Nga Jakin Marena
Pavarësisht se përballë ka heshtjen e kreut aktual të PD Lulzim Basha, lideri historik i kësaj partie Sali Berisha nuk i ka ndalur takimet e tij me bazën demokrate, përmes “foltoreve” të organizuara në qarqet e vendit. Duke shfytëzuar vakuumin e lënë nga Basha kuptohet!
Nga Kavaja Berisha, teksa lajmëroi se takimi i radhës do të jetë në Lezhë, nuk mungoi të deklarojë zyrtarisht hyrjen në garë për kreun e PD.
Këtë radhë e tha qartë dhe shkoqur, pa asnjë dilemë se do të jetë dhe ai në garë. Pavarësisht se ekziston bindja se zor që do guxojë njeri tjetër të garojë përballë tij, pa lejen e vetë krye-garusit.
Ndërsa Lulzim Basha vazhdon të kundërpërgjigjet nga Tirana, përmes fjalëve-kod dhe akuzës tashmë të konsoliduar ndaj Berishës se po kërkon të kthejë PD në një bunker anti-amerikan, të cilin s’do ta lejojë, ish kryeministri po mbledh firmat për të zhvilluar punimet e Kuvendit të PD.
Mbështetësit e Berishës deklarojnë në media dhe në publik se në total është arritur mbledhja e firmave të mbi 50 përqind të delegatëve të Kuvendit, gjë që nëse rezulton e vërtetë atëherë Kuvendi jo vetëm që mblidhet, por dhe merr vendime të rëndësishme për ndryshimin e statutit, mocionin për shkarkimin e kryetarit aktual Lulzim Basha dhe deri shkrirjen e PD.
Berisha në historinë e tij të gjatë në politikë e në krye të PD, janë 30 vite me radhë pa shkëputje, ka treguar se tenton të amplifikojë përmes simbolikave që përdor, të gjitha lëvizjet politike.
Kështu po vepron tani, duke kërkuar që “preludi” i “foltoreve” në të gjithë vendin, të ketë një mbyllje spektakolare dhe një mundësi justifikimi për nismën e ndërmarrë nën etiketimin e “rikthimit të vlerave në PD”, sipas tij, të shkatërruara nga Lulzim Basha që nuk pyet për statut dhe merr vendime personale për përjashtime të figurave kryesore të PD.
Pavarësisht se është e pajustifikueshme për partinë e parë opozitare shqiptare, që luajti rolin kryesor për rrëzimin e komunizmit, qeverisi disa herë vendin dhe tashmë është partia e dytë në vend, që të shohë si mundësi për demokratizim Sali Berishën e rikthyer, pas një tërheqje 8 vjeçare nga drejtimi zyrtar i PD, situata në këtë parti po ecën me shpejtësi në pikën e nisjes.
Lideri historik i PD Sali Berisha po tenton të “riciklohet” në politikë për të qënë “violinë e parë” në këtë parti dhe në opozitën shqiptare. Për këtë qëllim i duhen të gjitha mjetet e nevojshme që rikthimi i tij në krye të PD të mos merret si një tekë plaku të rrjedhur, apo në hall të madh personal, por si një përpjekje për të “rithemeluar” PD-në e vlerave të dhjetorit dhe për ta bërë këtë parti pretendente për të ardhur në pushtet.
Berisha shfrytëzon këtu dhe paaftësinë e Bashës për të mundur Ramën, por dhe për të qënë një pretendent serioz për të sjellë opozitën në pushtet në një kohë akoma më të largët, pasi të gjitha përballjet me kundërshtarin politik i ka humbur.
Evidentimi i Bashës si një humbës i garantuar sa herë që udhëheq PD në garat elektorale, dhe përballë tij një Berishë që të paktën e ka sjellë partinë dy herë në pushtet, vërtet që ngjit tek demokratët dhe tek mbështetësit e tyre.
Por një 77 vjeçar si Sali Berisha, për t’u rikthyer sërish në politikën aktive si një lider i PD ka nevojë dhe për një simbolikë që të krijojë impakt, të paktën tek demokratët. Me sa duket ai e ka mbyllur këtë problem, teksa po “luhatet” që Kuvendin Kombëtar të PD ta mbledhë më 8 apo më 11 dhjetor të këtij viti.
Do ta quajë kuvend të “rithemelimit” të PD, sado e dhimbshme që mund të tingëllojë për demokratët dhe shoqërinë shqiptare, që tani pas 30 vitesh sërish PD rikthehet në pikën e nisjes: “Rithemelimi”, dhe për më tepër nga i njejti person, Sali Berisha. Vetëm se 30 vite më i vjetër.
Jo pa qëllim lideri historik i PD po luan me këto dy data për të zhvilluar Kuvendin Kombëtar që për hir të vërtetës nuk është “rithemelues” por thjeshtë një tentativë për “riciklim” të Berishës.
