• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Thursday, December 11, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Dossier

Berisha, Pashko, Rama – Dhjetor 1990

Kujtimet e njërit prej shumë protagonistëve të atij dhjetori

by Eduard Zaloshnja
11/12/2025 17:09
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

(Ne qendër të fotos, Berisha, djathtas, Zaloshnja)

Eduard Zaloshnja ishte pjesë e grupit të studentëve dhe pedagogëve që themeluan Partinë Demokratike më 11 Dhjetor 1990. Në vijim është një intervistë me Zaloshnjën rreth ngjarjeve të asaj kohe.

Pyetje: Si një ndër pedagogët që iu bashkuat Lëvizjes Studentore të Dhjetorit 1990, ç’mund të na thoni për shkaqet e fillimit të saj dhe për platformën që ajo kishte?

Zaloshnja: Lëvizja Studentore ishte një lëvizje spontane, që filloi me kërkesën për drita e ujë, e që eventualisht arriti deri në kërkesën për krijimin e një partie opozitare. Dhe e gjitha kjo ndodhi në harkun e katër ditëve. Duke mos qënë frut i një disidence të organizuar, siç ishte disidenca çeke, fjala vjen, nuk mund të pritej që kjo lëvizje të kishte një platformë të qartë për të ardhmen. Mos të harrojmë se vetëm një pakicë fare e vogël shqiptarësh në atë kohë kishin mundësinë të lexonin çka duhej për të krijuar një vizion të plotë rreth sistemit demokratik perëndimor. Ndjekja e lajmeve të RAI-it ishte atëherë për shumë nga ne e vetmja dritare nga mund të shihej se si funksiononte bota demokratike. Dhe ajo dritare padyshim që nuk ishte e mjaftueshme për të krijuar një vizion të plotë.

Pyetje: Cilët ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore ju kanë lënë më shumë mbresë?

Zaloshnja: Ndër udhëheqësit e Lëvizjes Studentore, dy më të mëdhenjtë në moshë më kanë lënë mbresë të veçantë: Azem Hajdari, ndjesë pastë, dhe Shinasi Rama. I pari dallohej për një trimëri që Zoti e rezervon vetëm për heronjtë, ndërsa i dyti dallohej për një nivel të lartë intelektual – Shinasiu po mbaronte fakultetin e dytë dhe përkthente nga disa gjuhë të huaja në atë kohë.

Pyetje: A kishte kontradikta mes tyre?

Zaloshnja: Kontradikta kryesore mes tyre ishte rreth Berishës dhe disa intelektualëve të tjerë që nuk iu bashkuan lëvizjes studentore qysh në fillim.  Ndërkohë që Azemi e pranoi menjëherë futjen e Berishës dhe intelektualeve të tjerë në drejtimin e partisë që lindi nga Lëvizja Studentore, Shinasiu ishte i mendimit që të përfshiheshin në drejtimin e saj vetëm ata pedagogë që iu bashkuan studentëve para takimit me Ramiz Alinë më 11 dhjetor. Ishte pikërisht këmbëngulja e Shinasiut shkaku që në Komisionin Nismëtar të partisë që u krijua nga ajo lëvizje, të futeshin gjashtë studentë e jo vetëm dy. Eventualisht, Shinasiu e humbi duelin me Azemin, dhe pas një përplasje shumë të ashpër me Berishën në Komisionin Nismëtar, Shinasiu u largua nga partia. Me largimin e tij, dalëngadalë, Lëvizja Studentore u njehësua me partinë që lindi prej saj.

Pyetje: Po ju kur iu bashkuat Lëvizjes Studentore, para apo pas takimit të studentëve me Ramiz Alinë?

