Nga Jakin Marena
Sali Berisha vetëm një vit pasi u shpall “non grata” nga SHBA, u përball me një vendim të tillë para disa ditësh dhe nga Britania e Madhe. E gjasat janë që dhe Kanadaja, Zelanda e Re e Suedia ta shpallin “non grata” Berishën në një të ardhme jo fort të largët.
Këtë e konfirmoi një nga njerëzit më të afërt të Berishës, kreu i Këshillit Kombëtar të PD Edi Paloka, i cili nënvizoi se ka një marrëveshje mes SHBA-së , Britanisë, Kanadasë, Suedisë dhe Zelandës së Re që për akte të tilla, të jenë në të njejtën gjatësi vale.
Pra Berisha shtyu Palokën për t’i dalë të “keqes” përpara dhe lajmi të konsumohet deri ditën kur këto vende, si detyrim ndaj marrëveshjes me SHBA, të marrin vendimin e “non gratas” për të.
Kështu veproi dhe vetë Berisha në rastin e deklaratës së ambasadës së Britanisë në Shqipëri, se janë 27 persona që janë sanksionuar. Pa përmendur emra, ambasada nënvizonte se “MB ka ndërmarrë veprime ndaluese ndaj disa individëve shqiptarë me lidhje të dokumentuara dhe gjerësisht të publikuara me kriminalitetin e korrupsionin. S’mund të zbulojmë emrat ose numrin e personave për veprimet që lidhen me emigracionin. Është një politikë e kahershme e Ministrisë së Brendshme britanike që të mos komentojë mbi statusin e imigracionit të individëve”.
Por ishte vetë Berisha ai që përmes një daljeje për mediat, tha se “disa orë pasi Edi Rama dha lajmin për vendimin që do merrte qeveria e MB, jam njoftuar me një letër se, Home Secretary ka marrë vendimin për moslejimin e hyrjes sime në MB me arsyetimin: Se ju keni lidhje të qarta me grupe të krimit të organizuar dhe kriminelë, të cilët kanë paraqitur një rrezik për sigurinë publike në Shqipëri dhe në MB dhe, se ju jeni i gatshëm t’i përdorni këto lidhje për të avancuar ambiciet tuaja politike, si dhe për korrupsion dhe pasurimin tim, dhe rretheve të njerëzve pranë meje, ku si shembull përmendet ish këshilltari për zgjedhjet Damir Fazlliç, të cilin sipas vlerësimit të tyre, unë e kam mbrojtur kur, kundër tij kanë dalë prova inkriminuese…”!
Më tej Berisha jepte argumente, mes të cilave pasi pranonte miqësinë me serbo-boshjakun Damir Fazlliç, mundohej t’i kujtonte Londrës zyrtare se ai ishte shtetas anglez dhe se nuk kishte çështje penale të hapur as në Britani dhe as në Shqipëri.
Përtej këtyre argumenteve, “rrënja” e akuzave të Berishës për shpalljen e tij “non grata” si në SHBA ashtu dhe në Britaninë e Madhe ishte kryeministri Edi Rama, i cili është në mandatin e tretë radhazi në qeverisje, dhe me shumë gjasa do ketë dhe mandate të tjera të fituara në radhë.
Nëse për shpalljen “non grata” në SHBA, Berisha akuzoi Ramën se ka bashkëpunuar me mikun e tij lobist dhe me ndikim në qeverinë e majtë amerikane Xhorxh Soros, për ta sanksionuar atë dhe për ta nxjerrë nga politika, ndonëse “letrat” Berishës i ishin mbyllur nga administrata e Trump me të cilën Soros ishte në armiqësi të thellë, për rastin e Britanisë së Madhe, akuza se ka ndikuar Rama përmes Sorosit nuk “pi ujë”.
Soros është një armik jo vetëm për konservatorët britanikë që janë aktualisht në pushtet, por dhe për vetë laburistët e majtë, pasi ishte pikërisht Soros ai që destabilizoi ekonominë britanike dhe shkatërroi bursën e këtij vendi kohë më parë. E këtë s’ia fal asnjë britanik, i djathtë apo i majtë.
