Për herë të parë ka folur për çështjen “ARMO” edhe biznesmeni Besnik Sulaj.
Në një lidhje me telefon në emisionin “Opinion”, Sulaj është munduar të shpjegojë situatën ku ndodhet kompania, por mes shifrave çështja është bërë edhe më e ngatërruar.
Biznesmeni i përmendur shpesh nga opozita si i lidhur me kryeministrin Rama, këmbënguli se kompania e vëllait të tij, IRTC, që ka në administrim rafinerinë nga viti 2016, ka paguar të gjitha taksat dhe detyrimet.
“Unë e njoh historinë e ARMO-s të paktën nga viti 2013. Nuk besoj që mungojnë 704 milionë. Në atë kohë ARMO ka pasur vetëm 20 milion dollarë borxhe në tatime. Në 2013 kur kanë ardhur azerët e kanë gjetur kompaninë me rreth 20 milion dollarë borxh.
Unë edhe i kam takuar dhe kanë qenë investitorë shumë seriozë. Ata pyetën në tatime, paguan 10 milion dollarë dhe ARMO mbeti pa asnjë lloj borxhi. Më pas shteti shqiptar u vuri një gjobë 100 milion dollarë. Me këtë 100 milion dollarë falimenton kushdo që të jetë” – tha Sulaj.
Pyetja që iu bë nga studio ishte a ka kompania e tij IRTC rreth 55 milion euro detyrime fiskale të papaguara në tatime, por Sulaj e mohoi.
“E keni gabim. Kompania nuk është paguar dhe nuk ka 70 milion dollarë detyrime. Ka rreth 25 milion euro të papaguara. Ato që flitet aty janë të pavërteta” – tha biznesmeni.
“IRTC e ka marrë në 2016-ën, por duhet të kuptojmë të gjithë se rafineritë janë si puna e mullirit, po s’pate grurë s’ke çfarë ta duash mullirin. Është hapur një rafineri tjetër në Elbasan nga kompania Isvor dhe është teknologji e fundit ka vetëm 20 punëtorë” – tha Sulaj, që më pas u hodh në kundërsulm.
Fillimisht akuzoi ish-zv.ministrin Gjergji Bojaxhiu dhe më pas ish-kreun e AKBN-së Besian Pesha.
“Gjergj Bojaxhiu së bashku me Ardian Xhillarin kanë bërë piramidën më të madhe në Shqipëri ndërsa Besian Pesha kur ka qenë në komisionin e AKBN-së ka qenë te Albpetroli dhe i ka kërkuar një mikut tim nga Fieri 200 mijë euro”– tha Sulaj, por të dy i mohuan akuzat nga studio./a.m.