Zaloshnja: Në datën 11 dhjetor 1990, studentët e Universitetit Bujqësor, ku unë isha pedagog ekonomie, shpallën publikisht një peticion të ngjashëm me atë që shokët e tyre të Universitetit të Tiranës kishin shpallur një ditë më parë. Unë mbajta lidhje gjatë asaj dite me dy nga udhëheqesit studentorë të atjeshëm, të cilët ishin studentë të mij (një ndër ta, Engjëll Agaçi, është aktualisht Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Ministrave). Ndërsa në mbrëmje, shkova në Qytetin Studenti, ku ishin mbledhur dhjetra mijë tiranas. Atje takova Gramoz Pashkon dhe Elsa Ballaurin, të cilët i njihja me kohë. Bashkë me ta ishte edhe Sali Berisha e Besnik Mustafaj, të cilët i takoja për herë të parë. Disa minuta pasi u takova me ta, u mor vesh lajmi se Ramiz Alia kishte vendosur të lejonte krijimin e një partie opozitare. Në atë moment, filluam të përqafojmë njëri-tjetrin si të marrë, ndërkohë që turma gjigante e mbledhur në shesh brohoriste “Fitore!”. Nga ai moment, praktikisht, unë u bëra pjesë e Lëvizjes Studentore.

Pyetje: Në lajmin e parë të ATSH-së rreth partisë opozitare që lindi si rezultat i Lëvizjes Studentore, u përdor emri “Partia e Studentëve dhe Intelektualëve të Rinj”.  Pse dhe si ndryshoi ky emër?

Zaloshnja: Pasi ishte kthyer grupi i studenteve dhe pedagogëve nga takimi me Ramiz Alinë, në orët e vona të 11 dhjetorit, u dëgjua nga të gjithë të pranishmit në Qytetin Studenti incizimi i plotë i bisedës me Alinë. Kur mbaroi dëgjimi i asaj bisede, unë kapa flamurin që një student mbante në dorë, dhe thirra “Rroftë Partia Demokrate”. Në atë çast, Azem Hajdari ma mori flamurin nga dora dhe më tha se kishin dhënë fjalën që partia të quhej e studenteve dhe intelektualeve të rinj.

Pasi ora kishte kapërcyer 24-ën, pra kur kishte filluar dita e re, shumica e atyre që ishin takuar me Alinë, si dhe Berisha, Pashko, Mustafaj, Ballauri, Zogaj, unë, etj., u futëm në Godinën 15 të Qytetit Studenti. Gjëja e parë që diskutuam ishte sesi do ta quanim partinë e re që Alia kishte lejuar të krijohej.  Berisha, i cili e hapi këtë diskutim, tha se emri që i ishte premtuar Alisë për partinë e re nuk e përfaqsonte as masën e njerëzve të mbledhur në Qytetin Studenti, dhe as shumë të tjerë që do t’i bashkoheshin eventualisht asaj. Unë, duke i qendruar idesë sime fillestare, sugjerova emrin Partia Demokrate.  Por Arben Imami më kundërshtoi me argumentin se një parti me të njëjtin emër ishte parti kryesore në SHBA. Në vend të emrit që unë sugjerova, Imami propozoi emrin Lidhja Demokratike. Por Berisha e kundërshtoi atë emër me argumentin se mund të krijohej përshtypja në opinionin ndërkombëtar se partia jonë do të ishte një degë e Lidhjes Demokratike të Kosovës. Atëhere unë iu ktheva përsëri sugjerimit tim, por me një ndryshim të vogël – Partia Demokratike. Ballauri me shaka tha: “Pash Zotin, mos na kujto Frontin Demokratik!”.

Ndërkohë që të tjerët po qeshnin, Berisha rrinte i menduar. Pas disa çastesh, ai tha me seriozitet: “Partia Demokratike më duket emër i goditur. Do të ishte mirë që të mos ekzistonte Fronti Demokratik, sepse, në fakt, emri më përshtatshëm për partinë tonë do të ishte pikërisht Fronti Demokratik. Sidoqoftë, emri Partia Demokratike më duket se e përçon idenë se ajo do të jetë një parti e të gjithë atyre që duan një sistem demokratik në Shqipëri”. Fjalët e Berishës i vunë vulën diskutimit mbi emrin e partisë. Pas emrit të partisë, diskutuam për programin e partisë, të cilin kishim premtuar se do ta shpallnim brenda ditës në Qytetin Studenti.