Dhe kur Berisha e kuptoi gafën që bëri, duke akuzuar Sorosin dhe për shpalljen “non grata” nga Londra, atëherë përmes mbështetësve të tij, organizoi një fushatë sulmuese që vazhdon dhe sot e kësaj dite kundër politikës së 200 viteve të Mbretërisë së Bashkuar, që nga akuzat për politikë koloniale në botë e deri tek Gandi i Indisë, apo misionet angleze gjatë luftës së dytë botërore, që për ithtarët e Berishës, kishin sjellë Enver Hoxhën në pushtet dhe tashmë po mbanin dhe Edi Ramën, “një Enver të dytë” në pushtet.
Për më tepër që goditej dhe ish kryeministri laburist britanik, Toni Blair, që sipas mbështetësve të Berishës është këshilltari i Edi Ramës, që kishte lobuar pranë qeverisë konservatore të Boris Johnson për të shpallur “non grata” plakun e politikës shqiptare. Ndonëse Blair cilësohet një armik i betuar i konservatorëve britanikë, pasi i la tre mandate në opozitë, një gjë e pandodhur më parë, kur të djathtët britanikë dominonin politikën dhe qeverisjen në këtë vend.
I përmendëm këto fakte përciptas për të treguar se Berisha është në hall, dhe është gati të shpikë çdo lloj justifikimi, vetëm e vetëm që të legjitimojë qëndrimin e tij në krye të PD, ndonëse është i shpallur “non grata” jo vetëm nga SHBA e Britania, por në mënyrë të padeklaruar dhe nga vendet e BE, duke filluar nga Franca, të cilat e kanë shmangur e “karantinuar” Berishën në selinë e tij buzë Lanës, pa i dhënë asnjë mundësi dhe kontakti fizik përmes takimeve të kortezisë, jo më të mbështetjes për partinë e tij, që është dhe anëtare e PPE-ve europiane. Pra një izolim total.
Por akuza ndaj Edi Ramës se është autori i lobimit të fortë në Uashington e Londër, pranë këtyre qeverive për ta shpallur atë “non grata”, në terma afatshkurtër e afatgjatë është një gafë fatale politike e Sali Berishës. Ndoshta dhe i detyruar për të gjetur një justifikim për të argumentuar të pajustifikueshmen: izolimin e thellë të tij nga partnerët tanë ndërkombëtarë dhe bashkë me të dhe partisë më të madhe të opozitës, PD. Ngjashëm me Milosheviçin dikur!
Themi se është gabim fatal politik, sepse po i jep Edi Ramës një dimension, të cilin jo vetëm që nuk e ka por dhe as ai vetë jo vetëm që nuk e ka menduar por as nuk e dëshiron: Atë të ndikimit të thellë në qeverisjen e SHBA e Britanisë së Madhe. Dhe për vendime të tilla tipike të tyre.
Berisha me akuzat që bën ndaj Ramës, i atribuon kryeministrit shqiptar fuqinë për të ndikuar tek qeveritë e dy vendeve kryesore të botës. Pikërisht në vendime të tilla me rëndësi për vetë këto vende, të cilat kanë shpallur si përparësi strategjike, luftën kundër korrupsionit dhe lidhjeve të politikës me krimin, pasi cënojnë sigurinë kombëtare të vendeve respektive dhe aleatëve të tyre.
Dhe për pasojë Berisha i atribuon Ramës dhe vendimin e SHBA për sanksionimin e tij me motivacionin: Korrupsion të lartë, minim të demokracisë dhe shantazhim të drejtësisë. Dhe të Britanisë së madhe për korrupsion dhe lidhje me krimin e organizuar.
