Nga Lorenc Vangjeli
Mbas Athinës, edhe Milano. Dhe mbas Milanos në Londër e Duseldorf, e ndoshta edhe në Prishtinë e Boston. Turi i Ramës në diasporën shqiptare nëpër botë është tashmë fuçia e hedhur në det rrotull të cilës vërtiten balenat dhe cironkat e politikës, që përfshihen në debatin për llojin e drurit të fuçisë dhe të rrathëve të hekurit që bëjnë bashkë drurin e saj. I aftë si pakkush, vetëm tre a katër vetë kanë qenë në gjendje ta bëjnë një gjë të tillë në Tiranë, edhe kësaj here Rama mundi ta ndajë në dysh opinionin ndaj tij. Por me të gjitha gjasat, jo në dy gjysma të barabarta. Nga njëra anë kundërshtarët dhe skeptikët që tentojnë t’i gjejnë thinjat e mjekrës së tij brenda çdo veze e teze politike që ai tregton dhe shqipton dhe nga ana tjetër mbështetësit e tij që janë të gatshëm të brohorasin gjithmonë e gjithëherë nën hijen e mjekrës së tij gjithçka që ai shqipton dhe tregton në tregun kaotik të politikës së ditës. Gjithmonë e më pak të parët, nëse ju besohet sondazheve dhe më të shumtë, së paku në dukje të dytët, të shtuar papritur dhe nga një “rezervuar” shqiptarësh që ndodhen në emigracion.
Për herë të dytë mbas Athinës, Rama u shfaq si “Official Mascot” e Shqipërisë në Milano. Me deklamimin e fortë të nëntekstit politik: Unë jam Shqipëria! Në Milano ai ishte rishtaz regjizor dhe aktor i një shfaqjeje politike që ndërthuri imazhin me tingujt, emocionin me logjikën, historinë me poezinë, identikitin e njerëzve anonimë me panteonin e korifenjve në dy anët e Adriatikut. Rama bëri bashkë të djeshmen me projektimin e të ardhmes, patetiken përvëluese të çastit me hesapin e ftohtë të mandatit të katërt dhe, mbas sfilatës së disa këngëtarëve të njohur, u shfaq si rockstar në pallatin e sportit Busto Arsizio. I vetëm me një dekor njerëzor mbas dhe për të pushtuar skenën përpara që e priti si yll roku dhe e përcolli të djersitur tërësisht, në mundimin për të shpjeguar jo për shqiptarët milanezë të Italisë, por për një shumicë dëshpëruese merhumësh analfabetë në emigrantët e politikës së Tiranës, një të vërtetë të thjeshtë: Kjo nuk është shfaqje. Ky është aksion. Kjo është politikë, budallenj!
Edhe për naivët, tashmë duhet të jetë e qartë se biletat e turit të Ramës i ka prerë të gjitha një më një motivi politik, i cili paradëshmon një nga disa kahjet e fushatës së tij elektorale që tashmë ka nisur. Duke nisur që me kontrastin e zymtë me njeriun e dritares; njëri nën projektorët e skenës, tjetri me ndriçimin e sallonit të apartamentit të tij privat. Njëri duke pohuar dhe uruar, tjetri duke mohuar dhe mallkuar. Njëri Iphone, që pavarësisht viruseve, dëmtimit të ekranit dhe baterisë që nuk mban, tjetri si Nokia 3310 që mburret vetëm se bateria i zgjat sa një përjetësi. Në këtë kontrast, ai po ju rikujton shqiptarëve dy ofertat e vetme për të zgjedhur. Dhe më tej, për ta parë edhe shfaqjen në Milano si ajo shakaja e hershme e kokrrave të misrit që derdhen përtokë dhe që i gjëmojnë të gjithë nga mbrapa, si koka pa pula pas. Edhe ata që e duan, edhe ata që e refuzojnë qeramarrësin e “kotecit” shqiptar, që po kërkon një qera të katërt mbi pushtetin politik në Tiranë.