Pyetje: Sa gjatë i vazhduat diskutimet në Godinën 15 dhe ç’u bë më pas?

Zaloshnja: Rreth orës 2 të natës, vendosëm të uleshim diku e t’i hidhnim në letër ato që kishim diskutuar. Unë sugjerova që të shkonim në shtëpinë time, por Berisha e kundërshtoi sugjerimin tim me arsyetimin se duhej të ishim sa më pranë studentëve. Ai tha se, pavarsisht nga përgjuesit që mund të ishin vënë në shtëpinë e Pashkos, atje ishte vendi më i përshtatshëm për të punuar për programin, ngaqë ishte afër Qytetit Studenti.  Dhe meqë ishim të lodhur, u vendos që të mblidheshim në mëngjes, pas disa orëve pushim. Më pas morëm rrugën për në shtëpi.

Pyetje: Ç’ndjenit gjatë rrugës për në shtëpi?

Zaloshnja: Tek ecja permes sheshit Skënderbej përkrah Sali Berishës, Arben Imamit, Arben Demetit, etj., ndjenja e të qënit pjesë e një çasti të rëndësishëm historik më dehu. Dhe ajo dehje vazhdoi deri në zgjedhjet e marsit 1991. Pas të cilave, PD-ja u kthye nga një lëvizje apo front i gjerë demokratik, në një parti tradicionale parlamentare – me gjithë të mirat e të këqiat e veta.

Pyetje: Ç’mund të na thoni ndonjë gjë për Berishën e asaj nate?

Zaloshnja: Qysh te godina 15, në mënyrë të vetvetishme, Berisha mori rolin e drejtuesit që përcaktonte se kush duhej të bënte çfarë. Fjala vjen, mua më tha të bashkëpunoja për programin e reformimit të bujqësisë me pedagogët Rexhep Uka, Shaban memia dhe Besnik Gjonkecaj, ndërsa Pashkos i tha të përgatiste programin ekonomik, etj.  Atë natë, në sytë e tij mund të dallohej qartë një ndriçim jo tokësor – ai dukej si një njeri që besonte se Zoti sapo i kishte caktuar një mision special.

Pyetje: Fillimisht PD-ja u drejtua nga një Komision Nismëtar.  Si u përzgjodh ky komision ndër mijra vetë që morën pjesë në Lëvizjen Studentore?

Zaloshnja: Pas metingut të 12 dhjetorit, ku u lexua programi i partisë, u grumbulluan në Pallatin Studenti të gjithë ata që kishin marrë pjesë në hartimin e programit, drejtuesit studentorë, si dhe intelektualë e punëtorë nga Tirana. Gjithsej bëheshim rreth 200 vetë. Në atë mbledhje, u vendos krijimi i Komisionit Nismëtar të Partisë Demokratike, si dhe departamentet e specializuara të saj (Edi Rama u propozua të drejtonte njërin nga këto departamente). Në Komisionin Nismëtar u zgjodhën 6 studentë, 4 pedagogë, 4 intelektualë, dhe 4 përfaqsues të ndërrmarjeve të Tiranës. Kryetar i Komisionit Nismëtar u zgjodh Azemi.  (Një anëtare e Komisionit Nismëtar më ka treguar më vonë se Berisha i kishte thënë privatisht atë natë që Azemi do të ishte kryetar vetëm përkohësisht.  Dhe kjo ishte hera e parë që ajo e takonte Berishën…)

Pyetje: Si shpjegohet që Edi Rama nuk u zgjodh në Komisionin Nismëtar?

