Nga Jakin Marena
Sali Berisha nuk u surprizua aspak me vendimin e grupit parlamentar të PD zyrtare të udhëhequr nga Enkelejd Alibeaj, i cili nuk pranoi nënshtrimin ndaj “Rithemelimit” dhe vendosi për daljen më vete në zgjedhjet vendore të 14 majit 2023.
Berisha e dinte që në krye të herës se s’mund të kishte rezultat pozitiv nga negociatat me kushte, që po bënte me kundërshtarët e tij brenda PD. Madje pikërisht që të dështonin këto negociata, vetë ish kryeministri demokrat e kishte vënë “stekën” shumë të lartë, për të mos e kapërcyer kurrë, sado vullnetmirë të ishin grupi i Alibeajt, për të sakrifikuar nga qëndrimi i tyre e për të pranuar bashkimin e të gjitha forcave të demokratëve, për kandidatë të përbashkët në zgjedhje, në 61 bashkitë e vendit.
Një ndër elementët bazë që Berisha vendosi si kusht për “bashkimin” e PD dhe për të pranuar daljen me kandidatë të përbashkët më 14 maj në garën zgjedhore, ishte pranimi dhe zbatimi nga PD zyrtare e Alibeajt i statutit të 11 dhjetorit të “Rithemelimit”, edhe për përzgjedhjen e kandidatëve për kryetarë bashkie përmes votimit të primareve.
Me pak fjalë Berisha kërkonte njohjen e statutit dhe për pasojë dhe Kuvendit të tij kombëtar të vitit të kaluar, pikërisht nga grupi i Alibeajt, i cili jo vetëm që e kishte denoncuar publikisht këtë Kuvend si jashtëstatutor por dhe kishin bërë ankimim në gjykatë për ta rrëzuar atë. Bashkë dhe me statutin dhe “primaret” brenda tij.
Gjykata e apelit vendos nesër, më 3 nëntor për fatin e këtij statuti, që rëndom cilësohet edhe nga media si “beteja për vulën e logon e partisë”, kush do të ketë shansin që t’i mbajë dhe një vendim që ndan përfundimisht debatin zyrtar të paktën se cili nga Kuvendet kombëtare, ai i Berishës apo ai i Bashës kishin legjitimitetin e duhur juridik e politik për të qënë dhe përfaqësues i PD zyrtare.
Në të gjitha këndet po ta shohësh, që në krye të herës jo vetëm Berisha që ishte skenaristi i kësaj “telenovele” negociatash, por dhe demokratët e më pas qytetarët ishin të bindur se do dështonin. Berisha i kishte konceptuar pikërisht me mënyrën e tij, që ato të dështonin dhe PD të ndahej në dy pjesë, vetëm pak muaj para zgjedhjeve të përgjithshme vendore më 14 maj.
Ishte plotësisht e natyrshme që grupi i Alibeajt të mos rikthehej te e shkuara, pra të mos pranonte apriori një statut të Sali Berishës, të cilin e kanë goditur në gjykatë dhe ku presin dhe një vendim pozitiv nga Apeli, me shpresë se do ta rrëzojë atë. Shpresojnë të paktën për këtë. Berisha e dinte si dreqi pamundësinë e arritjes së një marrëveshjeje me kushte, pasi pikërisht këtë dështim priste.
Ndonëse se për hir të bashkimit dhe prezantimit të një rezultati dinjitoz në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm, grupi i Alibeajt cedoi në vendimet e tij dhe u ul në tryezën e negociatave me negociatorin e Berishës, kreun e këshillit kombëtar të “Rithemelimit” Edi Paloka, duke kërkuar rënien dakord vetëm në një element, atë të bashkimit të të gjithë aseteve zgjedhore për një kandidat të vetëm në emër të demokratëve për bashkitë në vend, përmes një përzgjedhjeje 50% me primare dhe 50% me sondazh publik, çka përafronte një proces zgjedhor brenda partisë për të konkluduar te më i miri i mundshëm kandidat përfaqësues, ky grup s’mund të pranonte kushtin që kandidati të zgjidhej vetëm nga primaret e Berishës.
