Nga Jakin Marena
Është shuar në moshën 55 vjeçare gazetari Zamir Dule. Dha frymën e fundit në një nga spitalet e Tiranës, duke mbyllur në këtë mënyrë kapitullin e një jete të trazuar dhe të ‘kyçur’ brenda katër mureve të shtëpisë së tij në Miras të Korçës, njëri nga gazetarët më brilantë të kronikës në Shqipëri.
I dha fund herët profesionit të gazetarit, jo për fajin e tij, por për shkak se mbi të u shkarkua gjithë maskarallëku i kohës, gjithë diktatura e kohës. Pasi Zamir Dule e nisi gazetarinë, profesion i cili për të fatkeqësisht nuk kishte qënë as në momentin dhe as në vendin e duhur, pikërisht në periudhën më të zezë post-komuniste, nën regjimin e Sali Berishës, zhgënjimi më i madh dhe precedenti më i rrezikshëm në politikën shqiptare.
Kam pasur fatin ta njoh, të jem koleg me Zamir Dulen për pak kohë tek gazeta “Koha Jonë” në vitet e para të post-komunizmit. Ishte një raporter kronike ndryshe. Këtë kishte parë me sa duket dhe drejtuesi i kësaj gazete Nikollë Lesi, asokohe gazeta më e madhe dhe njëherësh opozita reale në Shqipëri, kur e tërhoqi Zamirin nga Korça ku ishte korrespondent në redaksinë e Tiranës.
Tepër skrupuloz në gjetjen e lajmit, kërkonte gjithnjë lajmin e ‘çuditshëm’ siç e konsideronim ne me shaka kur drekonim në ish restorant “Durrësi” që ishte afër redaksisë së asaj kohe. Flas për kohën kur punonim në të njejtën redaksi.
Nuk përzihej me lajme kronike që kishin ndonjë afri me politikën apo me njerëz të politikës brenda, përfshirë dhe punën në gjykatë apo prokurori. Më shumë kërkonte terrenin, lajmet e policisë, kryesisht krimin ndaj personit apo elementë të tjerë që e bënin lajmin e tij të shkurtër por brilant, të mbushur me metafora që tërhiqnin pafund lexues.
Aq jashtë politikës ishte sa dhe lajmet që kishin sadopak lidhje me të, në kushtet e sinqeritetit të thellë e mes humorit pafund me kolegët, i ‘këmbente’ në raportin 3 me 1 me lajmet që i pëlqenin vetëm atij, që dinte vetëm ai t’i bënte bukur, duke mbetur i paharruar dhe me këto çaste ‘negociimi’ mes kolegësh.
Por ama pena e tij godiste fort, e kërkonte lajmin aty ku ishte dhe i pamundur, duke prekur jo pak ‘tela’ të segmenteve shtetërore të regjimit të atëhershëm të Berishës, kohë në të cilën ishte arritja më e madhe për një gazetar po të merrej një raport i ‘krehur’ javor mbi krimin në vend. Nuk raportohej asgjë, ishte gjithçka hermetike, ndaj nëse krahason ngjarjet kriminale në vend në atë kohë, të dilnin afërsisht njëlloj si në kohën e Enver Hoxhës. Mbytej gjithçka, s’raportohej asgjë.
Zamir Dule ia doli që ta çante këtë ‘koracë’ që ishte krijuar jo vetëm në polici por në të gjithë institucionet e shtetit dhe e pagoi me një dhunë të paparë të ushtruar nga shërbimi sekret i asaj kohe, SHIK-u i Bashkim Gazidedes me urdhër direkt nga presidenti i asaj kohe Sali Berisha.
Më 3 mars 1997 redaksia e gazetës “Koha Jonë” me urdhër të Berishës dhe Gazidedes u dogj. Brenda redaksisë së gazetës më të madhe të kohës jetonte dhe gazetari Zamir Dule. Nuk ishin milionerë atëherë gazetarët, ishin thuajse në të njejtin model jetese. Nuk kishin filluar akoma ‘qokat’ në funksion të pasurimit apo ‘kompromiset’ me regjimin dhe strukturat e saj, që bëheshin nën petkun e ‘gazetarisë së pavarur’.
Pasuria e vetme e gazetarëve në atë kohë ishte idealizmi e dëshira për këtë profesion të vështirë dhe jo gazetari e lajmit me komandë dhe të ‘ngjyer’ me favore, ndaj Zamir Dule jetonte brenda redaksisë. Si shumica e gazetarëve të tjerë, që jetonin npëpër redaksi apo ‘popullonin’ konviktet, ose një hyrje për shumë gazetarë për të ndarë qiranë. Pavarësisht se disa prej tyre sot janë bërë milionerë. Pjesa tjetër kanë mbetur rrogtarë, pra janë jo ‘në përshtatje me kohën’.