Zaloshnja: Në fakt, Edi Rama mbërriti në mbledhje nga mbarimi i saj, kur zgjedhjet për Komisionin Nismëtar kishin përfunduar. Ai kishte qënë në Korfuz ato ditë për një ekspozitë personale. Sipas atyre që tha kur u fut në sallë, sapo kishte dëgjuar lajmin rreth lejimit të pluralizmit në Shqipëri, e kishte mbajtur frymën nga Korfuzi, në Igumenicë, në Kakvijë, e drejt e tek Qyteti Studenti. Qysh në kontaktin e parë me grupin e sapoformuar drejtues të PD-së, Rama e sfidoi Berishën duke e kritikuar ashpër për falenderimet publike që i kishte drejtuar Ramiz Alisë, si dhe për thirrjet “Rroftë Presidenti Alia” në mitingun e parë të PD-së.

Pas një shkëmbimi të tensionuar batutash mes Berishës e Ramës, u desh ndërhyrja brutale e Pashkos që Rama ta ndërpriste debatin dhe ta linte sallën i revoltuar. Pashko i tha Ramës që të lexonte programin e PD-së, dhe po mos ta pëlqente, të krijonte një parti tjetër. Sidoqoftë, Rama foli pak javë më vonë në një meting të PD-së para Stadiumit Kombëtar Qemal Stafa, ku tha fjalët lapidare “Enveri na skuqi si rusët, na zverdhi si kinezët, dhe na jeshilosi si bari”, por disa muaj më vonë krijoi një parti tjetër të djathtë me Spartak Ngjelën, Kasem Trebeshinën, etj., (ajo e pati jetën shumë të shkurtër…).

Pak vite më vonë, duke rikujtuar incidentin Rama-Pashko, Berisha do të shprehej në konfidencë se “përzënia e Ramës kishte qënë e vetmja e mirë që PD-ja kishte patur nga Pashko”. Ndërsa muaj më vonë, Rama do të shprehej në një rreth miqsh se “po të kishte qënë në Shqipëri natën e 8 dhjetorit 1990, padyshim që do të ishte vënë në krye të lëvizjes studentore qysh në fillim të saj, e ndryshe nga Azem Hajdari, i cili e mirëpriti bashkëpunimin me Berishën më 11 dhjetor, do ta kishte përzënë doktorin me motivacionin se dy ditë më parë ishte paraqitur tek studentët si emisar i Ramiz Alisë”.

Pyetje: Përmendja nga ju e Berishës dhe Alisë në të njëjtën fjali na kujton faktin se ka zëra që thonë se futja Sali Berishës në PD ka qënë e komanduar nga Ramiz Alia. A i besoni këtyre aludimeve?

Zaloshnja: Nga shumë studentë drejtues të lëvizjes, më është thënë se Berisha fillimisht kishte shkuar tek ata si një negociator i Ramiz Alisë. Duke u nisur nga tregimet e tyre, si dhe nga qënia afër Berishës qysh në momentet kur lindi PD-ja, kam arritur në këtë konkluzion: Ka shumë gjasa që Berisha të jetë dërguar nga Ramiz Alia tek studentët për t’i zbutur, por kur pa se lëvizja studentore nuk ndalej dot pa u dhënë leja për krijimin e një partie opozitare, vendosi t’i bashkohej lëvizjes dhe, eventualisht, të vihej në krye të partisë që do të lindte prej saj. Gjë të cilën e realizoi zyrtarisht në shkurt të vitit 1991.

Pyetje: Është i njohur rivaliteti midis Berishës dhe Pashkos në fillimet e PD-së.  A qëndronin prapa tyre grupime të formësuara qartë apo ishte thjesht një rivalitet personal?

Zaloshnja: Grupi i intelektualeve që u vu në krye të PD-së ishte një amalgamë njerzish që i bashkonte dëshira për t’i dhënë fund regjimit komunist e për ta orientuar Shqipërinë drejt Perëndimit. Ndër ta, vetëm Berisha dhe Pashko ishin intelektualët që ishin shprehur publikisht për ndryshimin e regjimit para dhjetorit 1990. Kështu që ishte e natyrshme që ata të pozicionoheshin qysh në fillim si udhëheqës krysorë të partisë që po lindte.