Politika është edhe emocion,
Gjithmonë e më shumë politika flet me emocionin dhe gjykohet nga emocionet. Dhe Rama ka vendosur t’i flasë atyre në këtë parafushatë të tij. Ndryshe nga sa do të ishte e udhës dhe shumë më ndryshe nga sa do të diktonin manualet e politikës, në këtë moment Rama nuk ka nevojë për bilancet prozaikë dhe logjikë që i kërkojnë kundërshtarët dhe as për betejat e njëpasnjëshme elektorale që ai i fiton gjithmonë e më i vetmuar. Atij i mjafton, i del dhe i tepron pikërisht kontrasti mes modelit të tij dhe atij që e konkuron. Njëri me shkëlqim prej të rinjsh instagrami e tjetri i mbyllur në kullë, njëri me lehtësinë, spontanitetin dhe tensionin e brezit Z e tjetri ende rob i sistemit të vjetër të të menduarit si fosil i ngurtësuar në vitet 90-të, njëri kombinim atletesh me kostum e tjetri një kostum doku i kombinuar dhe kasketën asketike të komunizmit, njëri kompiuter e tjetri makinë shkrimi. Njëri si Zukenbergu e tjetri si Gutembergu. Edhe pse kjo nuk është e drejtë, më shumë se e ka marrë vetë këtë epërsi, atë ja ka dhuruar Berisha. Kryetari i PD-së nuk mundi dot kësaj herë të bënte më mirë dhe më shumë, siç premtojnë zakonisht nuset e vjetra që nusërojë për herë të tretë
Në betejën e ardhshme elektorale, që është gjithmonë e më shumë ndeshje individësh dhe jo ekipesh, çelësi qëndron – nëse përdoret zhargoni i futbollit – tek aftësia e lojtarëve për të zgjidhur dhe të vetëm rezultatin e ndeshjes. Për të shpikur nga hiçi golin e fitores. Në këtë diferencë, tek aftësia e politikanëve shqiptarë për të lundruar në një terren të rrëshkitshëm gjykimi me emocionin si instrument dhe jo logjikën si mjet, të mjafta për të ndarë opinionin në dysh, në ekstremin bardh e zi e raportin refraktar mes urrejtjes së përhershme dhe dashurisë së paqëndrushme, pra në këtë diferencë, mund të paralexohet se cili mund të jetë rezultati i zgjedhjeve të ardhshme të përgjithshme.
Fatet e dy individëve që janë në lojë dhe që kushtëzojnë fatin e gjithë shqiptarëve, i Ramës në bordin e Migjenit dhe Berishës në sallonin e zonjës Liri ku ai qëndron në mungesë lirie, japin të njëjtin peisazh të trishtuar. Të dy ata janë dy pemë të vetmuara në pyjet respektive partiake, me pemët e tjera të rrafshuara e rralluara nga sa takati e po aq nga mëkati. Po të dy ata kanë të njëjtën nevojë për ridizenjimin e miqve dhe partnerëve. Por me një ndryshim: Rama ka fiks ata armiq që do të donte të zgjidhte vetë, kurse Berisha do të duhej t’i gjente armiqtë e tij më të egër në rradhët e atyre që e mitizojnë me hir e pahir. Të dy i drejtohen emocionit të turmës, por njëri zgjedh ta bëjë mbas kushtrimit “Je kuq e zi, kuq e zi!”, të Elvanës duke pikturuar një atdhe të lumtur e krenar, kurse tjetri duke e paraqitur të njëjtin atdhe si një agjensi gjigante funerali, në të cilën gjysma që ka mbetur gjallë i shet drogë edhe gjysmës së vdekur. Cili është në të vërtetë atdheu real i shqiptarëve? Portreti i parë apo agjensia e dytë? Eshtë njerëzore, që në rastin më të keq, një gënjeshtër e bukur është më e besueshme se një e vërtetë e dhembshme.
“Ju nuk jeni më të huaj në adheun tuaj”
Diku në metrat e parë të fjalimit kilometrik të Ramës, nga fundi i sallës së tejmbushur, u dëgjuan disa fishkëllima. Ishte një grup të rinjsh që kishin shpalosur një banderolë që ftonte për njohjen e votës së diasporës në zgjedhjet e ardhshme. Formalisht korrekte, ajo parrullë nuk do të meritonte të shkruhej në kapitullin e parë të incidenteve të turit të Ramës, nëse do të kishte qenë e heshtur. Por futja e modelit parlamentar të fishkëllimave të Tiranës në një miting të tillë ishte si një grusht hudhrash në kremin e një torte. Fishkëllima ishte thjesht pa vend, në vendin e gabuar dhe në kohën e gabuar. Të bindur se do të fitonin vëmendjen maksimale të transmetimit live, siç ndodh gjithmonë që vëmendjen më të madhe që merr ai që thyen pianon dhe jo pianisti që luan në të, incidenti në fakt vetëm sa zbuloi interesin me të cilën një pjesë tjetër e Tiranës, e papërfaqësuar në Milano po ndiqte ngjarjet milaneze. Duke hequr koren e një plage, në mos të shkaktuar nga të gjithë, të mbajtur hapur e të përgjakur absolutisht nga të gjithë: a do të votojë emigracioni shqiptar në zgjedhjet e ardhshme?