E themi këtë sepse më 8 dhjetor, tashmë Dita e Rinisë, rinia studentore u ngrit kundër regjimit komunist duke kërkuar pluralizëm politik, ndërsa 11 dhjetori është dita e themelimit të PD, siç ka qejf ta quajë Berisha, pasi deri para disa viteve festa është bërë më 12 dhjetor.
Por luajtja me datat e dhjetorit, bëhet jo pa qëllim nga Berisha, i cili po bën të gjitha përpjekjet për të justifikuar nismën e tij për të shkarkuar Bashën, nën pretendimin se janë përpjekje për të rikthyer PD në vlerat e dhjetorit 1990.
Berisha është munduar të bindë shqiptarët dhe më shumë ndërkombëtarët se rikthimi i tij nuk duhet të ngjallë frikë, pasi ai do lejojë deri dhe fraksionet në parti, ndërkohë që do fusë primaret në PD, ku kryetari jo detyrimisht do të jetë dhe kryeministër. Si dhe elementë të tjera, që ai pretendon se mund të krijojnë ndjesinë e ndryshimit të PD apo të marrin trajtën e “rithemelimit” të kësaj partie.
Se sa e mban fjalën Berisha të gjithë e dinë dhe e kanë provuar. Që në vitin e parë në krye të PD përjashtoi kreun e grupit parlamentar, më pas përjashtoi të gjitha figurat e besueshme të PD.
Ndonëse përmend faktin se i rimblodhi më 2005 për të ardhur në pushtet dhe këtë gjë përsërit se do ta bëjë dhe tani, e vërteta është se tashmë nuk ka mbetur njeri për t’u rikthyer dhe për të rivitalizuar PD-në. Pasi“zanatin” e “babait” të tij politik e mësoi dhe “biri” Lulzim Basha, i cili nuk la figurë të respektuar dhe që sillte vota në PD, pa përjashtuar.
Duke e katandisur PD-në në një dualitet të fortë politik, pa “garniturë” mbështetëse afër, aq sa drejtuesit e grupimeve marrin të përjashtuarit e njëri tjetrit për të formatuar kauzën politike.
Fatkeqësisht mund të themi se dhe në gjithë këtë kaos të krijuar në PD, menjëherë pas përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar, vendim personal ky i pranuar dhe nga vetë Basha, lideri historik demokrat është në avantazh të thellë mbështetjeje në bazën e partisë dhe me shumë shanse për të ngrenë “kokën” e Bashës, për të cilin është zotuar se do ta shkarkojë në vend.
Ndërkohë që nga ana e tij Basha ia ka bërë më të lehtë lëvizjen, teksa nuk ka lëvizur as gishtin për të përballuar sulmet e Berishës e për të fituar bazën e PD, por ka vepruar si gjithnjë, duke tentuar të shtyjë krerët e degëve dhe anëtarët e forumeve që të sqarojnë demokratët për vendimin që mori, duke argumentuar se ishte në favor të shpëtimit të PD nga bunkerizimi dhe izolimi ndërkombëtar. Pra kërkon të nxjerrë “gështetnjat nga zjarri” me duart e të tjerëve sërish.
Shqiptarët do të kenë “shansin” fatkeq që pas 30 vitesh, në dhjetorin e ‘ngarkuar’ me ngjarje të mëdha në favor të demokratizimit të vendit, të shohin Sali Berishën e “ricikluar” në krye të PD, duke e “shitur” rikthimin e tij, si një rikthim të vlerave demokratike në PD, rikthim të votës së lirë në këtë parti, e cila ishte “uzurpuar nga Basha”. Pra një “rithemelim” i PD nga i njejti njeri.
Dhe gjasat janë që këtë “demokraci” në PD të sjellë nga Berisha, demokratët ta shijojnë gjatë, po shumë gjatë, në opozitë.
Një i rikthyer nga “vdekja” politike si Sali Berisha, i cili “pason” një kryetar që “ka lindur i vdekur” politikisht si Lulzim Basha, i vetmi politikan shqiptar që në 8 vite në krye të një partie politike ka shënuar zero fitore përballë rivalit politik, e ka të pamundur ngjitjen e PD në krye të listës pretenduese për të ardhur në pushtet.
Megjithëse demokratët, për momentin mund t’i gëzohen fitores së liderit historik Sali Berisha, kuptohet nëse nuk arrin ndonjë pazar më parë me Lulzim Bashën. Politikanët shqiptarë janë të shquar për arritjen e pazareve atje ku është e pamundur, dhe në “dekikën” e fundit siç e thonë rëndom shqiptarët. Të presim! Dhjetori do të jetë i përflakur me riciklime, rithemelime, pazare dhe ikje nga sytë këmbët. Në Shqipëri apo në Holandë!