Dhe jo rastësisht, këta dy personazhe ishin përfaqësuesit më tipikë dhe më të spikatur të dy kategorive dominuese të intelektualëve që përbënin në fillim grupin drejtues të PD-së: 1-intelektualët e ardhur nga provincat që kishin milituar me devocion në PPSH dhe që ishin shpërblyer për këtë gjë me poste të mira në kryeqytet; 2- intelektualët që ishin lindur e rritur në Tiranë dhe që e kishin prejardhjen nga familje me peshë në strukturën shtetërore komuniste. Këta të dytët, ndryshe nga të parët, kishin mbështetur PPSH-në jo me ndonjë devocion të madh; ishin ekspozuar qysh herët ndaj ideve perëndimore; dhe ishin të bindur me kohë se sistemi totalitar duhej zëvendësuar me një sistem demokratik. Ndërkohë që këta intelektualë ishin më pak të influencuar nga kultura klanore se sa ata që kishin ardhur nga provincat, prapë nuk mund t’i shmangeshin origjinës së tyre nga nomenklatura komuniste – ta do mendja se ata kishin patur rastin të dëgjonin prindërit duke biseduar për favore që do t’ua kërkonin ose që ua kishin bërë miqve apo të afërmve të tyre duke shfrytëzuar pozitën zyrtare.

Pyetje: Si arriti Berisha të vihet në krye të PD-së?

Zaloshnja: Rreth dy muaj pas themelimit të PD-së, kur ish-të burgosurve politikë filloi t’u dilte frika, rreth grupit të Berishës u bashkuan edhe intelektualë që e kishin kaluar jetën burgjeve e internimeve. Më i spikaturi ndër ta ishte ‘Mandela shqiptar’, Pjetër Arbnori.  Një ndër faktorët që çoi në gravitimin e kësaj kategorie intelektualësh drejt Berishës ishte padyshim qënia e Pashkos biri i një ish-udhëheqësi të lartë komunist. Një arsye tjetër ishte se ata shihnin tek Berisha një udhëheqës më të ashpër e më të vendosur për ta mundur totalisht PPSH-në. Afrimi i kësaj kategorie intelektualësh rreth Berishës e anoi drejt tij balancën në duelin mes grupit të Berishës e Pashkos.

Pyetje: Në shkurt të vitit 1991, u zhvillua greva e urisë së studenteve, e cila u kurorëzua me rrëzimin e bustit të Enver Hoxhës.  Ç’mund të na thoni për atë grevë?

Zaloshnja: Greva e shkurtit 1991 e pati zanafillën e vet në Universitetin Bujqësor. Një mëngjes të ftohtë të atij shkurti, kur arrita atje, pashë se studentët kishin dalë në grevë, për të protestuar ndaj kushteve të këqia në konvikte. Pasi u konsultova me udhëheqësit e grevës, i bëra thirrje studenteve që të kërkonin dorhëqjen e Adil Çarçanit, me arsyetimin se qeveria e tij ishte e paaftë të kujdesej jo vetëm për hallet e studenteve, por edhe të të gjithë popullit. Ndërkohë, mora në telefon selinë e PD-së. Telefonatës iu përgjigj Arben Imami. Pasi i tregova se ç’po ndodhte, ai më tha se do të vinte menjëherë me Azem Hajdarin dhe me studentë të tjerë nga Universiteti i Tiranës. Kur ata erdhën, turma studentore mori zjarr. Dhe pas fjalimeve që mbajtën Azemi dhe Imami, u sugjeruam udhëheqësve studentorë që greva të përkrahej edhe nga Universiteti i Tiranës.

Atë natë, kur e diskutuam në selinë e PD-së iniciativën tonë, Pashko doli kundër me arsyetimin se rrëzimi i qeverisë do të na nxirrte ne parti të humbur. Në vend të qeverisë Çarçani, arsyetoi Pashko, do të vihej një qeveri më e moderuar, e cila mund të ishte më e suksesshme për të gënjyer votuesit e lëkundur. Ndërsa Berisha arsyetoi se rrëzimi i qeverisë do të kishte vlera simbolike që i tejkalonin minuset që përmendte Pashko. Pas debateve të gjata, u vendos që të mbeshtetej greva e studenteve, por jo në mënyrë të hapur, pasi ne kishim nënshkruar një marrveshje me qeverinë për pezullimin e grevave dhe protestave deri në zgjedhje.