Për një tjetër paradoks, kjo dilemë me të gjitha gjasat do të njohë qëndrime të ndryshme në Tiranë, krejtësisht të kundërt me atë që imponon logjika dhe sugjeron propaganda 20 qindarkëshe e politikës. I akuzuar se nuk e do votën e emigrantëve sepse “…ata janë të lirë, ata nuk i ble dot, ata do të përmbysin regjimin e tij të narkotrafikut, ata e urrejnë atë që ka shpopulluar vendin, ata patriotë janë kundër vëllazërisë së tij me Vuçiçin…”, pra përtej gjithë kësaj tirade, Rama do të jetë ai që do të bëjë ftesën për të sendërtuar për herë të parë votën e emigrantëve. Dhe do ta bëjë këtë duke i parë në sy dhe duke jua thënë goja-gojës në shtëpitë e tyre në Perëndim. Krejt e kundërta do të ndodhë me kampin tjetër që duke u ndrojtur nga frika se mos qeveria jua vjedh në postë votën, do t’ua refuzojnë sërish emigrantëve këtë të drejtë. Por dhe kjo është vetëm sipërfaqja. Vota është vetëm një pjesëz formale, absolutisht më e dukshmja, por jo më e rëndësishme e një procesi përfilljeje mes shoqërisë shqiptare në atdhe dhe shqiptarëve nëpër botë. Vota është një e drejtë që si gjithë të drejtat nuk mjafton vetëm të njihet, por as mos të negociohet. Vota është vetëm një hap, por jo gjithë rruga. E rëndësishme është planifikimi i një plani kombëtar që nis që me njohjen reale të atij burimi të pamatë energjie, katalogimi, adresëzimi qoftë i kapaciteteve pararojë, qoftë atyre të fshehura. Ministria e dikurshme e qokës për diasporën nuk mund të jetë qokë, por një asht i rëndësishëm në politikëbërjen e të përditshmes së vendit. Duke vazhduar me rolin lider që duhet të ketë në këtë drejtim ministria e arsimit, siç e ka bërë para të gjithëve inisiativa e DigitAlb-i që çon copëza Shqipërie në të gjithë botën. Dhe me po aq rëndësi edhe rikthimi i atij që mundet nëse mundet: Ejani, i luti Rama rishtaz nga Milano, bashkatdhetarët e tij.
E bëri përsëri
“Oops! He did it again”, do të mendonte i dëshpëruar armiku i tij klasik Berisha në Tiranë, kur ju përmend për herë të parë emrin në orët milaneze të shqiptarëve në festë. Natyrisht Berisha nuk është Britney Spears dhe burrëria e tij e ashpër nuk do ta lejonte të përdorte titullin e këngës së famshme të ish-adoleshentes së artë amerikane, por në fakt ajo gjë ndodhi dhe Rama, në rrethana të tjera, në ambient tjetër, por për motiv të njëjtë, ripërsëriti serinë e dytë të Athinës. E njëjta strategji deklamimi ndërtuar po mbi kontraste, e njëjta teknologji e kthimit të kokës pas për të kuptuar rrugën e jashtëzakonshme që shqiptarët kanë bërë në tre dekada, e njëjta paralele mes fatit të individit dhe të vetë kombit, duke mbivendosur si sukses të kombit, suksesin e individëve të tij jashtë; një stategji e përzjerë me pak populizëm, me pak fanfara patriotizmi e sendërtim ëndrrash, me ca më pak futurizëm dhe realizëm, që të gjitha bashkë në verë, afrojnë magjinë e qetësisë, edhe kur ajo ushqehet pak nga pak me lugë të artë, madje edhe për të paftuarit me lugën e varur në brez nëpër gostitë e të tjerëve.