SHIK-u i Berishës dhe Gazidedes ‘shënjestroi’ pas djegies së redaksisë së gazetës Koha Jonë, pikërisht gazetarin Zamir Dulen, të cilin e torturoi dhe masakroi duke e goditur ku të mundnin, duke filluar që nga redaksia e deri në qelitë e paraburgimit në komisariat, për ta masakruar më tej në “Malin me Gropa” e për ta lënë për të vdekur aty.
Fati e shpëtoi që të jetonte deri ditën e djeshme, por nuk ishte më gazetari Zamir Dule, ishte tjetërsuar, ishte i frikësuar dhe priste nga momentin në moment që në banesë të futeshin njerëzit e SHIK-ut. Jetoi që nga viti 1997 i mbyllur në shtëpinë e tij në Miras të Korçës, ku kontakti i vetëm me botën ishin librat.
Jetoi mes varfërisë, vetëm me një pension special të akorduar nga qeverisja e Fatos Nanos, si vlerësim për kontributin e tij të shkurtër por me gjurmë të thella në gazetari, por që asnjëherë nuk i mjaftoi për të bërë një jetë normale në kushtet e anormalitetit, për të hedhur ndonjë kujtim në letër për punën e tij, pasi ishte goditur dhunshëm nga regjimi i Berishës pikërisht në atë që dinte të bënte më mirë: Gazetarinë dhe librat. Duke mbetur vetëm në botimin e një libri, atë të para vitit 1997 kur u masakrua nga regjimi i Berishës, librin “Përbindëshi i Tropojës”.
Dhe nuk ishte rasti i parë masakrimi i gazetarit Zamir Dule. Plot një vit para se të dhunohej pa kthim Dule, ishte rrëmbyer dhe masakruar gazetari i “Dita Informacion” Bardhok Lala. Nga e njëjta strukturë, SHIK-u i Gazededes dhe Berishës, të cilët e rrëmbyen te “Dollari” përballë Bankës Qëndrore të Shqipërisë, teksa gazetari Lala po kryente detyrën, pasqyrimin e protestës së vetme të opozitës së atëhershme socialiste gjatë regjimit të Berishës në sheshin “Skënderbej”, më 28 maj 1996, vetëm dy ditë pas vjedhjes së votës nga Berisha, në zgjedhjet e 26 majit të këtij viti.
Gazetarin Lala, e rrëmbyen e dërguan në komisariatin 2, sot drejtoria e policisë së Tiranës, e rrahën, e masakruan dhe e dërguan në buzë të liqenit artificial të Tiranës, duke e rrokullisur për të vdekur në ujë. Fati i gazetarit Lala ishte një familje që e gjeti ashtu gjysmë të vdekur, lajmëroi redaksinë të cilët e dërguan në fillim në mënyrë private në Tiranë, ku miqtë e tij e kuruan përkohësisht dhe më pas jashtë vendit, në Gjermani.
Por ama dhe gazetari Bardhok Lala që nga ajo kohë nuk iu kthye më gazetarisë, ushtron një profesion tjetër tani, atë të kujdesit për njerëzit, në mjekësi. Ndonëse ai kujton me nostalgji gazetarinë, ëndrrën që ia prenë në mes dhe që e goditën që në fillimet e saj.
Dhuna e Berishës dhe e organeve të dhunës që komandonte u lëshua dhe mbi gazetarë të tjerë, që nga kryeministri aktual Edi Rama që e goditën dhe e lanë për të vdekur në Tiranë, e deri tek rrahja dhe dhunimi i Zenepe Lukës, Erion Braçes dhe gazetarëve të tjerë vendas dhe të huaj, pamjet e të cilëve pushtuan mediat e tërë botës në atë kohë. Duke i dhënë madje Berishës dhe ‘titullin’ më të lartë: ‘Një ndër 10 armiqtë më të mëdhenj të shtypit në botë’.
Dikush mund të thotë se ka ndryshuar. Aspak. Mjafton të futeni në ‘motorin’ e kërkimit google dhe të shihni konferencën e parë për mediat që Berisha mbajti sapo erdhi në pushtet si kryeministër në vitin 2005, dhe do të shihni se si një nga gazetarët më të njohur, botues madje, të bllokohej teksa bënte pyetjen. Nga frika jo nga gjë tjetër, la konferencën e shtypit dhe iku ashtu i bllokuar pa thënë asnjë fjalë për shumë minuta. Një sinjal që duhej pasur kujdes me Berishën.