Eshtë shumë e thjeshtë të shpjegohet. Në të gjitha rastet e një votimi në këto primare sipas kushtit të Berishës, nga 80 mijë anëtarët e PD, ishte e sigurtë se dhe sikur me “brirë” të ishte kandidati i grupit të Alibeajt në garën brenda PD, ai do humbiste përballë kandidatit të Berishës.
Eshtë një fakt i gjithëpranuar që Berisha e zotëron shumicën e anëtarësisë së PD dhe 100 votime të bëhen, fitojnë kandidatët e tij. Eshtë fakt. Atëherë për çfarë do nevojitej dhënia e konfermës nga ana e këtij grupi në negociata me Berishën, që të mbështesnin primaret dhe kandidatin e formatuar nga Berisha, për të 61 bashkitë e vendit.
Eshtë e sigurtë që grupi i Alibeajt, që nga bërthama e deputetëve që kanë mbetur pa e “dredhur” dhe shkuar tek Berisha, e deri tek mbështetësit e tyre në bazë, sado e pakët të jetë kjo mbështetje, do të ishin thjeshtë dhe vetëm një shtojcë apo masë votuese pa asnjë ndikim në vendimmarrjen e “Rithemelimit”. Do ishin të nështruar ndaj Berishës, i cili në fund të herës do të realizonte atë që ka pasur që në fillim të herës në mendje, pas nisjes së “foltoreve” për dëbimin e ish kryetarit Lulzim Basha, atë të uzurpimit të plotë të PD dhe marrjes peng të saj.
Pra Berisha, atë që nuk e mori me forcë në atë sulm të dhunshëm me qyski si dhe mjete të tjera rrethanore më 8 janar teksa sulmoi selinë e blinduar të PD buzë Lanës, atë që i mbeti pa marrë pas atij rezultati karrambolesk në zgjedhjet e pjesëshme më 6 mars të këtij viti në 6 bashkitë që shërbyen dhe si “kampion” mbështetjeje për dy grupet brenda PD por që treguan se dhe të gjithë bashkë nuk fitojnë ndaj PS dhe Edi Ramës, ta marrë përmes negociatave me kundërshtarët, duke këmbëngulur për njohjen e Kuvendit të 11 dhjetorit, statutit të tij dhe të primareve brenda.
Pavarësisht se ishte i sigurtë për dështimin e negociatave e pamundësinë e pranimit të kushteve të tij nga grupi i Alibeajt, Berisha e provoi si shans. “Po e hëngrën, e hëngrën”, me një fjalë. Me dështimin e tyre një natë më parë, do të pyesë ndokush se përse bënte si i nxehur Berisha, pse e “trashi gjuhën”, duke kërcënuar kundërshtarët brenda partisë me jetë “nëse prekin flamurin e shenjtë të partisë”, apo bashkë me ta dhe Edi Ramën, po me jetë dhe shoqëruar me fjalinë “dhe në vrimë të miut të futet, do të gjendet nga demokratët”?
E bëjmë këtë pyetje sepse Berisha, sikurse e thamë ishte i bindur se negociatat me grupin e Alibeajt për bashkimin e PD për garën elektorale të 14 majit, me ato kushte që kishte vënë, ishin të dështuara. Madje ishte përgatitur jo vetëm për dështimin e tyre por është përgatitur dhe për një vendim negativ të Apelit më 3 nëntor në lidhje me faktin se kujt i takon vula e logo e partisë, teksa nënshkroi marrëveshjen e koalicionit me kreun e Partisë së Lirisë, ish Presidentin Ilir Meta.
Pra Berisha e kishte gjetur dhe “strehën” politike për të regjistruar kandidatët e “Rithemelimit” në zgjedhjet e 14 majit. Njësoj sikurse kishte bërë me zgjedhjet e 6 marsit të këtij viti, kur hyri në koalicion nën okelion e “Shtëpisë së Lirisë”. I ndanë punët me Metën dhe tani, “Rithemelimi” do ketë të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie në zgjedhjet e 14 majit, ndërsa PL do të luftojë për këshilltarët. Aty ku do të “kapin” ndonjë gjë, do ta ketë Ilir Meta kreun e këshillit bashkiak.