Pra në përpjekje për të lehtësuar hallin e tij përballë partnerëve tanë ndërkombëtarë që e kanë shpallur “non grata” dhe drejtësisë shqiptare e cila herët apo vonë do të marrë në shqyrtim të gjitha paditë e ngritura ndaj Berishës për abuzim me pushtetin, dhe sot kreu i grupit socialist dërgoi disa prova plotësuese për përvetësimin e kompleksit “Partizani” nga familja e ish kryeministrit demokrat, Sali Berisha po i jep Edi Ramës fuqi të tilla, sa po krijohet përshtypja se kreu i qeverisë shqiptare jo vetëm po qeveris i vetëm me PS Shqipërinë, por dhe po ndikon në qeverisjet e SHBA dhe Britanisë së Madhe, përmes imponimit me lobing të vendimeve siç është dhe ai i shpalljes “non grata” të kreut aktual të PD.
Ky është një mesazh, me dashje apo pa dashje dhe i detyruar nga halli personal, që Berisha po u dërgon mbështetësve të tij dhe elektoratit të djathtë, se me Edi Ramën nuk fitojnë kurrë me votë pasi është shumë i fuqishëm, “ka instaluar një sistem monist në Shqipëri” e po dominon përmes lobingjeve dhe Uashingtonin e Londrën, duke imponuar vendime në favor të tij, si kreu i mazhorancës aktuale.
Eshtë një ‘autogol’ i Berishës ky, që tregon se as ai vetë s’ka besim se mund të sjellë PD pushtet, por njëherësh po krijon alibinë për humbjen e radhës në zgjedhjet vendore të vitit të ardhshëm dhe ato parlamentare të 2025. Pasi s’ka shqiptar që mund të japë votën për një parti që drejtohet nga një lider të cilit askush nuk i jep as dorën, jo më ta mbështesë. Të ishte kështu, shqiptarët kishin variantin ‘origjinal’: Regjimin e Enver Hoxhës, i vendosur kundër SHBA dhe tërë botës.
Për hir të së vërtetës Berisha “peshqeshin” e “non gratës” nuk e ka as nga Rama, as nga Soros dhe as nga Toni Blair, por nga aktivitetet e tij të dyshimta në këto 30 vite që ka qënë në qeverisje dhe në opozitë, pas shembjes së komunizmit.
Askush nuk e beson se partnerët tanë duke filluar nga SHBA, Britania e Madhe dhe BE nuk kanë mbajtur shënim thyerjen nga ana e Berishës e embargos së vendosur nga OKB ndaj ish Jugosllavisë së Milosheviçit për naftën dhe armët. Berisha nuk pyeti, e furnizoi shtetërisht me naftë Serbinë dhe për pasojë ndihmoi në masakrat e genocidin në Bosnje dhe në Kosovë. Madje takoi dhe Milosheviçin, Bulatoviçin dhe Arkanin. Ka dhe dokumente në OKB, që e vertetojnë këtë thyerje embargoje. Apo “shkopinjtë nën rrota” që ai i vuri UÇK-së e aleatëve perëndimorë, në bashkëpunimin e tyre për çlirimin e Kosovës.
Askush nuk e mohon faktin se familja e Berishës kishte miqësi me serbo-boshnjakun Damir Fazlliç, njeriun që kishte të afërmit në kupolën e shërbimit sekret serb por dhe që financohej nga bota e nëndheshme e krimit serb, e përfaqësuar nga bossi i trafikut të armëve dhe produkteve të tjera të jashtëligjshme Lazaraviç, deri në pastrim parash. Duke mbërritur në shkallën më të lartë, kur një i afërm i shërbimit inteligjent të ushtrisë shqiptare së kohës së Berishës bënte tregti armësh me kontrata të Ministrisë së Mbrojtjes, me biznesmenë polakë, kroatë, sllovenë dhe si gjithnjë serbë. Janë të shkruara e bardha mbi të zezë këto, ka dhe dorëheqje për këtë arsye.
