Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi dje se Këshilli Mbikëqyrës miratoi planin e masave për uljen e përdorimit të euros në vend.
“Dëshiroj ta qartësoj publikun se Banka e Shqipërisë nuk synon uljen në zero të përdorimit të valutave në veprimtarinë financiare, por uljen e euroizimit në nivele të pranueshme për ekonomi me strukturë dhe madhësi të ngjashme. Ajo që ne duam të reduktojmë, të zbutim apo të minimizojmë, është prania e pozicioneve të hapura valutore dhe marrja përsipër e rrezikut të kursit të këmbimit, direkt apo indirekt, në mënyrë të pastudiuar apo të pambrojtur, nga konsumatori, nga biznesi dhe nga agjentët e tregut financiar”, u shpreh Sejko.
Guvernatori Sejko tha se për të nxitur përdorimin e monedhës vendase dhe për të ulur risqet nga euro, qytetarët e bizneset që do kërkojnë hua nga bankat në euro, por që nuk kanë të ardhura në këtë monedhë, do të përballen me norma interesi më të larta. Studimet dhe analizat tona evidentojnë se përdorimi i valutave të huaja në sferën e aktivitetit të brendshëm ekonomik financiar është në një shkallë relativisht të lartë.
Ky fenomen lidhet si me përdorimin e lartë të valutave në transaksionet tregtare, ashtu edhe me përdorimin e lartë të tyre si mjet kursimi, në formën e depozitave bankare, apo edhe si mjet financimi në trajtën e kredimarrjes në valutë. Këto ndryshime rregullative synojnë ta bëjnë më të kushtueshme (pra, më pak të preferuar) veprimtarinë në valutë të sektorit bankar dhe të forcojnë mekanizmat e ndërgjegjësimit të huamarrësve (veçanërisht të atyre individëve dhe të pambrojtur nga rreziku i kursit të këmbimit) për rreziqet që shoqërojnë huamarrjen në valutë. Ky proces kërkon një angazhim afatgjatë, ndaj këto masa mund të plotësohen me të tjera në të ardhmen. Në çdo rast, Banka e Shqipërisë do të veprojë gradualisht dhe në konsultim me industrinë bankare”, u shpreh Sejko./panorama