Ndonëse nga ana ligjore është pak e vështirë për të qënë me sigla të veçanta brenda koalicionit, nuk i lejon ligji elektoral, kjo është zgjidhur: Të gjithë kandidatët për kryetarë bashkie do të jenë të Berishës, ndërsa Meta do dominojë listën e kandidatëve për anëtarë këshillash bashkiakë. Këtë e konfirmoi dhe kreu i këshillit kombërtar të “Rithemelimit” Edi Paloka, i cili nënvizoi faktin se nëse nuk marrin logon dhe vulën e PD më 3 nëntor, atëherë do të operohet si më parë, dalja me siglën e koalicionit të përbashkët.
Si më 6 mars të këtij viti, e njëjta formulë, e njëjta frymë si dhe i njëjti mentalitet. Vetëm me “armiqtë” brenda PD-së të kryesuar nga Alibeaj nuk bëhet asnjë pakt normal bashkimi apo aleance nga Berisha. Ka kushte aty, me “stekë” të lartë dhe të pakapërcyeshme as për një politikë anormale. Me detyrim përcaktim me një fjalë.
Atëherë sërish pyesim: Pse Berisha e ashpërsoi gjuhën duke kërcënuar me jetë kundërshtarët e tij politikë brenda PD nëse “prekin flamurin e partisë”, apo kërcënimin e kryeministrit Edi Rama me protesta të fuqishme, rrethim e hyrje me dhunë brenda kryeministrisë dhe elementë të tjerë të dhunshëm siç di vetëm Berisha të kërcënojë, për të “rrëzuar këtë qeveri, e cila as në vrimë të miut s’do lejohet të futet”.
Për më tepër duke deklaruar se me Edi Ramën nuk ka zgjedhje, çka paralajmëron një bojkot të mundshëm nga opozita të zgjedhjeve të 14 majit dhe dorëzimit të “Rithemelimit” në dorën e veprimeve të dhunshme. Themi “Rithemelimi”, pasi Meta s’ka folur ende për mundësinë e një bojkoti sikurse deklaroi Berisha, apo mos-hyrje në zgjedhje me Ramën kryeministër, pavarësisht se të dy bashkë, kanë “kryqëzuar” Bashën pikërisht për bojkot zgjedhjesh më 30 qershor 2019, djegien e mandateve dhe veprimet e dhunshme me sulme me molotov ndaj institucioneve. Duke mos arritur asgjë në favor, por vetëm duke nxjerrë opozitën jashtë sistemit politik.
Deklaratat e Berishës një natë më parë se s’ka votim me Ramën kryeministër, apo kërcënimet me jetë të grupit të Alibeajt nëse “prekin flamurin e partisë”, i thonë të “vdesësh për flamur” kësaj, si dhe ndaj Ramës, duke kërkuar që të largohet sa më parë nga posti i kryeministrit pasi do të bëhet nami në protestën e 12 nëntorit, nuk kanë ardhur as për shkak të dështimit të negociatave me kundërshtarët brenda partisë e as për shkak të ndonjë veprimi esksluziv të mazhorancës aktuale në dëm të zgjedhjeve vendore të 14 majit. S’kemi parë dhe dëgjuar gjë ne deri më tani.
Të kuptohemi, Berisha është i sigurtë që, dhe sikur të bashkohen të gjitha “copat” e ndara të PD ndër vite, dhe sikur grupi i Alibeajt të ishte nënshtruar, dhe sikur të bashkohen të gjithë aleatët e djathtë dhe të tjerë rrugës, bashkë dhe me partinë e Metës, në një bllok të vetëm opozitar, s’mund ta “thyejnë” bllokun tashmë të konsoliduar të mbështetjes elektorale prej plus 800 mijë votash të PS dhe Edi Ramës, për të fituar në zgjedhjet e 14 majit 2023.
Pra Berisha është shumë i sigurtë që dhe nëse opozita është e bashkuar në një të vetme, nuk fiton në këto zgjedhje për pushtetin vendor. Pasi nuk ka frymë drejtimi nga dyshja Berisha-Meta, nuk ka shpirt aksioni opozitar dhe fitoreje, të shprehur dhe në mbështetjen e paktë në bazë. Pra nuk ka asnjë shpresë që mund të realizojë një fitore përballë Ramës, por dhe kundër SHBA, Britanisë së Madhe, vendeve anëtare të BE apo dhe grupimit të djathtë europian, të cilët i kanë shpallur “non grata”, i kanë izoluar. Madje dhe i përjashtojnë nga grupimet politike pikërisht për aleancën e nënshkruar mes tyre.
