Ish Kryeministri Berisha, në një mënyrë të nënkuptuar ka bërë të qartë se qeveritë e mëparshme kanë vjedhur, pra përfshi edhe qeveritë e drejtuara prej tij, por ama, po sipas demokratit, jo më shumë se qeveria “Rama-Kokëdhima”.
Ka qenë kjo deklarata e papritur e ish Kryeministrit, dje në Parlament, e cila dashur pa dashur ka lënë të nënkuptohet se qeveritë e drejtuara prej tij kanë vjedhur pasuritë dhe buxhetin e shtetit.
“Sot këtu është një debat mbi abuzimet masive të qeverisë Rama-Kokëdhima në koncesione. Qeveria Rama-Kokëdhima është qeveria e hajdutëve të shtetit, është qeveria që në një vit ka vjedhur më shumë se të gjithë qeveritë e marra së bashku në 25 vite.”- ka thënë Berisha.
Berisha ka mbrojtur konçensionet e dhëna prej tij për ndërtimin e HEC-eve gjatë qeverisjes 8 vjeçare të PD-së.
“Ju ngriheni këtu dhe villni vrer ndaj koncesioneve në hidrocentrale, të cilat përbëjnë suksesin më të jashtëzakonshëm në historinë e një qeverie. Janë 161 kontrata të firmosura për 430 HEC”- tha Berisha në mbrojtje të konçensioneve.