Në verë, i gjithë pellgu i Mesdheut përgjumet. Dielli dhe deti, bashkë me fluksin e turistëve të pafundëm që dynden nga Veriu i pasur i Evropës në Jug, për të derdhur depresionin e tyre gri, e bëjnë shumë “dolce” jetën në këtë pellg ku janë ngjizur tragjeditë më të mëdha të botës. Shtriqjet e përgjumura dhe lodhja nga dembelizmi, dremitjet e mbasditeve, ngjyrat e ndezura, mbrëmjet e gjata, vera, vallëzimi, dashuritë fluturake, vaniteti i rërës dhe mrekullia e plazheve idilike dhe masive, bëjnë të duken realitete të një botë tjetër edhe Ukrainën, edhe Gazën, edhe rrugën e Burgut të vjetër të Tiranës e zgjedhjet e ardhshme. Shqipëria e vjetshme mesdhetare që priti dhjetë milionë turistë, tashmë mund të jetë toka e premtuar edhe për ata që tre dekada më parë u arratisën si temjani nga mallkimi prej tokës së tyre. “Dhe një të tretën e këtyre dekadave, Shqipërinë e kam udhëhequr unë”, donte t’i thoshte, por jo ta shqiptonte Mascota politike e Shqipërisë edhe në Milano. Vitin tjetër ai ka zgjedhje në Tiranë. Dhe me këtë model Mesdheu, do të kërkojë mandatin e katërt qeverisës, përballë denoncimit të shndërrimit të vendit në agjensi funerale dhe rreshtit të pafund të mëkatarëve që kalojnë gardhin e SPAK-ut.
Në atdheun e Dantes pas kalimit të ferrit
“Ejani, shpesh fiton më shumë kush vjen i pari!”, tha drejtpërdrejt, me zë dhe figurë Rama përpara një furie ngazëllimi kuq e zi dhe valëvitjesh të “tringjyrëshit italian”. Koha kur njerëzit e sallës ishin të shtypur e të shtrydhur, të frustruar e të paragjykuar sepse ishin të varfërit e pashpresë të ikur nga një atdhe i varfër kishte mbaruar dhe loja me emocionin, bëhej sërish politikë e gjeopolitikë:
Nuk ka lumturi më të madhe se të kujtosh fatkeqësinë e dikurshme në atdheun e Dantes, atëherë kur fatkeqësia ka reshtur së qëni e tillë! Këtë ngazëllim desh turma në pallatin e sportit, këtë i dha edhe Rama në dialog politik po me emocionet.
Mes turmës së ndezur kontrastet vetjake bënin kërdinë, qoftë dhe duke kujtuar atë përplasje kulturash të dikurshme, atë ndrydhje që e detyronte shqiptarin e dikurshëm që edhe përpara prostitutave prezantohej si portugez se i vinte turp nga damka e ekzistenës si shqiptar. Qoftë sepse portugalishtja ishte gjuhë e rrallë, qoftë sepse përputhej më mirë me portetet e tyre të errët, të rrahur nga dielli gjatë punëve në bujqësi dhe nga zymtësia tipike ballkanase që mbanin si pasaportë apo nga mungesa e buzëqeshjes, kjo prikë tragjike që ata kishin sjellë me vete nga atdheu origjinal.
Rama tentoi dhe shenjoi momentin që të mbivendoste fatin absolutisht më të mirë vetjak të secilit prej tyre me atë që supozohej se do të kishte ndjekur dhe fatin e atdheut. Aq më shumë edhe të projektuar tek fëmijët e brezit të dytë e të tretë që e flisnin shqipen me theks italian, siç do ta flisnin vetë italianët nëse do të kishin mundur të mësonin shkëlqyeshëm shqip.
Tragetet e parkuara pranë pallatit të sportit
“Erion malavita i bashkisë së Tiranës, ky konsull i të ligës, ka nisur që një javë më parë tragete të panumërt nga Shqipëria drejt Milanos të mbushur me patronazhistë. Tragetet janë nisur nga Tirana, Durrësi, Dibra, Shkodra, Leskoviku, Vlora, Mallkastra e gjithë Shqipëria për të mbushur pallatin e sportit. Erioni i krimit është parë nga qytetari digital të paguajë me para në 3D kryetarin e bashkisë së Milanos dhe atë të Bergamos që i ishte ulur në krahë. Ai bindi edhe Vigili del Fuoco, zjarrfikësit italianë që të lejonin të hynin në sallë edhe qindra patronazhistë të tjerë mbi kapacitetin e sallës. Mijëra të tjerë i kishin braktisur në rrethinat e stadiumit, për të dëgjuar Edin e tij të krimit. Përgjigjen ata e morrën nga ata mijëra shqiptarë të ndershëm që protestuan me kurajo e dinjitet brenda asaj besëlidhje grabitqarësh duke brohoritur: Rama Ik! Rama Ik!”. Nuk ishte tamam kështu, por pothuaj kështu foli Doktori dhe keqkuptimi i tij, i të njëjtës moshë kalendarike me vesin e tij të vjetër: “Mos e përdor fjalën edhe atëherë kur heshtja të kryen punë!”, nuk i kreu punë sërish. Edhe kësaj here, teksa paralajmëronte rrëzimin e Veliajt për të martën e nëntë me rradhë, Doktori i paepur, ai që di më mirë se kushdo se çdo të ndodhë me zgjedhjet e vitit të ardhshëm, i dha edhe një tjetër fitore në tavolinë pikërisht Veliajt. Si një paradhënie të trishtuar për të vetët që e dinë njëlloj si ai si do të jetë disfata e tyre e katërt elektorale, por nuk dinë ende se çfarë elementësh të rinj duhet t’i shtojnë alibisë së vjetër: “Na vodhën votën me paratë e krimit dhe beteja vazhdon!”. Sepse fushata ka nisur. Edhe kësaj here si ndeshje modelesh.