Grevës së studentëve, e cila konsistonte fillimisht vetëm në mosvajtje në mësim dhe në aktivitete satirike ku shpotitej nomenklatura komuniste, iu shtua eventualisht edhe kërkesa e heqjes së emrit Enver Hoxha nga Universiteti i Tiranës.  Ndërsa në ditët e fundit të saj, ajo u bë shumë më serioze – u kthye në një grevë urie.

Pyetje: Ç’mbani mend nga dita kur u rrëzua busti i diktatorit; e kemi fjalën për 20 shkurtin e vitit 1991?

Zaloshnja: Atë ditë kisha planifikuar të shkoja në Rrëshen për metingun e themelimit të PD-së në Mirditë. Rreth orës 14, u nisa për atje dhe, po të mos kisha dëgjuar brohorima rreth e qark, ndoshta do ta kisha humbur rastin të përjetoja një nga gëzimet më të mëdha që kam ndjerë në jetë. Sapo dëgjova brohoritjet, i thashë shoferit të më çonte te sheshi Skënderbej dhe pastaj të shkonte të lajmëronte në telefon themeluesit e PD-së në Rrëshen për anullimin e metingut atje. Kur arrita në shesh, busti i Enverit po tërhiqej zvarrë, ndërkohë që mijra njerëz të ngazëllyer e ndiqnin nga pas. E ndoqa edhe unë deri te Qyteti Studenti, ndërkohë që vazhdimisht më dilte parasysh pamja e babait tim në shtratin e vdekjes – pak para se të kishte humbur vetdijen, ai e drejtonte dorën nga fotografia e Enver Hoxhës e varur në murin e dhomës së spitalit, në një farë imitimi të zbehtë të shkrehjes së revolverit drejt portretit të Enverit…

Kur arrita në Qytetin Studenti, u takova me Blendi Gonxhen, i cili kishte qënë fytyra publike e grevës së urisë. Blendit i sugjerova të merrte Presidencën në telefon dhe t’i kërkonte Ramiz Alisë që brenda orës tetë të shpallej vendimi i heqjes së emrit të universistetit dhe i dorëheqjes së qeverisë, sepse përndryshe, turma e mbledhur në Qytetin Studenti do t’i drejtohej godinave qeveritare. Atij i pëlqeu sugjerimi im dhe të dy shkuam në një familje aty pranë që kishte telefon. Kërcenimit të Blendit, sekreatri i Alisë iu përgjigj me përçmim. Por eventualisht, atë mbrëmje, emri i Enverit u hoq nga universiteti dhe qeveria dha doreheqjen.

Vonë në darkën e 20 shkurtit, mbaj mend që Azemi, unë dhe Arben Imami u mblodhëm në shtëpinë e këtij të fundit për të festuar me ca gota rezultatin përfundimtar të asaj që kishim nisur të tre si padashje në një ditë të ftohtë të fillimit të shkurtit. Në jetën time nuk më ka shijuar kurrë ndonjëherë më shumë trokitja e gotave!

Pyetje: Ju paskeni keni qënë bash në qendrën e vorbullës së dy datave të rëndësishme për historinë e demokracisë së re shqiptare.  Si i perceptoni në retrospektivë ato?

Zaloshnja: Mënyra sesi e kam përjetuar 11 dhjetorin e ’90-ës dhe 20 shkurtin e ’91-it, më ka krijuar këtë perceptim në mendjen time: Në datën e parë, diktaturës iu ngrit akt-padia publike, ndërsa në të dytën, iu dha verdikti i dënimit me vdekje. Rrëzimi i bustit të Enver Hoxhës në Tiranë, por edhe në qytete të tjera, padyshim që shënon ditën kur diktatura komuniste u dërgua përfundimisht në varr nga qindra mijra shqiptarë. Data të tjera, si data e themelimit të PD-së (12 dhjetor 1990), e rrëzimit të qeverisë Nano në maj 1991, e fitores plebishitare në mars 1992, etj. mund të kenë patur vlera praktike, por jo vlerat simbolike që kishin 11 dhjetori dhe 20 shkurti.

