Policia e Shtetit ka hartuar një plan të ri masash në kuadër të luftës kundër trafikimit të lëndëve narkotike. Të gjitha forcat speciale dhe ato të ndërhyrjes së shpejtë janë hedhur në terren në të gjithë Shqipërinë, për të zbuluar dhe kapur të gjithë ata persona të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike. Ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri, në një konferencë shtypi të disa minutave më parë, bëri të ditur se ky operacion masiv i Policis së Shtetit synon të godasë të gjithë ato grupe kriminale të cilat strehojnë dhe thajnë nëpër magazina apo vende të tjera hashashin.
“Policia e Shtetit ka një plan të zgjeruar sa i përket goditjes së krimit që lidhet me kanabisin, që ka të bëjë me magazinimin e tij dhe tharjen. Nga njëra anë është puna e goditjes së të mbjellave narkotike dhe nga ana tjetër edhe të atyre që e magazinojnë. Ka një plan operacional të veçantë për goditjen e krimit. Të gjitha forcat speciale të Policis Shtetit, do të jenë në terren për të goditur grupet që organizojnë trafikun e lëndëve narkotike. Policia e Shtetit për të tretin vit rradhazi ka shkatërruar 99% të parcelave të identifikuara. Por nuk mjafton kjo. Lufta duhet bërë edhe ndaj magazinimit. Ka pasur një seri opracionesh të suksesshme. Kjo është një nga fazat e rëndësishme të luftës kundër krimit të lëndëve narkotike. Bashkë me partnerët po punojmë intensivisht për kontrollin e kufirit. I kam kërkuar partnerëve grek dhe italian ngritjen e një zyrë të përbashkët kordinimi. Kemi përgjigje pozitive nga partnerët italian. Kemi kërkuar edhe nisjen e procedurave të ndihmës nga mekanizmat e BE-së që në këtë luftë të mos jemi vetëm ne dhe italinaët, por edhe vende të tjera në betejën kundër trafikut të lëndëve narkotike”, deklaroi Tahiri.
Ashpërsim i dënimeve
Ministri Tahiri bëri të ditur se po bëhet gati propozimi për Qeverinë, ku kërkohet ashpërsimi i Kodit Penal për çdo person të përfshirë në trafikun apo prodhimin e lëndëve narkotike.
“Do i propozoj qeverisë ndryshimin e Kodit Penal me qëllim përshkallizimin e arsyeshëm dhe rëndimin e dënimeve për trafikimin, mbajtjen e kultivimin e lëndëve narkotike. Do propozoj që mbajtja e paligjshme, trafikimi të përshkallëzohet sipas përgjegjësisë së autorit. Konsumi dhe mbajtja e sasive për konsum vetjak do vijojë të jetë jo vepër penale, por shitja, e tregtia 1 deri në 5 vjet burg për sasi të vogla, e 1 deri në 10 vjet burg në sasi më të mëdha”.
Reagimi për deklaratat e Manjanit
Lidhur me deklaratën e Ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani, se nëse është e nevojshme të nxirret ushtria ne luften kunder kanabisit, Tahiri u shpreh se nje qendrim i tille eshte shprehje e vullnetit te mire, por nuk eshte e nevojshme, pasi sipas tij policia ka kapacitete qe ta zhvilloje kete beteje.
“E mirëkuptoj vullnetin pozitiv të ministrit të Drejtësisë, Ylli Manjani. Besoj se hyn te propozimet e dëshirës së mirë. Puna nuk bëhet në konferenca shtypi, por duke marrë masa të cilat sjellin rezultate të prekshme. Besoj do të gjejmë gjuhën e përbashkët me kolegun Manjani për ashpërsimin e penaliteteve ndaj atyre që kultivojnë dhe trafikojnë drogë”, u shpreh Tahiri.
Me. Ar