Rasti i përjashtimit të Metës e të PL nga pjesëmarrja në kongresin e Partive Socialiste Europiane, vetëm sepse kishte nënshkruar marrëveshje me Berishën, të shpallur “non grata” nga SHBA e Britania e tregon këtë. Pa llogaritur faktin që tashmë Berisha s’del jashtë territorit të Shqipërisë, madje dhe Meta është izoluar dhe askush nuk u jep as dorën. Çfarë mund të përcjellë tek votuesi gri një izolim i tillë. Për më tepër kush është ai qytetar që i thotë me vetëdije dhe me votën e tij derës së “burgut” politik dhe “vetëkarantinimit”, duke votuar pikërisht dyshen Berisha-Meta më 14 maj. Ndaj humbja e opozitës është e garantuar.
Ndërsa gjuha e Berishës është “rënduar”, thjeshtë e vetëm për të “çimentuar” alibinë e humbjes së këtyre zgjedhjeve. Madje Berisha është i lumtur që ka gjetur “zyrtarisht” edhe “shkaktarët” e kësaj humbjeje, të cilët është e garatuar se do të thuhet prej tij se janë grupi i Alibeajt, që me daljen e tyre me kandidatë të vetët në zgjedhjet e 14 majit, me kutin e Berishës i “shërbejnë fitores së Edi Ramës në zgjedhjet vendore”.
Ndërsa kërcënimet me jetë ndaj kundërshtarëve duke paralajmëruar bërjen “theror” për “flamurin e shenjtë të partisë” si dhe kërcënimet ndaj kryeministrit Rama, apo paralajmërimi i sulmeve te dhunshme ndaj institucioneve deri në “pushtim” të kryeministrisë më 12 nëntor, janë në kuadrin e mbajtjes lart të moralit të mbështetësve, duke bërë si i fortë. Para tyre kuptohet!
Pasi në fund të herës, teksa Berisha ka vendosur një “stekë” shumë të lartë për këtë protestë por dhe për opozitarizmin në vijim, se gjithçka mbyllet me rrëzimin e Ramës më 12 nëntor, një pritshmëri jo vetëm e lartë por dhe e pamundur kjo, ajo që mund të themi është se gjithë kjo retorikë nxitjeje destabilizimi dhe dhunimi institucionesh dhe demokracie, mbetet në kuadrin e utopisë. Pasi për 32 vite, megjithë protestat e dhunshme e sulmin ndaj instritucioneve, madje dhe pushtimit të tyre si më 14 shtator 1998 në atë grusht të dështuar shteti nga ana e Berishës pas vrasjes së Hajdarit, asnjë parti politike s’ka ardhur në pushtet me dhunë. Kjo është e sigurtë.
Por meqë jemi tek destabilizimi, duke qënë se dhe akuzat e Ramës “për opozitë të rublave” nuk qënkan thjeshtë retorikë politike pasi ato para i ka marrë PD nga Moska një për një, Berisha me sa duket po bën dhe një punë tjetër, po justifikon paratë e ‘dorovitura’ nga Rusia për t’u përpjekur që të krijojë një vatër tensioni e destabilizimi në Shqipëri. Në bashkërendim dhe me serbët, të cilët paskan ngritur avionët luftarakë në kufirin me Kosovën për të sulmuar sipas tyre dronët që paska futur Prishtina zyrtare në brendësi të territorit serb. Janë të lidhura gjërat, por pa shpresë për të realizuar qëllimet finale. E kur koncidencat përsëriten, atëherë është linjë veprimi.
Ndaj jo vetëm Berisha por dhe mbështetësit e tij, në parti apo në koalicion, ta marrin lehtë shkërmoqjen e opozitës në prag të zgjedhjeve vendore të 14 majit. Po ashtu dhe qytetarët që po përballen me kërcënimet e Berishës për mbërritjen e “ditës së kiametit”. Asgjë nuk do ndodhë, thjeshtë e vetëm Berisha ka gjetur alibinë e humbjes në zgjedhjet e 14 majit dhe po justifikon pagesat që ka marrë nga Moska për tensionim e destabilizim të situatës në Shqipëri.