Janë shumë gazetarë që kujtojnë ato kohë të tmerrshme të pas vitit 1997, kur Berisha dhe pse në opozitë e kishte tërë inatin me mediat. Kur gjysmën e sallës së konferencave në katin e dytë të selisë së PD e zinin badigardët dhe ish të fortët e policisë, kur pyetjet, identifikohej emri dhe media që përfaqësojë atëherë, përcilleshin me altoporlant nga dritarja për turmën jashtë që brohoriste Berishën. Kur gazetaret dhe gazetarët fyheshin dhe torturoheshin para selisë së PD, kur gazetarë të shumtë u larguan jashtë vendit, për arsyen e vetme se ‘lexuan’ disa ditë para grushtit të dështuar të shtetit të 14 shtatorit 1998 deklaratën e Berishës se një person do të vritet për të rrëzuar regjimin e Nanos, dhe tre ditë më vonë vritet ish lideri i dhjetorit Azem Hajdari.
Teksa na kujtohen të gjitha këto ngjarje të rënda, në këtë ditë trishtuar për gazetarinë shqiptare me shuarjen e gazetarit brilant Zamir Dule, na vjen në kujtesë situata e tmerrshme që zotëronte në takimet e medias me Berishën në 8 vitet e qeverisjes së tij. Deri kërcënimet me jete dhe në shpalljen e tyre puçistë, etiketimet e kërcënimet që kanë vijuar vazhdimisht edhe tashmë që është nën arrest shtëpiak. Dhe mundohem t’i vë në ‘kandar me sjelljen qeverisja socialiste dhe kryeministri Edi Rama kanë me mediat.
Ndjehem mirë që kujdesi ndaj mediave ka mbërritur deri në atë shkallë sa dhe një shikim i vrejtur i kryeministrit aktual merret si dhunë ndaj medias. Reagojnë dhe shoqatat e gazetarëve për këto raste, parciale të themi pasi në rastin e kërcënimit të një gazetari investigativ, për Artan Hoxhën e kemi fjalën, nga Berisha në një studio televizive nuk u ndjenë asnjë shoqatë që të reagonte.
Eshtë për t’u përshëndetur kjo ndjeshmëri e lartë, dhe jam kundër të gjithë atyre që etiketojnë tek tuk ndonjë gazetar që reagon si ‘gazetar qelqi’ që thyhet me një shikim të atij që ka përballë, apo ndryshon humor me një mesazh që vjen nga shefi, i partisë apo i biznesit i lidhur me partinë, për të krijuar ‘situatë’. Rëndësi ka që gazetarët të mos cënohen në punën e tyre, të bëjnë mirë profesionin e tyre pa u përballur as dhe me një shikim të vrejtur. Duhet të luftohet për arritjen e më të mirës. Paçka se shumë nga gazetarët në fillimet e veta u përballën me burgun, rrahjen e masakrimin, provuan në trup grushtet, shkelmat e shkopinjtë, duke u vënë përballë dilemës së lënies së këtij profesioni. Dhe shumë e lanë. Por kohët ndryshojnë, dhe për mirë dhe për këtë jemi shpresëplotë se gazetaria nuk do ketë asnjë pengesë nga faktorë jashtë saj për të bërë punën e vet. Nga brenda gazetarisë, ia vlen të diskutojmë.
Por dje ishte një ditë e trishtueshme, gazetaria ka humbur Zamir Dulen, gazetarin brilant të kronikës, që kurrë nuk shkruajti: “Unë them se ka ndodhur kjo” dhe “ka ndodhur kështu siç them unë”. Kishte togfjalësh tjetër ai në atë kohë, si shumë të tjerë, duke filluar nga fjalët ‘mendoj’, ‘besoj’, ‘sipas’… dhe terma të tjera të shenjta të gazetarisë, që shoqëroheshin me fakte. Pa marrë asnjëherë ‘eksluzivitetin’ e të vërtetës absolute.
Shpirti i trazuar, i goditur dhe dhunuar i Zamir Dules pushoftë në paqe. Si një apel për të gjithë gazetarët dhe ata që janë përballë tyre, për të bërë secili punën e tij, pa ndërvepruar dhunshëm me njëri tjetrin, por dhe pa i hyrë në hak njëri tjetrit.
Me sa duket ‘mallkimi’ i Zamir Dules i cili qëndroi i mbyllur në shtëpi për 24 vite me radhë deri në fund të jetës, si pasojë e traumës së shkaktuar nga dhuna makabre e ushtruar SHIK-u i Berishës, e ka zënë dhe Sali Berishën, i cili që nga dhjetori është mbyllur nën arrest shtëpiak në pallatin e tij. Dhe që rrezikon të qëndrojë gjatë i mbyllur, në shtëpi apo qeli, duke treguar se ka dhe një Zot lart që sheh. Përpos shpresës që drejtësia e re t’i shohë me detaje zullumet e tij.