Me Fazlliç kanë lidhje dhe dosjet e mbushura nga misionet faktmbledhëse të Argita Berishës dhe Lulzim Bashës për “krimet e UÇK ndaj serbëve”, që kanë vendosur dhe fatin e ish komandatëve të UÇK, që nga Thaçi deri tek Selimi, të mbyllur në burgjet e Hagës. Dhe si shpërblim Berisha me ardhjen në pushtet në vitin 2005, i dha të drejtë eksluzive Fazlliçit të bënte pazare në Shqipëri por dhe të pastronte para, bashkë me vajzën e tij Argita, siç ishte rasti i Porto Romanos. Britania e Madhe e përmendi këtë dhe në tekstin e shpalljes “non grata” të Berishës, mos harroni, Londra ka një ndër shërbimet inteligjente më afikase në botë. Operojnë dhe në Shqipëri, e di dhe Berisha këtë gjë. Madje i ka sulmuar dhe indirekt këto bashkëpunime me shërbimin sekret shqiptar.
Askush të mos mendojë se SHBA e Britania nuk e dinin për paratë e derdhura “lumë” në favor të Berishës nga radikalët islamikë, “bijtë e terrorit”, deri tek ardhja e Osama Bin Laden në Shqipëri. Pas rënies së Berishës në vitin 1997, SHBA e vendet partnere hoqën picirin derisa i shkatërruan celulat terroriste islamike në Shqipëri, përmes ekzekutive, arrestimeve dhe deportimeve jashtë vendit për në SHBA. I kujtojnë dhe panelistët e sotëm, disa prej të cilëve ishin në hapat e para të gazetarisë në atë kohë, ndërsa pjesa tjetër merreshin me punët e tyre.
Askush të mos mendojë se SHBA, Britania dhe vendet anëtare të NATO-s mund të harrojnë rrjedhjen e informacioneve sekrete të Aleancës drejt vendeve jo mike dhe armike të Shqipërisë, aq sa iu ndalua deri në vitin 2013 përfaqësuesve të Shqipërisë në këtë organizatë që të merrnin pjesë në mbledhjet me tema të rëndësishme të NATO-s në Bruksel. Dhe informacionet kishin rrjedhur drejt Rusisë, Iranit dhe disa vendeve arabe, jo mike të Aleancës. Të gjitha këto nën qeverisjen e Berishës, i cili si për t’i vënë “vulën”, me biznesin e djalit të tij në Gërdec jo vetëm që mashtroi amerikanët duke u dhënë fishekë kinezë nën etiketën e vendeve të tjera, e duke spekuluar rëndë deri në shpërthimin e këtij biznesi vdekjeje, me pasojë vrasjen e 26 njerëzve të pafajshëm e plagosjen e mbi 300 të tjerëve, por tentoi dhe ta përlyente ambasadorin e SHBA.
Janë të shënuara të gjitha këto nga partnerët tanë, që duke i bashkuar me abuzimin për Rrugën e Kombit, abuzimin me CEZ-DIA, vrasjen e 4 demonstruesve të opozitës në Bulevard dhe afera të tjera deri në shantazhim të drejtësisë për të mbrojtur familjen dhe bashkëpunëtorët abuzues, një ditë do të reflektoheshin në vendimin e shpalljes “non grata”. Që për hir të së vërtetës është shumë pak për krahasuar me ato që ka bërë Berisha. “Flirtin” me serbët, rusët e arabët s’ia falin.
Ndaj përpara se të shpallë Ramën një “menaxher” të vendimeve në Uashington dhe Londër, një atribut i pagjasë ky për kryeministrin socialist, Berisha të shohë veten. Megjithëse e di si dreqi se e ka trashur zullumin në këto 30 vite, ndaj përdor PD si mburojë. Anipse e di se sa të jetë ai në krye të saj, PD s’vjen në pushtet. Fundja një PD e vogël i duhet Berishës, për hallin e tij personal përballë partnerëve ndërkombëtarë dhe drejtësisë shqiptare. Pas dhjetorit për këtë të fundit, pasi atëherë e ka “avazin”.
Beriaha eshte akoma i “forte” fale dhe drejtesuse se vonuar