Pyetje: Në mbyllje, a mund të na tregoni se pse u larguat nga PD-ja?

Zaloshnja: Kur propozova në Kuvendin e Parë të PD-së që ajo të mos kishte një kryetar të vetëm, por një kryesi kolegjiale me rrotacion 6 mujor, Berisha u ngrit vërtik krah meje dhe tha se Kuvendi sapo kishte votuar për nenin e statutit që kishte të bënte me kryetarin. Unë iu kundërpergjigja se drejtuesi i seancës (Arben Demeti) nuk kishte krijuar mundësinë për propozimin e amendamenteve. Pas insistimit tim, u lejova të propozoj zyrtarisht amendamentin rreth nenit. Dhe kur argumentova se mjaft kishte vuajtur Shqiperia nga “prijësat legjendarë”, salla reagoi me indinjatë ndaj meje. Në atë çast, e ndjeva veten të huaj në partinë së cilës i kisha sugjeruar emrin dhe për të cilën kisha vite që ëndërroja të krijohej. Prej asaj kohe, nuk kam qënë më anëtar i asnjë partie.

Next Post
Berishës as iu hoq non grata, dhe as u pastrua

Zgjedhja e Klodian Brahos, një teatër mediokër

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Ambasada e SHBA thirrje qytetarëve: Mos përdorni vizat turistike për të lindur në Amerikë, kjo është e papranueshme!

Zgjedhja e kreut të ri të SPAK/ Ambasada Amerikane: Presim të vazhdojmë partneritetin tonë të fortë me Kryeprokurorin e ri

December 11, 2025
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK”/ Rama për zgjedhjen e Klodian Brahos: Do ketë mbështetje të palëkundur për të përmbushur misionin

“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK”/ Rama për zgjedhjen e Klodian Brahos: Do ketë mbështetje të palëkundur për të përmbushur misionin

December 11, 2025
Çështja e Kosovës dhe administrata Trump, Baton Haxhiu: Në nëntor i vjen rradha Ballkanit…

Amerikanët zgjedhin, shqiptarët firmosin

December 11, 2025
“Mund të ndikojë dëshmitarët”/ Haga kërkon vijimin e paraburgimit për Hashim Thaçin, “u kapën” pas një pamje ku ish-presidenti ishte live me…

Gjykata Speciale në Hagë merr vendimin, i zgjat paraburgimin Hashim Thaçit

December 11, 2025
“Akuzën ia kam njoftuar vetë”, Braho: Problem kemi pasur komunikimin publik, ja çfarë do merrja nga Dumani dhe Kraja

Zgjedhja e Klodian Brahos/ Eksperti flet për dy sfidat e kreut të ri të Prokurorisë së Posaçme(VIDEO)

December 11, 2025
Berishës as iu hoq non grata, dhe as u pastrua

Zgjedhja e Klodian Brahos, një teatër mediokër

December 11, 2025
Berisha, Pashko, Rama – Dhjetor 1990

Berisha, Pashko, Rama – Dhjetor 1990

December 11, 2025
Goditja e grupit kriminal ku u arrestua djali i ish-deputetit të PS, SPAK: 10 të arrestuar e 4 në kërkim! Sekuestrohen…

Trafikuan 2.4 ton marijuanë e kokainë / GJKKO lë në burg Rexhep Rrajën dhe 9 të tjerët

December 11, 2025
Përcaktimi i prioriteve, përcakton zhvillimin

Përcaktimi i prioriteve, përcakton zhvillimin

December 11, 2025
VIDEO-Me gotë në çantë, kreu i ri i SPAK.. Çfarë nuk u pa në mbledhje?

VIDEO-Me gotë në çantë, kreu i ri i SPAK.. Çfarë nuk u pa në mbledhje?

December 11, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In