Gazetari i shqiptarja.com Adriatik Doci në shkrim për Ilir Metë ka hedhur akuza të forta në lidhje me disa personazhe që sipas tij janë shokë të presidentit. Sipas gazetarit Kastriot Ismailaj i dënuar për pastrim parash dhe mashtrim, kishte të besuar Almir Rrapon anëtarin e bandës mafioze ‘Krasniqi’ në SHBA, mbajti fjalim për nder të Klement Balilit, akuzat për lidhje me Muhammad Obaidul Karim i dënuar me burgim të përjetshëm dhe me personazhe të tjera të botës së aferave dhe krimit.
Shkrimi i plotë
Presidenti Ilir Meta ka njoftuar së fundmi hapjen e portali për të denoncuar presionet zgjedhore, ka ashpërsuar retorikën politike, duke deklaruar se do të ‘fshijë’ banditët, ndërsa bashkë me bashkëshorten Monika Kryemadhi, kanë shprehur që të dy ambicien për të drejtuar Ministrinë e Brendshme, nëse opozita vjen në pushtet.
Po sa i besueshëm është Ilir Meta me petkun e ri anti-krim? Faktet dhe një sagë dëshmish konfirmojnë se Ilir Meta është një ndër politikanët më të implikuar në Ballkan me njerëzit e botës së krimit, korrupsionit dhe pastrimit parave. Sot po sjellim në vëmendje vetëm disa nga lidhjet e tij më flagrante, të cila nëse shikohen në tërësi, janë një sfidë dhe provë e madhe për SPAK.
-Almir Rrapo, sekretari i Metës, i dënuar në SHBA
Almir Rrapo ishte një nga njerëzit me të besuar të Ilir Metës, kur ky i fundit ishte ministër i Jashtëm, pas nisjes së bashkëqeverisjes me Sali Berishën, në shtator të vitit 2009. Rrapo shërbente edhe si sekretar personal i Ilir Metës. Në duart e tij kalonin të gjitha shkresat, pritjet, përcjelljet, organizimi i takimeve etj. Rrapos ishte pjesë e klanit mafioz “Krasniqi” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Klani akuzohej për vrasje, zjarrvënie, pastrim parash, trafik ndërkombëtar droge, grabitje me dhunë etj. Rrapo kërkohej në SHBA për krimet të rënda, ndërkohë që shërbente në zyrën e Metës. Historia e Rrapos dihet. Ai u arrestua në korrik të vitit 2010, në Ambasadën Amerikane në Tiranë dhe u ekstradua me urgjencë në SHBA, ku u dënuar me 6 vjet burg, pasi bashkëpunoi me drejtësinë dhe pranoi të gjitha krimet. Meta ka deklaruar se nuk dinte gjë për të shkuarën e Rrapos, të cilit i kishte besua detyrën e sekretarit.
-Klement Balili, baza e LSI-së në Sarandë, i dënuar si bos droge
Klement Balili njihet si ‘Eskobari i Ballkanit’, një bos ndërkombëtar droge. Deri ku u godit falë investimit të DEA-s amerikane dhe u shpall në kërkim në maj të vitit 2016, Balili ishte njeriu kyç i Lëvizjes Socialiste për Integrim në Sarandë. Balili u dënuar në nëntor të vitit 2019 me 15 vite burg, por në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimi i u bë 10 vite burg. Balili ishte drejtor i transporteve në Sarandë, i propozuar nga LSI-ja. Ilir Meta e ‘nderoi’ Balilin kur inauguroi hotelin “Santa Quaranta” në Sarandë, hotel i cili më pas u konfiskuar nga drejtësia si i ndërtuar me para droge. Në vitin 2016, pak ditë para se Balili të shpallej në kërkim, Ilir Meta mbajti një fjalim epik në derën e hotelit të ‘Eskobarit të Ballkanit’. Më pas, fjalimin e zhduku. Edhe për Balilin, Meta ka deklaruar se nuk kishte informacion për të shkuarën e tij.
