Nga Mero Baze
Kundërshtarët e Lulzim Bashës në Partinë Demokratike po përpiqen të vazhdojnë betejën e tyre proceduriale kundër asaj që ata e konsiderojnë, shkelje të rregullave të demokracisë në partinë e tyre. Në një peticion të bërë publik sot, ata po kërkojnë një Kuvend Kombëtar, që të garantojë rregullat e lojës, lidhur me rastet kur kryetari i partisë humbet zgjedhjet, ose përsërit humbjen.
Beteja ka gjasa të jetë një tjetër sprovë e fituar nga Lulzim Basha, i cili ka fituar imunitet nga sulmet brenda partisë dhe i fiton betejat me to, duke mos i zhvilluar ato fare.
Por kjo nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, as për publikun dhe as për vetë PD-në më. Ajo që duket e tepërt tek qëndrimi i kritikëve të Bashës, është koncepti i tyre procedural për betejën kundër Bashës. Edhe para zgjedhjeve, edhe gjatë zgjedhjeve, edhe pas zgjedhjeve të humbura nga Basha, edhe gjatë rikandidimit të tij, ata u vizatuan si një grup i kompleksuar nga procedura.
Për procedurë ata nuk kandiduan si të pavarur, kur Basha refuzoi të firmosë marrëveshjen “McAllister” në fund të prillit. Nëse do ta kishin bërë atë, së paku dhjetë deputetë të PD, Basha jo vetëm do hynte në zgjedhje, por ata do ishin fitimtarë të një beteje, pasi do ta tërhiqnin atë zvarrë në zgjedhje, dhe do ishin më pas pjesë e grupit të PD, si fitimtarë të betejës me Bashën.
Ata për procedurë heshtën kur i flaku nga lista dhe me një lloj ‘lejefenizmi’ dhanë dhe “mbështetje formale” që PD të fitonte zgjedhje, ‘lejfenizëm’ që jo vetëm nuk ju shpërblye me mirënjohje, por po akuzohen sot, pikërisht për atë gjë.
Ata për procedurë shpallën kandidat përballë Bashës, që kërkonte përmbushje procedurash në garën për PD. Basha natyrisht nuk u lodh, se e përjashtoi vetë nga gara, por beteja e tyre ishte sërisht tek procedurat.
Basha u rizgjodh më në fund në një proces skandaloz, dhe ata po kërkojnë sërish procedura të reja, që e ardhmja e tij të bllokohet me Kuvend Kombëtar.
Kjo i bën ata jo vetëm të dobët politikisht, por i shndërron nga sfidantë në kritikë, nga alternativë, në përshtatës. Që kundërshtarët e Lulzim Bashës të konsiderohen të tillë në PD, duhet të sillen si kundërshtarë. Ata nuk kanë më punë me të ardhmen e Lulzim Bashës në PD, përderisa biem dakord se ai e vodhi partinë dhe nuk e fitoi. Ata duhet të shikojnë të ardhmen e tyre në politikë brenda apo jashtë PD.
Çdo përpjekje për të bërë sikur e lufton Bashën me procedura, në fakt forcon mitin e tij si lider dhe i fut të gjithë në spiralen e lojës së tij.
Nëse Basha ka vërtet kundërshtar në parti, ata duhet të bëjnë betejën e tyre politike publike dhe të grupohen brenda apo jashtë partisë, si një zë i qartë politik, jo si Këshill Ankesash. Ata kanë prova që procesi është manipuluar dhe askush nuk i ka çuar në Prokurori, se “diskretitohet” partia.
Kështu si sillen këta, duket sikur Basha është një udhëheqës që nuk i kupton mirë ato rregullat brenda PD dhe këta po e mësojnë. Lulzim Basha i ka shkelur me vetëdije rregullat dhe statutin e PD, dhe do t’i mundte këta dhe nëse do konkurronin me të. Kësisoj, vazhdimi i betejës për ta kapur Bashën me procedura, është jo vetëm jofrymëzuese për mbështetësit e tyre, por është shumë në favor të Bashës, pasi duket sikur ka një shpresë që po e kufizuan këta, që herë tjetër të mos bëjë më këto gabime, problemi u zgjidh. Kështu mund të mendojë vetëm Berisha, se ai nuk ka leverdi që Basha ta përsërisë këtë betejë brenda PD, se shkrihet fare. Por ai është me Bashën dhe është llogjik ky qëndrim. Por nuk është llogjik për kundërshtarët e Bashës.
Ky mentalitet vjen nga fakti se shumica e kësaj elite politike të PD që po kundërshton Bashën, vjen nga një pranim në heshtje i historisë së shëmtuar të PD, ndaj çdo kundërshtari që i dilte përballë Berishës. Këta nuk janë të mbijetuar lufte në PD, por pjesë e suksesit të Berishës, kundër të tjerëve. Një i tillë është dhe Basha. Ndaj t’i kërkosh Bashës atë që si ke kërkuar dot Berishës, dhe akoma më keq, të shpresosh që po ja kërkove do rregullosh historinë e PD, duke e bërë si para 2013-s, është humbje kohe.
Ata kanë shans ose t’i qëndrojnë Bashës politikisht fort përballë, duke e dëmtuar si lider, ose të bëjnë historinë e re të tyre, pa Bashën e Berishën.