“Po vij nga Mati, një matjane e zonja, e aftë, e shkolluar mirë, por që ka ardhur të punojë për Matin dhe Shqipërinë, njoftoi se Mati vitin që kaloi kishte 13 lindje. Erseka në një vit pati vetëm një lindje. Kurrë ndonjëherë ne nuk jemi boshatisur në këtë mënyrë.
Çfarë ndodhi me ne? 12 vite miqtë e mi, lëvizjen e lirë, këtë të drejtë madhore të çdo qytetari, Edi Rama e përdori për të përzënë shqiptarët nga Shqipëria. Edi Rama me rejjimin e tij përdori kundër shqiptarëve armët më të egra të regjimeve më çnjerëzore. Përdori varfërinë, mjerimin, papunësinë, skamjen për të boshatisur Dibrën, Matin dhe Shqipërinë. Edi Rama qeveris për 12 vite. Kur erdhi në pushtet, Dibra dhe dibranët, Shqipëria dhe shqiptarët shtoheshin. Rrogat e tyre, pensionet e tyre rriteshin çdo vit. Bizneset e tyre, fermat e tyre zgjeroheshin vit pas viti. Shqiptarët së bashku me dashurinë për Shqipërinë, dhe dibranëve për Dibrën, u ecte shpresa për një ditë gjithnjë e më të mirë. Kurse Edi Rama u vrau shpresën shqiptarëve. Solli në krye të vendit një grusht hajdutësh që kohërat nuk i kanë njohur kurrë në histori. Miq, çdo vit dhe më shumë, i zhyti shqiptarët në varfëri gjithnjë e më të madhe. Pensionet e tyre u ngrinë, rrogat e tyre u ngrinë, çmimet u rritën me 200 përqind. Sofrat u përgjysmuan. Të rinjtë dhe kush mundi mori rrugët e dheut për të mbijetuar. Ëndrrën dibrane, ëndrrën shqiptare e morën me vete për ta ngritur në vende të tjera. Fermerët e Dibrës falimentojnë njëri pas tjetrit sepse iu hoqi subvencionet, hapi doganat. Prodhimet e subvencionuara të fermerëve të Ballkanit, dhe veçanërisht të Serbisë, vërshojnë sot në tregje dhe sot 80 përqind e frutave, zarzavateve vijnë nga jashtë. Ndërkohë, tokat mbeten djerrë dhe prodhimet kalben në Shqipëri”,- tha Berisha.