-Muhammad Obaidul Karim, i dënuar me burgim të përjetshëm
Muhammad Obaidul Karim është një biznesmen kontrovers nga Bangladeshi, i dënuar me burgim të përjetshëm në vendin e tij për korrupsion dhe mashtrim. Ai ka qëndruar vetëm 64 orë në Shqipëri, po kaq ka mjaftuar që të marrë nënshtetësinë shqiptare si VIP, me firmën e Bujar Nishanit, në vitin 2014, në mënyrë të dyshimtë dhe sigurisht me ndërhyrje nga personazhe të politikës së Tiranës.
Prej vitesh, kompania prestigjioze norvegjeze “Frupor” kishte shfaqur interes për të ndërtuar një fermë të madhe në Komunën Topojë të Fierit. Investimi kapte shifrën e 22 milionë eurove ndërsa do të punësoheshin mbi 1300 persona.
Për këtë investim kishte shfaqur interes të madh edhe Ilir Meta, i cili shkoi personalisht të vizitonte vendin ku do ndërtohej femra moderne. Në korrik të 2015, Ministria e Bujqësisë, me në krye ministrin e Metës, Edmond Panariti, hapi procedurat për dhënien e tokës bujqësore me qira me sipërfaqe prej 1146 hektarë. Norvegjezët dorëzuan ofertat, projektin dhe të gjithë dokumentacionin.
Ditën e hapjes së ofertave, shfaqet befas, si një rrufe në qiell të hapur, Muhammad Obaidul Karim, me kompaninë “Agri Product Europe”, e cila shfaq interes për të njëjtën pronë. Kompania nuk ishte dëgjuar më parë dhe as që kishte pasur kontakt me Ministrinë e Bujqësisë. Dhe Muhammad Obaidul Karim del fitues, pa projekt, pa kapacitet financiar dhe në mënyrë të rrufeshme.
Norvegjezët u larguan të zhgënjyer dhe humbën investimin vetëm se nuk pranuan të bëheshin pjesë e dallavereve të pushtetarëve shqiptarë. Përfaqësuesi i kompanisë norvegjeze në Shqipëri, Bujar Zhuri, një nga biznesmenët më të suksesshëm shqiptar në Norvegji, ka deklaruar se pas Muhammad Obaidul Karim fshihet Ilir Meta. “Bujar Nishani nën ndikimin e Metës dhe E. Panaritit i dha nënshtetësinë shqiptare për vetëm 64 orësh qëndrimi në tokën shqiptare, edhe pse dyshohet se ishte një pastrues i parave edhe të organizatave terroriste islamike. Tani me bekimin e Bekimitm nipi i Mendu Thaçit, ka hedhur ne gjyq shtetin shqiptar, Ministrinë e Bujqësisë, dhe i kërkon një dëmshpërblim prej 1 milionë eurosh”.
Në fakt, a mundej që Ministria e Bujqësisë, në atë kohë në duart e Ilir Metës, të bënte një manovër të tillë pa miratimin e kreut të LSI-së?!
-Kastriot Ismailajn, i dënuar për mashtrim
Kastriot Ismailajn është dënuar në vitin 2017 me 11 vite burg për “mashtrim me pasoja të rënda” dhe “pastrim të produkteve të veprës penale”. Gjykata ka urdhëruar edhe sekuestrimin e 5 milionë eurove. Ai ishte administrator i kompanisë DIA, e ngarkuar për mbledhjen e borxheve të CEZ, ku u përfshi në një skemë mashtrimi, duke shkatërruar edhe raportet mes shtetit shqiptar dhe CEZ, me kosto të madhe për buxhetin e shtetit.
Sipas të gjitha dëshmive, Kastriot Ismailaj ishte njeriu i besuar i Ilir Metës.
