e kanë parashikuar një situatë të tillë, në të cilën Prokurorin e kemi pa mandat (me mandat të mbyllur) dhe Këshillin e Përgjithshëm të Prokurorisë nuk e kemi ngritur ende. Në ligjin nr. 97/2016 (Për organizimin e funksionimin e Prokurorisë në Republikën e Shqipërisë, dispozitat kalimtare), nenin 109, pikën 2, thuhet: “Në rast se mandati i Prokurorit të Përgjithshëm përfundon përpara kohe, përpara krijimit të Këshillit të Lartë të Prokurorisë, funksionet e Prokurorit të Përgjithshëm, me vendim të Kuvendit, caktohet t’i kryejë përkohësisht një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e prokurorëve…”. Siç shihet, janë bërë të qarta tri gjëra: 1. Cili do jetë ai që e zëvendëson Prokurorin e Përgjithshëm (dhe ky është një nga prokurorët me më shumë eksperiencë nga radhët e Prokurorisë); 2. kohën, gjatë së cilës ky Prokuror i përgjithshëm do të qëndrojë në detyrë (“përkohësisht”, derisa të zgjidhet Këshilli i Lartë i Prokurorisë, i cili inicion procesin e zgjedhjes së një Prokurori të Përgjithshëm me mandat të plotë); dhe 3. cili është organi që e zgjedh Prokurorin e Përgjithshëm të Përkohshëm (Kuvendi, me shumicë të thjeshtë).
Ka njerëz që dyshojnë se mazhoranca kërkon të zgjedhë një njeriun e vet në krye të Prokurorisë së Përgjithshme në këtë moment. Tani, të dyshosh te kjo mazhorancë, nuk bën ndonjë mëkat. Mirëpo në këtë rast, këmbëngulja e mazhorancës për të zgjedhur një kryeprokuror të përkohshëm të vetin, do të ishte idiotike. Nuk ka për t’i hyrë në punë, pasi nga ky Prokuror nuk pritet ndonjë gjë. Ai është aty i përkohshëm. Ka për të qenë më i përkohshëm sesa na e merr mendja. Sikur gjërat të rrjedhin në mënyrë natyrale (dhe me “natyrale” kam parasysh edhe avashllëkun emblematik tonin), Prokurori i Përgjithshëm do të jetë në atë detyrë jo më shumë se 3-4 muaj. Por edhe sikur të rrijë më shumë sesa kaq, ai nuk është se do ketë në dorë të bllokojë ndonjë proces të nisur, apo të iniciojë ndonjë proces tjetër. Prokurorët, sipas ndryshimeve kushtetuese, nuk kanë më varësi më nga Prokurori i Përgjithshëm. Duket se Rama e ka të qartë këtë gjë, dhe prandaj është treguar i hapur. “Hajde të merremi vesh bashkë”, i ka thënë ai Bashës. Ky i fundit, nga ana e vet, duket se ka vetëm një betejë: Prokuror i Përgjithshëm duhet të mbetet ky që është derisa të zgjidhet i riu prej organeve të reja. Tani, edhe po të rrijë Llalla edhe ca kohë, nuk është se prishet ndonjë gjë. Por puna është se një gjë e tillë nuk ka bazë kushtetuese.
Jo të gjithë njerëzit e dinë se, me miratimin e ndryshimeve kushtetuese, Prokurori i Përgjithshëm do të ketë një rol tek-tuk administrativ, e tek-tuk dekorativ. Deri më sot, ai ka qenë në komandë të gjërave. “Prokurorët janë të organizuar dhe funksionojnë pranë sistemit gjyqësor si një organ i centralizuar”, thuhej në Kushtetutë. Dhe kjo e bënte Prokurorin e Përgjithshëm një nga njerëzit më të pushtetshëm në Shqipëri. Nuk është më kështu. Prokuroria nuk është më organ i centralizuar. Në nenin 148, pikën 2 të Kushtetutës së re thuhet se “Prokuroria është organ i pavarur që garanton mbarëvajtjen, kontrollin e veprimeve të saj dhe respekton pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale, sipas ligjit”. Vini re! Flitet për “pavarësinë e brendshme të prokurorëve për hetimin dhe ndjekjen penale”. Nga ana tjetër, prokurorët pezullohen e shkarkohen prej Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Për këtë shih nenin 148/d, pikën 2 (“Prokurori shkarkohet nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë”), dhe nenin 148/d, pikën 4 (“Prokurori pezullohet nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Prokurorisë”). Nuk do kemi më pra një njeri të plotfuqishëm në krye të Prokurorisë. Vendin e tij do ta zërë Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që është një organ kolegjial.
Përveç kësaj, brenda institucionit të Prokurorisë janë futur struktura e Prokurorisë së Posaçme dhe njësia e posaçme hetimore, të cilat do duhet t’u interesojnë në mënyrë të veçantë politikanëve të nivelit të lartë. Në nenin 15, pikën 1, të ligjit mbi organizimin e funksionimin e Prokurorisë, thuhet se “Prokuroria e Posaçme ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit për veprat penale të korrupsionit, krimit të organizuar dhe çështjet penale, sipas nenit 135, paragrafi 2, të Kushtetutës”. Ç’është ky paragraf në nenin 135 të Kushtetutës? Çfarë thuhet në të? Ja: “Gjykatat e posaçme gjykojnë veprat penale të korrupsionit dhe të krimit të organizuar, si dhe akuzat penale kundër Presidentit të Republikës, Kryetarit të Kuvendit, Kryeministrit, anëtarit të Këshillit të Ministrave, gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese dhe të Gjykatës së Lartë, Prokurorit të Përgjithshëm, Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, Kryetarit të Bashkisë, deputetit, zëvendësministrit, anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe drejtuesve të institucioneve qendrore ose të pavarura, të përcaktuara në Kushtetutë ose në ligj, si dhe akuzat kundër ish-funksionarëve të sipërpërmendur”. Siç shihet, Prokuroria e Posaçme dhe Gjykata e Posaçme do të kenë për detyrë të ndjekin këmba-këmbës zyrtarët e lartë, duke filluar nga kryetarët e Bashkisë deri te Presidenti e Kryeministri i Republikës. Kur ambasadori Lu tha se në fillim të vitit të ri do të kemi arrestimin e peshqve të mëdhenj, kishte parasysh prokurorët e prokurorisë së posaçme. Dhe këta të fundit do të zgjidhen sërish nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Ngado që t’i vish rreth institucionit të prokurorisë, të shfaqet Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Kështu që beteja për fatin e Prokurorit të Vjetër apo për emërimin e atij të riut, është një teatër, nëpërmjet të cilit duan të fshehin qëllime të tjera./Mapo