Dita e parë e Kurban Bajramit është të shtunën, më 09 korrik 2022.
Komuniteti Mysliman i Shqipërisë njofton të gjithë besimtarët se Kurban Bajrami do të falet në sheshin “Skënderbej”, Tiranë.
Bujar Spahiu, kryetar i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ju shpreh urimet të gjithë shqiptarëve, Gëzuar Kurban Bajramin!
“Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti. Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt.
Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit.
Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët”, thote kreu i KMSH ne urimin e tij.
Urimi i plotë:
Bismilahi-Rrahamini-Rrahim
Me emër të Zotit Mëshiruesit-Mëshirëbërës.
Falënderimet i takojnë Allahut, Krijuesit të botëve.
Paqja dhe bekimi i Zotit qofshin mbi Muhamedin (a.s.)
Të dashur qytetarë, nesër, në Shqipëri dhe mbarë botën, është festa e Kurban Bajramit.
Zoti i gjithësisë në suren Kevther në Kuran thotë:
“Ne vërtet të dhamë ty shumë të mira. Andaj ti falu dhe ther kurban për hir të Zotit tënd!”
Ndërsa në një tjetër sure (En’nam) na kujton:
“Thuaj: namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjeshtë për Allahun, Zotin e botëve!”
Të dashur qytetarë, Kurban Bajrami është një festë e rëndësishme në fenë islame.
Në këtë ditë ne përkujtojmë sakrificën e Ibrahimit (a.s), durimin e pa shembullt të Ismailit (a.s.), atë kohë vetëm një fëmijë, dhe dhembshurinë e nënës së tij heroike, Haxhires.
Kurbani na dëshmon se sakrifica, durimi dhe dhembshuria njerëzore, janë punët më të pëlqyeshme te Zoti.
Kush ka mundësi le të presë Kurban vetëm për Hir të Zotit, e kush nuk ka inshAllah i mundësohet sa më shpejt.
Silluni mire me njëri-tjetrin. Shtrini dorën e vëllazërmit ndërmjet jush. Duajeni njëri-tjetrin për hir të Zotit. Jini mbështetje për të varfërit.
Bëhuni inkurajues për të sëmurët, dhe rrezatoni shpresë e gëzim te fëmijët.
“As gjaku e as mishi i kurbaneve tuaja nuk arrin tek Allahu, por tek Ai arrin devotshmëria juaj”, thotë Zoti.
Ky Bajram na jep mesazhin që për të arritur pëlqimin dhe kënaqësinë e Zotit, është i nevojshëm sinqeriteti dhe devotshmëria.
E lusim Zotin të na i pranojë kurbanet, adhurimin dhe lutjet tona!
E lusim Zotin për paqe e prosperitet në vendin tonë dhe mbarë njerëzimin!
Ju dëshiroj paqe, begati e mirësi në familjet tuaja!
Gëzuar Kurban Bajramin!
Informacione të përgjithshme
Sipas fesë islame, rituali dhe festa e Kurban Bajramit fillon me faljen e tij herët në xhami, vazhdon me prerjen e kurbanit për atë që ka mundësi dhe shpërndarjen e mishit për njerëzit në nevojë, duke mbaruar me vizitat në të afërm, fqinj, shokë e miq.
Urtësia e therjes së Kurbanit
Adhurimet bëhen sepse janë urdhër i Zotit, por pas çdo adhurimi qëndron një urtësi.
Kurbani është shprehje e heroizmit, sakrificës dhe bindjes së njeriut në rrugën për fitimin e kënaqësisë së Zotit. Kjo bindje dhe sakrificë është simbolizuar me profetin Ibrahim dhe djalin e tij Ismail duke arritur majat.
Është fakt i pamohueshëm se Allahu nuk ka nevojë për asgjë dhe për askënd, por ne kemi nevojë për mëshirën e tij. Në Kuranin Famëlartë thuhet se: “Tek Allahu nuk arrin as mishi e as gjaku i kurbaneve. Ajo që arrin tek Zoti, është bindja dhe devotshmëria juaj ndaj Tij” (Haxh 37).
Kurbani rrit shpirtin bindës ndaj Allahut dhe kryen rolin e afrimit të njeriut me Krijuesin. Në këtë mënyrë njeriu shfaq adhurimin e tij të vërtetë dhe mundohet të kryejë detyrën e falënderimit.
Të mirat sociale të Kurbanit
Kubani mbjell në shoqëri shpirtin vëllazëror, bashkëpunimin, ndihmesën dhe shpirtin e sakrificës, ndihmon në zhvillimin e barazisë në shoqëri dhe ndikon në kalimin e hendekut midis shtresave të ndryshme shoqërore, duke i nxitur ata drejt bashkëpunimit.
Therja e kurbanit dhe ndihma për nevojtarët duke i gëzuar ata, i shërben zgjerimit të drejtësisë shoqërore dhe fuqizimit të dashurisë midis njerëzve.
Gjithashtu nga ana tjetër kurbani e mëson njeriun e pasur të japë nga pasuria e tij për të fituar kënaqësinë e Zotit.
Bajrami i kurbanit është ditë paqeje. Kur njeriu është në paqe me Allahun, ai është në paqe me veten e tij, rrjedhimisht është me të gjithë ata që e rrethojnë.