Jozef Hejsek, ish-shefit ekzekutiv të CEZ, ka akuzuar Ilir Metës se kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje dhe se Ismailaj konsiderohej aleat i kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha. Në atë kohë Meta ishte ministër i Jashtëm. Për këtë aferë, Berisha ka kërkuar që Ilir Meta të merrej i pandehur, por kur pa se që të dy dilnin zbuluar, u tërhoq.
Në qershor të 2019, Shqiptarja.com publikoi një investigim serioz, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriotit një shumë prej 200 mijë euro.
Ndërkaq, gruaja e Kastriot Ismailajt, Vojsava, ndër të tjera ka rrëfyer se “Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij, Monika, shpesh herë vinin në shtëpinë tonë. Kemi kaluar shumë dreka dhe darka së bashku: Ilir Meta i kishte forcuar lidhjet me Kastriotin që në kohën e krijimit të FRESH-it. Kastrioti kishte ndërmjetësuar edhe pajtimin e Ilir Metës me Fatos Nanon dhe ky është një fakt i njohur publikisht. Për t’ju rikthyer historisë së CEZ-it, po sjell vetëm një shembull: ka qenë pikërisht Ilir Meta, që pasi kishte realizuar uljen e çmimit të energjisë, i kërkonte Kastriotit që t’u kërkonte çekëve që ta shpërblenin atë, pra Ilirin, me pretendimin se ai i kishte bërë të fitonin miliona euro. Mjafton që të shohësh SMS-të që Ilir Meta i dërgonte Kastriotit në vitet 2010, 2011 dhe e kupton lehtësisht këtë. Kastrioti ka qenë gjithashtu shpesh nën presion për të dhënë para nga bizneset e tij, për të ushqyer fushatat elektorale”.
Çuditërisht, drejtësia shqiptare vijon të heshtë përballë këtyre fakteve.
-Nikolla Gruevski, i arratisur në Hungari
Në fund të vitit 2018, ish-kryeministrit i Maqedonisë së Veriut, Nikolla Gruevski, u arratis pasi u dënua me dy vite burg për korrupsion. Ai kërkoi strehim politik në Hungari. Gruevski njihet për miqësinë e fortë me Ilir Metën. Megjithatë, ky u fundit e kritikoi për arratisjen, duke pohuar se “Çdo politikan, aq më tepër politikan me përgjegjësi të mëdha siç është rasti në fjalë, nuk duhet t’i shmanget as drejtësisë dhe as luftës politike. Kemi raste dhe në Shqipëri, kur ka pasur burgosje që janë konsideruar politike dhe janë përballur”.
-Halit Shahini, i dënuar për vrasje
Në vitin 2015, një raport sekret i OSBE, i cili rrodhi në media, trazoi politikën shqiptare. Raporti sillte informacione të mbledhur në mënyrë operative mbi veprimtarinë e figurave politike shqiptare. Në raport ndër të tjera thuhet se “Halit Shahini, ortak dhe korrier i Metës, dyshohet të ketë lidhje të forta me grupe kriminale në Shujak, të përfshira kryesisht në trafikun ndërkombëtar të drogës”. Halit Shahini është një personazh i botës së krimit dhe pranë politikës. Në vitin 2014, Halit Shahini është dënuar me 23 vite për vrasjen Bujar Barçit, pas mosmarrëveshjeve për një disa investime në ndërtim.
-Isuf Berberi, në kërkim për korrupsion
Në tetor të vitit 2020, Policia e Shtetit ka shpallur në kërkim biznesmenin Isuf Berberi, për aferë korruptive në AKBN, duke i shkaktuar një dëm prej 1.5 mln USD dëm shtetit shqiptar. Berberi njihet për lidhje të afërta me Ilir Metën dhe partinë e tij. Madje Meta dhe Berberi kanë ndarë me publikun edhe takimet e tyre miqësore, duke publikuar foto, ku pozojnë pranë njëri-tjetrit. Sigurisht edhe për këtë Meta duhet të ketë një alibi./ shqiptarja.com
Po Meta, kur e ka rradhën për tu futur në burg ?