Suksesi si bukë e Krishtit
Suksesi është si buka dhe vera e Krishtit. Suksesi shtohet kur ndahet dhe përpjestohet. Asnjë nga opozitat shqiptare, dje socialistët e sot demokratët, nuk e ka kuptuar kurrë këtë aksiomë, por kanë rendur kundër saj duke pronësuar vetëm dështimin. Një opozitë pa mëri dhe mllef, më së paku një opozitë minimalisht e mençur, do të duhej të kishte reaguar krejt ndryshe edhe ndaj këtij turi politik. Minimalisht duke e injoruar, por kurrsesi duke mos e mallkuar. Duke tentuar t’i heqë ngjyrën e kostumit partiak dhe duke i veshur kostumin shtetëror. Jo si inisiativë socialiste, por si detyrim shqiptar për shqiptarët. Në një Shqipëri normale, domethënë, në një Shqipëri sureale që nuk ekziston, do të kishte pasur krejt tjetër energji sikur, fjala vjen, kundërshtarë në Tiranë, por bashkëpunëtorë në Milano, të dilnin në podium të gjithë kryeministrat e tranzicionit. Që të flisnin shqip përpara shqiptarëve që dikur vendi i hodhi përtej asgjëse dhe i trajtoi si një asgjë e tepërt. Që i shihte si gojë për t’u ushqyer deri sa kuptuan që ata ishin dora që do të ushqenin vetë atdheun. Nëse njerëzit që kanë drejtuar këtë vend do të ishin kundërshtarë dhe jo armiq, nëse ata nuk do të gjakonin për pushtetin si qëllim të vetëm dhe jo si mjetin për të realizuar qëllime të mbara, gjithë skena do të ishte ndryshe. Dhe nuk do të detyrohej fantazia të shpikte suksesin e tjetrit aty ku do të duhej të shihej gjithçka si normalitet. E pavarësisht se ngjan kaq e pamundur për t’u besuar, kaq largësisht nga një e shkuar e afërt jo më shumë se tre dekada larg, pavarësisht problemeve të panumërta, frakturave edhe më të shumta, dilemave, disfatave, rënieve dhe ngritjeve, papritur të gjithë kanë një shans më shumë të kuptojnë një të vërtetë të thjeshtë: ngadalë, shumë ngadalë dhe kundër padurimit për të qenë ndryshe, Shqipëria dhe shqiptarët po bëhen një vend normal. Një copë Evropë në skaj të Evropës, ndërsa gjysma e popullsisë së saj, është bërë evropiane prej shumë kohësh. Eshtë njëlloj si zgjimi në tjetër vend nga ku rënë për te fjetur. Pavarësisht maktheve që e kanë bërë edhe vetë gjumin të lehtë si ecje hajduti.
Lexova sa lexova dhe arriti një pikë që lodhesha me mënyrën e të shkruarit. Ke shkruar shumë fjalë dhe thua pak gjëra. Personalisht më pëlqen kur të dëgjoj në TV, edhe kur shkruan. Por sot, me këtë e paske tepruar vetëm me lojra fjalësh duke luajtur me antonime të fjalëve apo shprehjeve. Përpiqu të jesh më i shkurtër dhe më konçiz. Kjo mënyrë të shkruari është e bukur kur e thua në ndonjë emision në TV për 2-3 minuta. Kaq gjatë është e lodhshme dhe humbet interesin e lexuesit.
Në rivalitet të fortë me Ramën (theksuar nga ju në shkrim), ke shkrojtur jo vetëm për “pushkën me gjalmë” të Selam Musait (Gutenbergu), por na cingërite nervat, me pafundësinë e fjalëve, që diçka doje të thoje, e përseri nuk e thoje, deri sa na lodhe e e mërzite kokën.
Ke filluar të përsëritësh vet-vehten, e jo pak, por shpesh e shpesh.
Moj ke filluar të plakesh ?
Bëj ca pushime Me Liken e Erisës (tashmë) nëpër male e nëpër shtigje…..