Kafshët që bëhen Kurban
Kafsha hallall për kurban mund të jetë dele, dhi, lopë, buall, deve dhe nga kafshët e tjera të ngjashme. Kjo është e pranuar unanimisht nga të gjithë dijetarët islamë. Pra dykëmbëshët si pula, rosa, pata, gjeli i detit etj. nuk pranohen si kafshë për kurban. Kafshët e lartëpërmendura si të përshtatshme mund të theren si kurban nga të dyja gjinitë. Por përsa i përket familjes së deleve është më e pëlqyeshme të theret dashi.
Për kafshët si delet dhe dhitë, ato duhet të kenë mbushur një vit që të mund të theren si kurban. Vetëm nëse një dele 6 muajshe është e shëndetshme dhe tregon për një vit, atëherë edhe ajo mund të pritet si kurban. Ndërsa dhia, duhet patjetër të mbushë vitin. Kafshët si lopa dhe bualli, duhet të jenë mbi dy vjeç, ndërsa deveja, duhet të jetë mbi pesë vjeç.
Delja dhe dhia mund të theren si kurban vetëm në emër të një personi, ndërsa kafshët si lopa, kau dhe bualli mund të theren si në emër të një personi, ashtu edhe në emër të shtatë personave që bien në ujdi me njëri-tjetrin. Pasi theret kurbani, mishi ndahet ndërmjet këtyre shtatë personave në mënyrë të barabartë.
Kafsha që theret si kurban me qëllim adhurimi, duhet të jetë e shëndetshme, e majmë dhe me organe të rregullta. Kjo shërben si për qëllimin dhe mënyrën e adhurimit, ashtu edhe për rregullat e shëndetit. Për këtë arsye kafsha nuk duhet të ketë ndonjë mangësi që ta pengojë plotësimin e kushteve të kurbanit, si për shembull të jetë e sëmurë keq, e verbër, sakate, me brirë të shkulur ose të thyer, me bisht apo vesh të prerë dhe me pjesën e madhe të dhëmbëve të rënë.
Të gjitha adhurimet kryhen në kohën dhe sipas kushteve të caktuara nga Allahu. Kështu që kurbani mund të theret nga mbarimi i namazit të bajramit të kurbanit deri në perëndimin e ditës së tretë. Përgjithësisht dhe më e preferueshme është që kurbani të theret në ditën e parë. Por ata që s’gjejnë rast për ta therur ditën e parë, mund ta therin edhe ditën e dytë a ditën e tretë.
Mënyra e therjes së kurbanit
Kafsha merret dhe pa e munduar shtrihet në drejtim të kibles nga ana e majtë. Kurbanin mund ta therë i zoti ose mund t’ia lerë ndonjë tjetri.
Ai që e ther nuk lejohet ta torturojë kafshën dhe thika që do të përdorë duhet të jetë e mprehtë. Profeti (a.s.) në lidhje me këtë aspekt ka thënë: “Kur të therni një kafshë, thereni me butësi, ai që ther prej jush, le ta mprehë mirë thikën dhe mos ta mundojë kafshën”.
Thika mbahet me dorën e djathtë dhe në momentin e therjes thuhet “Bismilahi Allahu Ekber”, duke e prerë kafshën në të dyja anët e damarëve të qafës.
Nga sahabët Xhabiri transmeton se Profeti (a.s.) ditën e kurbanit theri dy desh me brirë dhe të majmë. Kur u mat me i therë tha kështu: “Unë fytyrën time e drejtova nga Ai, i cili ka krijuar qiejt e tokën dhe unë nuk jam prej idhujtarëve(En’am, 79). “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e botërave. Ai nuk ka asnjë shok dhe unë jam prej myslimanëve.” (En’am, 162-163). “O Zoti im, ky kurban është prej Teje dhe për Ty. Në emër të Muhamedit dhe ymetit të tij, Bismilahi Allahu Ekber” (Et-Taxh, III, 207).
Një kusht tjetër është që kafshës duhet t’i rrjedhë i tërë gjaku pasi të jetë therur. Për të mos e munduar shumë kafshën nuk fillohet rrjepja e lëkurës derisa ajo të mos lëvizë më.
Ndarja e mishit të kurbanit
Është sunet për personin që të hajë vetë nga mishi i kurbanit dhe t’i japë të afërmve të tij dhe fukarenjve. Profeti Muhamed (s.a.s.) porosit:
“Nga kurbanet, hani, shpërndani dhe ruani” (Buhari, Edebu’l-Mufred, I, 198).
Dijetarët islam kanë këshilluar që është mirë që mishi të ndahet në tre pjesë, ku një pjesë të veçohet për pjesëtarët e familjes, një pjesë t’u shpërndahet të varfërve dhe një pjesë t’u jipet fqinjëve ose të afërmve.
Duhet theksuar se mishi dhe lëkura e kurbanit nuk lejohen të shiten. Lëkura mund t’i jepet një institucioni bamirës, mund të përdoret si sexhade në shtëpi ose të shitet vetëm nëse paratë e saj do të jepen si sadaka.
Gjithashtu në këtë ditë feste nuk lejohet agjërimi i çdo lloji qoftë. Në lidhje me këtë Profeti (a.s.), dërgoi një person të lajmërojë: “Mos agjëroni në këto ditë (ditët e teshrikut), pasi janë ditë, në të cilat hahet, pihet dhe gëzohet me familjen” (Taberani).
g.kosovari